NGA ERMELINDA HOXHAJ

TIRANE- Universitetet publike kanë hapur aplikimin për studentët që përfitojnë bursë shteti. Pak ditë më parë qeveria miratoi vendimin për kriteret që duhet të plotësojnë nxënësit dhe studentët për të përfituar nga 3750 bursa shteti që janë miratuar për vitin akademik 2015-2016. Në krahasim me vitin e shkuar, qeveria ka miratuar 100 bursa më shumë për nxënësit, ndërsa për studentët edhe këtë vit në total janë 1800 bursa.

“Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për hyrjet e reja në vitin e parë, në sistemin arsimor publik, për të gjitha kategoritë e parashikuara në pikën 2, të këtij vendimi, për vitin e ri mësimor 2015-2016 të japë 1950 (një mijë e nëntëqind e pesëdhjetë) bursa për nxënësit dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit, për të gjitha kategoritë e parashikuara në pikën 2, të këtij vendimi, për vitin e ri akademik 2015-2016 të japë 1800 (një mijë e tetëqind) bursa për studentët”, përcaktohet në vendimin e qeverisë. Studentët që janë në vitin II dhe III, dokumentet duhet t’i dorëzojnë në fakultetet përkatëse. Në VKM, afati i fundit i miratimit të tyre është 30 nëntori, ndaj fakultetet e Universitetet të Tiranës kanë përcaktuar data të ndryshme, duke nisur nga data 25 nëntor, që e ka Ekonomiku, në datën 27 nëntor, që e kanë përcaktuar Shkencat e Natyrës.

KRITERET & KATEGORITË
Nxënësit që ndjekin studimet në institucionet arsimore publike dhe studentët që ndjekin një program studimi të ciklit të parë, me kohë të plotë, në institucionet arsimore publike, mund të përfitojnë bursë dhe përfitime të tjera, nga buxheti vjetor i miratuar për Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Vendimi i qeverisë parashikon kategoritë që përfitojnë sipas kriterit ekonomik, ato që kanë statusin e jetimit, që banojnë në fshat, por nuk kanë shkollë 9-vjeçare brenda rrezes 5 km, nxënësit/studentët të cilët kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë dhe që plotësojnë kriterin ekonomik, secili nga studentët bashkëshort me fëmijë, që plotëson kriterin ekonomik dhe që vendoset në konvikt publik etj.

Gjithashtu, bursën e përfitojnë studentët që regjistrohen në vitin e parë të shkollës së lartë, që janë shpallur nga Ministria e Arsimit më të mirët e Maturës Shtetërore, sipas renditjes në listën e vlerësimit, të realizuar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Për vitin akademik 2015-2016, numri i tyre do të jetë 30 studentë. Kjo kategori studentësh përfiton bursë kur ata vazhdojnë studimet në institucionet e arsimit të lartë publik dhe vetëm për këtë vit akademik. Përfitojnë edhe ata studentë që kanë mbaruar vitin akademik pararendës me të gjitha notat 10 (dhjeta).

Ndërkohë që stimulohen edhe studentët, që vazhdojnë studimet në programin e studimit “Matematikë” dhe “Fizikë”, në vitin e dytë e lart, dhe kanë mbaruar vitin akademik paraardhës me notën mesatare mbi 8 tetë. Jashtë kriterit ekonomik përfshihen fëmijët e punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës. Institucionet përkatëse për këtë kategori duhet të dërgojnë në Ministrinë e Arsimit dhe në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë brenda datës 15 dhjetor 2015 listën e nxënësve dhe studentëve që përfitojnë.

Bursat e studentëve për vitin II e lart, rishqyrtohen dhe miratohen çdo vit nga institucionet publike të arsimit të lartë. Studentët e vitit II e lart, që nuk kanë përfituar bursë dhe plotësojnë kriterin ekonomik, mund të përfitojnë bursë brenda numrit të planit të bursave, të përcaktuara sipas këtij vendimi. Njësitë bazë të qeverisjes vendore, në pamundësi trajtimi me bursë të plotë, brenda planit të miratuar, miratojnë dhe gjysmë burse. Efektet financiare të vitit akademik 2015-2016 të përballohen nga fondet e buxhetit të shtetit, miratuar për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për vitin 2015, për pjesën e vitit 2015, dhe nga fondet e buxhetit të shtetit, që do të miratohet për vitin 2016, për pjesën e vitit 2016. Në tabelën bashkëngjitur shkrimit janë dokumentet që kandidatët duhet të dorëzojnë.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: