Ky vit i ri akademik do të ofrojë më shumë mundësi për studentët e Luarasit. Universiteti “Luarasi” ka tashmë një marrëveshje tre vjeçare në kuadër të Erasmus Plus për fakultetin e teknologjisë së informacionit dhe inovacionit me një ndër universitetet më të rëndësishme në Itali, atë të Politeknikut të Barit. Nga kjo marrëveshje përfitojnë studentët e nivelit Bachelor dhe Master, si dhe pedagogët.

Drejtuesit e Universitetit Luarasi kanë pritur në takim miqësor delegacionin nga Politekniku i Barit, me në krye rektorin e ri të sapozgjedhur, ku kanë diskutuar për nisjen e një bashkëpunimi institucional midis dy universiteteve, për fushat e ekonomisë dhe teknologjisë së informacionit dhe inovacionit, të cilat u panë si prioritare.

Rektori i Luarasit, profesor Et’hem Ruka, duke u ndalur në karakterin ndërkombëtar të universitetit ftoi stafin pedagogjik të Politeknikut të Barit të ndajnë dijet dhe eksperiencën e tyre në auditorët e Luarasit. Politekniku i Barit është i njohur për stafin e tij akademik elitar, i cili përfshin profesorë të shquar dhe mbi 10.000 studente.

Sakaq, Francesko Cupertino, Rektori i Politeknikut të Barit u shpreh i kënaqur për vendosjen e urave të komunikimi mes dy universiteteve, teksa shtoi se bashkëpunimi nuk do të jetë vetëm në kuadër të Erasmus Plus, por edhe në fushën e ekonomisë dhe Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit.

“Unë në fakt sapo jam caktuar rektor i politeknikut të Barit dhe udhëtimi im i parë ka ndodhur pikërisht në Shqipëri dhe universiteti i parë që po vizitoj në krye të kësaj detyre është pikërisht universiteti Luarasi. Me universitetin “Luarasi” kemi lidhur raporte shkëmbimesh duke filluar me programet Erasmus Plus për shkëmbimin e studenteve dhe pedagogëve.

Ne do donim të vijonim bashkëpunimin edhe nga pikëpamja e aktiviteteve kërkimore në mënyrë të tillë që shkëmbehen sa më shumë eksperienca por edhe mënyrat e menaxhimit të universiteteve dhe transferimit të teknologjive mes dy universiteteve tona.

Në kemi kompetenca të larta si universitet dhe kanë të bëjnë me teknologjinë e informacionit dhe inovacionit, kanë lidhje edhe me menaxhimin ekonomik në fushën e IT-së por edhe me elementë të ndryshëm që lidhin aktivitetet ekonomike me aktivitetet teknologjive të informacionit dhe këto kompetenca do donim që t’i ndanim dhe ti zhvillonim edhe me Universitetin “Luarasi””, tha ai.

Universiteti Luarasi i kushton një rëndësi të veçantë bashkëpunimit me universitete prestigjioze europiane e më gjerë. Strategjia e ndjekur deri tani ka synuar zgjerimin e hartës së bashkëpunimit me sa më shumë universitete, me qëllim rritjen e mundësive për stafin dhe për studentët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb