NGA: OLA MITRE*
Universiteti i Arteve ka përcaktuar kri teret e pranimit për të gjithë ata kandidatë që dëshirojnë të vazhdojnë studimet master pranë tij. Sipas rregulloreve, pranimet në Fakultetin e Artit Skenik, të Arteve të Bukura dhe atë të Muzikës do të bëhen në bazë të konkurseve, ndërkohë që kandidatët do të kenë mundësi të futen në to pas regjistrimit në sekretaritë mësimore.

Për të konkurruar, çdo kandidat duhet të paraqesë një dosje personale pranë fakultetit ku dëshiron të vazhdojë studimet, e cila përmban një sërë materialesh. Kështu, në dosjen personale të atyre që duan të vazhdojnë studimet master pranë Fakultetit të Artit Skenik duhet të jenë: CV personale, diploma e studimeve Bachelor, lista e notave të programit të studimit të kryer, dëshmi mbi rezultatet e arritura në procesin e realizimit të programit mësimor, projekte, shfaqje, filma, ekspozita etj. Po ashtu, dosja duhet të përmbajë dëshmitë e aktiviteteve artistike, si brenda dhe jashtë shkollës, e më konkretisht:

Postera, fletëpalosje, fotografi, dhe çdo material tjetër që dëshmon aktivitetet artistike të konkurrentit. Sipas rregullores, kandidatët që kanë kryer programe të tjera studimi, jashtë Fakultetit të Artit Skenik, brenda dhe jashtë vendit, do të bëjnë një intervistë bashkëbisedimi me komisionin e pranimit. Dosjet personale janë të ngjashme edhe për kandidatët në Fakultetin e Arteve të Bukura dhe atë të Muzikës. E veçanta e tyre qëndron vetëm te disa materiale që duhen paraqitur. Kështu, në rastin e FAS, kandidatët duhet të plotësojnë dosjen e tyre me workshop- e në vend të shfaqjeve, ndërsa kandidatët e Fakultetit të Muzikës duhet të paraqesin projekte apo koncerte.

VLERËSIMI
Vlerësimi maksimal për çdo konkurrent do të jetë 100 pikë, ndërkohë që në konkurset që do të zhvillohen pranë Fakultetit të Artit Skenik dhe atij të Arteve të Bukura do të ndahet në 2 faza. Në fazën e parë do të vlerësohen dosja personale dhe nota mesatare, për të cilat mund të jepen maksimalisht 50 pikë, dhe në fazën e dytë do të vlerësohen testi teorik dhe i formimit artistik, me po 50 pikë. Ndërkohë që, në Fakultetit e Muzikës ndarja e pikëve të vlerësimit do të bëhet me vendim ‘ad hoc’ të Komisionit të Vlerësimit, duke mbajtur parasysh kriteret e kërkuara. Ndërkaq, “Gazeta Shqiptare” publikon sot të plota rregulloret dhe kriteret sipas çdo fakulteti, ku ndër të tjera përcaktohen me saktësi dhe rregullat që duhen mbajtur parasysh para regjistrimit, gjatë konkursit e deri në momentin që fitoni statusin e studentit.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: