TIRANE – Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” si çdo vit ka organizuar sipas traditës së universitetit, ceremoninë e përurimit të vitit të ri akademik 2014-2015. 11 vjet pasi hapi dyert për të pritur studentët e parë në mjekësi, Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” ka arritur të shndërrohet në një nga universitetet më të konsoliduara në vend, pasi në partneritet me universitetet italiane, studentët marrin diploma të përbashkëta shqiptare dhe njëkohësisht italiane, të cilat hapin dyert për të sapodiplomuarit që të punësohen në vendet e Bashkimit Europian.
Rektori i Universitetit, Bruno Giardia vlerësoi arritjet e universitetit gjatë 10 viteve histori akademike dhe institucionale, si partneritet i dy realiteteve akademike shqiptare dhe italiane.
“Një nga sfidat më të rëndësishme të këtij poli universitar, realiteti i gjuhës italiane jashtë gadishullit italik, është ndërkombëtarizimi. Gërshetimi i kulturës, kërkimit shkencor, edukimit dhe zhvillimit, ndërton rrugën drejt transparencës dhe zhvillimit.”- deklaroi Rektori.
I ftuar special në këtë event ishte Imzot Angelo Vincenzo Zani. I ardhur nga Vatikani, Imzot Zani është përgjegjës për edukimin katolik në mbarë globin. Për të “Zoja e Këshillit të Mirë” është pikë reference e rëndësishme për studentët që shërben si urë lidhëse mes kulturave të dy vendeve.
“Detyra thelbësore e universitetit qëndron në një zgjerim të trefishtë të arsyes, që i korrespondon tkurrjes të ushtruar që prej iluminizmit. Me fjalë të tjera, dija për të tranzituar nga arsyeja tek besimi, nga logos tek dashuria.”- deklaroi Imzot Angelo Vincenzo Zani.
President i Fondacioni “Zoja e Këshillit të Mirë”, Daniele Bertoldi duke folur për sfidat e edukimit dhe formimit akademik premtoi investime të mëtejshme këtë vit akademik me qëllim rritjen e cilësisë së mësimdhënies.
“Do të investojmë për auditore të reja, gjithmonë në funksion të studentëve. Një hap i rëndësishëm është dhe miratimi i statutit të ri të Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”.”- u shpreh presidenti.
Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” ofron mundësi studimi për të gjithë të rinjtë në tre fakultete, atë të Mjekësisë, Farmacisë dhe Fakultetin e Shkencave Ekonomike e Politike. Ndërsa vitin e kaluar janë hapur studimet edhe për dy profile të reja, Arkitekturë dhe Inxhinieri Ndërtimi e Mjedisi. Stafi akademik me rreth 550 profesorë italianë dhe shqiptarë kujdeset që të rinjtë të marrin një edukim par ekselencë me mundësi praktikash mësimore në Itali.
(BalkanWeb)
