Nga: ERMELINDA HOXHAJ*
TIRANE – Ditën e djeshme maturantët kanë nisur plotësimin online të formularit të aplikimit në universitet. Të parët që do të aplikojnë janë maturantët e kryeqytetit, të cilët do vijojnë aplikimin deri në datë 3 gusht. Ndërkohë që afati i fundit do të jetë data 11 gusht 2016.
“Gazeta shqiptare” publikon shpërndarjen e 31.579 kuotave për 442 programet e studimit që ofrojnë universitet publike dhe private në mbarë vendin. 12 universitetet publike do të pranojnë 22.420 maturantë, pa përfshirë kuotat e miratuara për shqiptarët nga trojet. Maturantët që duan të studiojnë në universitet private këtë vit duhet patjetër që të bëjnë aplikimin online brenda këtyre afateve, pasi në të kundërt nuk do të mund të ndjekin studimet e larta. Universitetet private do të pranojnë 9158 studentë për vitin akademik 2016-2017.
Aplikimi&kuotat
Para së të bëjnë aplikimin online, maturantët duhet të bëjnë pagesën e faturës së aplikimit për të garuar në universit, e cila është 2 mijë lekë. Më pas duhet të shkojnë në shkollën përkatëse dhe të bëjnë dorëzimin e mandatpagesës, në mënyrë që këtyre kandidatëve t’u pasqyrohet mesatarja e shkollës së mesme në sistemin e elektronik dhe më pas ata të vijojnë me plotësimin e formularit të aplikimit në çdo ambient ku ka akses interneti. Maturantët ndryshe nga vitet e tjera, kur pjesë e programeve të studimit kanë qenë vetëm ato që ofrohen nga universitet publike, këtë vit do të kenë të listuara edhe programet e studimit që ofrohen nga institucionet private. Në total, në formularin e aplikimit maturantëve do t’u shfaqen 442 programe, ku 290 janë programe studimi që ofrohen në 12 universitete publike dhe 152 të tjera janë programe që ofrohen nga 22 universitete jopublike, mes të cilëve duhet të zgjedhin vetëm 10 programe studimi. “GSH”, bashkangjitur shkrimit publikon 442 programet e studimit që ofrohen nga 34 universitetet në mbarë vendin si dhe kuotat e pranimit për secilin universitet. Fituesit në universitet do të zgjidhen në bazë të kritereve që kanë përcaktuar universitet, si dhe në bazë të kuotave të pranimit. Në tabelat e mëposhtme mungojnë vetëm kuotat për studentët nga trojet, shtetasit huaj dhe ata që studiojnë për një cikël të dytë studimesh, por maturantët kanë numrin total të kuotave dhe kuotat e miratuara për kandidatët brenda Shqipërisë. Universiteti i Tiranës për vitin e ri akademik 2016-2017 do të pranojë 5378 studentë, Universiteti i Mjekësisë këtë vit ka një ulje të vogël të kuotave, pasi do të pranojë në total 817 studentë; Mjekësia e Përgjithshme ka 226 kuota për brenda vendit dhe 4 kuota i ka për trojet. Infermieria ka 250 kuota për maturantët, për trojet ka 24 kuota, pra totali i pranimit është 274 studentë. Në Universitetin Bujqësor të Tiranës për këtë vit akademik do të pranohen 2679 studentë, pa përfshirë kuotat e trojeve. Universiteti Politeknik i Tiranës vetëm për maturantët brenda territorit të vendit ka në dispozicion 1407 kuota pranimi. Universiteti “Fan Noli” në Korçë do të pranojë 1095 studentë, ndërsa ai i Elbasanit ka 3445 kuota pranimi, pa përfshirë trojet. Universiteti Gjirokastrës ka në total 929 kuota, ai i Shkodrës ka 1903 kuota pranimi për maturantët brenda territorit, ndërsa Universiteti i Vlorës do të pranojë 1927 studentë në vit të parë, ndërkohë që Universiteti i Durrësit do të presë 2321 studentë. Universiteti i Arteve ka 219 kuota për studentët brenda vendit, ai i Sporteve ka 300 studentë. Ndërkohë që është përfshirë edhe Akademia e Sigurisë me 150 studentë. Në total në 12 universitetet publike, pa përfshirë Akademinë e Sigurisë janë 22.420 kuota pranimi, ndërkohë që në universitet private ofrohen për studentët brenda trojeve 9.158 kuota pranimi.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
