Nga ERMELINDA HOXHAJ*

TIRANE – Ministria e Arsimit dhe Sportit, ditën e djeshme ka bërë një analizë të arsimit të lartë në vend, duke u bazuar te masat që janë marrë. Por, me sa duket, këto masa nuk kanë pasur ndikim të madh te rritja e mesatares së studentëve të regjistruar në universitetet publike këtë vit akademik, edhe pse ka një reduktim
të kuotave në krahasim me vitin e shkuar. Veç të tjerash, universiteti më i madh publik pasqyron ulje të mesatares së studentëve dhe jo rritje. Gjatë fjalës së saj, ministrja Lindita Nikolla është ndalur te disa pika kryesore, siç janë ulja e kotave dhe rritja e tarifave. Sipas ministres, ndërhyrjet në këta dy elementë, jo vetëm kanë qenë të konsultuara, por kanë qenë edhe ndërhyrje efikase, që kanë përmirësuar, ndër të tjera, edhe raportin pedagogstudent.Për sa i përket këtij raporti, vitin e ardhshëm do të ketë një ulje më të madhe, pasi do të punësohen edhe 500 pedagogë të rinj. Ndër të tjera ajo ka ritheksuar se cilësia e mësimdhënies në universitetet publike do të testohet nga agjencia britanike, me të cilën MAS pritet që të nënshkruajë kontratën brenda javës që vjen.

ANALIZA
Gjatë analizës së djeshme, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla është ndalur edhe te rritja e tarifave, e cila, sipas saj, është bërë në bazë të konsultimeve, por edhe me kërkesë të universiteteve. Ajo u ka kthyer përgjigje edhe studentëve që i janë drejtuar qeverisë me një peticion, ku kanë kërkuar anulimin e pagesës prej 30% të tarifës që në fillim të vitit akademik, e cila nuk do të revokohet. Ministrja
deklaroi se bëhet fjalë për një pagesë prej 7.990 lekësh për studimet Bachelor, 18.738 lekësh për Masterin Profesional e 25.000 lekësh për Masterin Shkencor, gjë që sipas saj, janë pagesa minimale dhe bëjnë të mundur garantimin e cilësisë. Ndër të tjera, ajo është ndalur edhe te punësimi i pedagogëve të rinj, ku ka thënë se në vitin 2015 do të punësohen 500 pedagogë të rinj, në mënyrë që raporti i numrit të studentëve me stafin akademik të ulet, edhe pse këtë vit ka pësuar një rënie të dukshme, sipas saj. Vitin e shkuar, raporti studentë-pedagogë ishte 47 studentë për një pedagog, ndërkohë që këtë vit është reduktuar në 38 studentë për pedagog.

Gjatë analizës Nikolla është ndalur edhe te provimi i shtetit, pasi sipas saj, studentët nuk arrijnë të mbrojnë diplomat dhe studimet që kanë kryer, sepse gjysma e tyre nuk marrin dot licencën e ushtrimit të profesionit. “Ne duam një situatë të re, për ju, të dashur studentë, për të ndryshuar dhe situatën në provimet e shtetit, ku mbesin një masë e madhe, deri në mbi 40%. Kjo nuk mund të tolerohet më”, – tha ministrja Nikolla. Sipas saj, shumë shpejt universitetet do të funksionojnë mbi bazën e një ligji të ri, ndërkohë që javën e ardhshme do të konkretizohen dhe hapat e parë për nisjen e procesit të akreditimit, gjë që do të sigurojë cilësinë e munguar në arsimin e lartë.

MESATARJA

Mesatarja e studentëve të regjistruar në vitin akademik 2014-2015, sipas MAS-it ka rritje, edhe pse nga 12 universitete publike, vetëm në 8 prej tyre pasqyrohet rritje. Bilancin më pozitiv të mesatares së studentëve për këtë vit e ka Universiteti i Durrësit, me 0.27, dhe Universiteti i Mjekësisë, me 0.20. Ndërkohë që, çudi të bën universiteti më i madh në vend, Universiteti i Tiranës, i cili, jo vetëm që nuk pasqyron rritje të mesatares së studentëve të regjistruar, por ka ulje. Po ashtu edhe tri universitete të tjera kanë ulje të mesatares së studentëve të regjistruar; ai i Sporteve, i cili ka dhe uljen më të madhe të mesatares, me 0.15, si dhe universiteti i Gjirokastrës dhe i Korçës. Pra në këto universitete, pavarësisht se kuotat një vit më parë kanë qenë më të larta, studentët e regjistruar rezultojnë me mesatare më të lartë se këtë vit.

(Botuar në numrin e sotshëm të “Gazetës Shqiptare”
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: