NGA:ERMELINDA HOXHAJ*TIRANE- Çdo maturant që dëshiron të ndjekë arsimin e lartë në Universitetin e Arteve, veç provimeve të maturës që kanë, dhënë duhet t’i nënshtrohen edhe konkursit të pranimit për degën që dëshirojnë. Ndaj, Universiteti i Arteve shpall rregulloren dhe kriteret e pranimeve për vitin e ri akademik 2015-2016. Konkursi i pranimit zë edhe peshën më të madhe të pikëve që të bëjnë fitues në tri fakultetet e këtij universiteti. Kuotat e pranimit për këtë vit akademik pritet të miratohen në mesin e muajit korrik 2015.

KONKURSI & KRITERET
Konkursi në Fakultetin e Arteve të Bukura këtë vit pritet të zhvillohet në katër ditë, konkursi në Fakultetin e Artit Skenik do të zgjas tri ditë, ndërsa te Fakulteti i Muzikës do të zhvillohet në dy ditë. Në Fakultetin e Muzikës, konkursi është me dy faza, faza e parë përfshin testimin me shkrim në disiplinat Solfezh dhe Harmoni. Vlerësimi maksimal në secilën nga provat është 30 pikë, pra gjithsej 60 pikë. Kohëzgjatja për secilën nga provat është 1 orë e 30 minuta. Në fazën e dytë, maturantët që garojnë për një të drejtë studimi në Fakultetin e Muzikës do t’u nënshtrohen disa provave dhe kryesisht faza e dytë vlerësohet me 180 pikë.

Me përjashtim të disa degëve specifike si Piano, Violinë, Violë, Violinçelë, Kontrabas, Kitarë, Flaut etj., të cilën fazën e parë e kanë me një total prej 30 pikësh, ndërsa fazën e dytë e kanë me një vlerësim maksimal prej 210 pikësh. Pesha e maturës shtetërore ende nuk është përcaktuar në rregullore se sa do të jetë këtë vit, por vitin e shkuar ishte minimale, vetëm 20% të pikëve totale, ndërkohë që konkursi përbënte 80% të peshës, pasi do miratohet nga MAS bashkërisht me kuotat e pranimit për vitin e ri akademik. Një kandidat që të shpallet fitues në Fakultetin e Arteve të Bukura dhe atë Skenik duhet të kalojë tri faza të konkursit. Faza e parë ka të bëjë me testimin me shkrim në lëndën Histori Arti, tema do jetë e fshehtë, por do mbështetet në tekstet me të cilat kanë studiuar nxënësit në shkollat artistike dhe atë të përgjithshme.

Faza e dytë e konkursit është intervista me kandidatin për studentë me anëtarët e komisionit. Nëpërmjet intervistës synohet testimi i nivelit kulturor i kandidatit, ndjeshmërinë artistike etj. Veç dy fazave të para të konkursit, kandidati duhet të paraqesë edhe një dosje personale me punimet e tij. Minimalisht duhet të ketë 20 punime të kandidatit, ku të përmbahen vizatime dhe skica të ndryshme, të punuara me laps, karbon, vaj, akuarel etj., për kandidatin për studentë në pikturë. Ndërsa për kandidatin në skulpturë, dosja duhet të përmbajë punime të ndryshme në skulpturë. Fakultative për të dyja kategoritë e kandidatëve janë punime grafike në kompjuter. Kandidatët duhet të mbajnë përgjegjësi për autorësinë e punimeve, nëse do ketë raste abuzive, ata do të largohen nga procesi i konkursit. Kandidatët për të hyrë në provim duhet të kenë mjet identifikimi ID si dhe mandatin e arkëtimit të pagesës të bërë në llogari të institucionit.

Në varësi të specifikave për secilin program, komisionet do të punojnë paradite dhe pasdite me paraqitjet individuale të kandidatëve. Bashkangjitur shkrimit gjenden kriteret e konkursit të pranimit, ku maturantët duhet të fokusohen për t’u shpallur fitues në fakultetet e Universitetit të Arteve.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: