NGA: Ola Mitre* Studentët e Masterit Profesional dhe Sh kencor në Universitetin e Arteve do të kenë mundësi ta paguajnë me këste tarifën e vitit shkollor, ndërkohë që rektori, Petrit Malaj ka përcaktuar masat dhe afatet. Përmes urdhrit, që mban datën 13.11.2015, saktësohet se masat e kësteve variojnë nga 10- 40% e tarifës totale, ndërkohë që në tabelën bashkëngjitur shkrimit do të gjeni të plotë ndarjen e tyre sipas vitit akademik.

I njëjti dokument, saktëson se studentët, të cilët nuk e kanë përfunduar ende programin përkatës apo nuk kanë shlyer të gjitha provimet e parashikuara në atë program studimi (në kohëzgjatjen normale të tij), konsiderohen studentë mbetës për lëndët përsëritëse e për pasojë do të paguajnë çdo vit akademik dyfishin e tarifës për kredit të parashikuar. Sa u takon studentëve që vijnë nga shtresat sociale (ish-të përndjekur politikë, jetimë, romë, egjiptianë dhe paraplegjikë e tetraplegjikë), ashtu sikurse është përcaktuar edhe në Vendimin e Këshillit të Ministrave, do të paguajnë 50% të tarifës vjetore të shkollimit.

PRANIMET
Konkurrimi për pranimin e kandidatëve në master në Universitetin e Arteve u zhvillua në datat 10-12 nëntor 2015, ndërkohë që fituesit kanë afat edhe ditën e sotme për të kryer regjistrimin pranë sekretarive të fakulteteve ku janë shpallur fitues. Vlerësimi maksimal për çdo konkurrent ishte 100 pikë, ndërkohë që në konkurset e zhvilluara pranë Fakultetit të Artit Skenik dhe atij të Arteve të Bukura u ndanë në 2 faza.

Në fazën e parë u vlerësua dosja personale dhe nota mesatare, për të cilat mund të jepeshin maksimalisht 50 pikë, dhe në fazën e dytë u vlerësuan testi teorik dhe formim artistik, me po 50 pikë. Ndërkohë që, në Fakultetin e Muzikës ndarja e pikëve të vlerësimit do të bëhet me vendimin ad hoc të Komisionit të Vlerësimit, duke mbajtur parasysh kriteret e kërkuara. Në total, për vitin akademik 2015- 2016 Këshilli i Ministrave akordoi 236 kuota, nga të cilat, 20 në Master Profesional dhe 216 në Shkencor.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: