Nga: Ermelinda Hoxhaj

Në universitetet publike dhe private të vendit janë regjistruar rreth 23 mijë studentë, prej të cilëve, pjesa dërrmuese janë regjistruar në Institucionet e Arsimit të Lartë publik. Në të dhënat e bëra publike nga Ministria e Arsimit dhe Sportit rezulton se në 13 universitetet publike të vendin kanë mbetur bosh 3.200 kuota. Por sipas statistikave të MAS-it, reale janë vetëm 689 kuota të parealizuara, pasi pjesa tjetër prej 2.600 kuotash nuk kishin më kandidatë poshtë vijës. Faktikisht, fenomeni i ezaurimit të kandidatëve ishte i pranishëm që në fazat e mëparshme të regjistrimeve ende pa u shtuar afati i regjistrimeve nga ministria. Për këto kuota nuk do të ketë rishpërndarje, pra ato digjen.

Regjistrimet dhe të dhënat
Regjistrimet për në universitetet publike dhe private përfunduan zyrtarisht, ndërsa Ministria e Arsimit njofton se i gjithë procesi bëri të mundur regjistrimin e rreth 23 mijë kandidatëve, që u shpërndanë sipas dëshirës në institucionet publike dhe private të arsimit të lartë. Sipas të dhënave të ministrisë, pas gjithë procesit, universitetet publike në vend mblodhën pjesën më të madhe të studentëve, ndërsa vihet re një diferencë e madhe me ato private.

Kërkesat për regjistrim te publiku, këtë vit, me shifrat e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, tregojnë se kanë qenë në rritje, duke bërë që numri i tyre krahasuar me një vit më parë të rritet.
“Totali i kandidatëve të regjistruar në universitet është 22.963, ku pjesa dërrmuese, prej 18.584 studentësh, janë regjistruar në publik, ndërsa në privat janë regjistruar 4.379 studentë. Nëse do iu referohemi të dhënave të vitit të shkuar, rezulton se këtë vit në publik janë regjistruar 1.014 studentë më shumë, ndërsa në privat janë janë regjistruar 1.597 studentë më pak se një vit më parë”, sqarohet nga MAS-i. Këto shifra të bëra publike nga MAS-i tregojnë se nga kjo reformë, më pak të favorizuara kanë qenë universitetet private, pasi ata kanë pësuar ulje të dukshme të regjistrimeve të studentëve në ciklin e parë të studimeve bachelor. Ndërkohë, në fund të procesit të regjistrimeve, i cili ishte tej mase i gjatë dhe i shumëkontestuar, në universitetet publike mbetën rreth 3.200 kuota bosh, por pjesa dërrmuese e tyre nuk kishte më asnjë kandidat në listë, që do të thotë se kishin dalë nga gara për shkak se mund të jenë regjistruar në një degë tjetër përpara përfundimit të afatit zyrtar të regjistrimit. Ndaj, sipas MAS-it, janë vetë 689 kuota bosh për të gjitha programet e studimit. “Rezultojnë të jenë rreth 3.200 kuota të paplotësuara, por reale janë vetëm 689 kuota të paplotësuara, pasi për 2.600 kuota në publik nuk ka kandidatë poshtë vijës”, sqaron MAS-i. Por ndërkohë, kuota të paplotësuara kanë mbetur në shumë programe studimi që konsiderohen elitare dhe të preferuara nga maturantët, siç janë Drejtësia, Arkitektura, Urbanistika, Inxhinieria, Gazetaria, Farmacia, Stomatologjia, Fizioterapia, Logopedia etj. Kjo situatë e krijuar në universitete do të bëjë që drejtuesit e tyre të reflekotojnë mbi kriteret dhe procedurat e reja të pranimit për vitin e ardhshëm. Gjë që është deklaruar nga shumë drejtues universitetesh dhe fakultetesh, që pritet të ketë ndryshime.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: