Rektori i Universitetit “Luarasi”, Ethem Ruka dha në News24 një lajm të rëndësishëm. I ftuar në rubrikën “Podcast Luarasi”, ai tha se Ministria e Arsimit ka vendosur të miratojë diplomën e përbashkët të Universitetit “Luarasi” me Shkollën Ekonomike të Londrës, një prej universiteteve më prestigjioze në botë (London School Economics, LSE).

Ruka u shpreh se “tani po mbyllim vitin akademik, një vit i suksesshëm për këtë universitet, me dy trofe të mëdha, që më gëzojnë shumë”.

Në këtë kuadër, Rektori i Universitetit “Luarasi”, tha se “kemi kaluar me shumë sukses akreditimin institucional” duke shtuar se “Luarasi” renditet ndër universitetet më cilësore në vend.

“Luarasi ka qenë gjithmonë një ndër 3-4 universitetet më të mira në Shqipëri, i akredituar me 6 vite, dhe unë shpresoj shumë që këtë trofe të mos e humbasim. Kjo varet nga Bordi i Akreditimit, por i gjithë procesi që ka qenë shumë vjeçar është përfunduar shumë mirë dhe me sukses nga ana jonë.

E dyta është në kuadrin e bashkëpunimit ndërkombëtar, morëm në dorë vendimin e Ministrisë së Arsimit, që ka miratuar një diplomë të përbashkët, me një nga Universitetet lider në Botë, që është “Shkolla Ekonomike e Londrës, të cilët kanë pranuar bashkëpunimin me ne në 3 programe studimi që janë të mrekullueshme. Dhe të mos harrojmë se kush merr diplomën e këtij universiteti, e kërkojnë për punë në të gjithë Botën.

Është fat i madh, jo vetëm për Luarasin, por edhe për Shqipërinë, që ti krijojmë mundësinë edhe atyre që nuk kanë shumë lekë, me një shifër, ose një shumë simbolike, gati 10 herë më lirë, ti krijojmë mundësinë edhe atyre që janë shtresë e mesme, për ta marrë këtë diplomë. Nuk ka universitet më të mirë që ka mbërritur në Shqipëri se sa ky universitet.

Jemi në rritje nga viti në vit, janë regjistruar më shumë se 200 studentë, jemi me ofertë dhe vazhdojmë të jemi me ofertë, le ta zgjedhin Luarasin pa iu dridhur dora, të zgjedhin Luarasin”, tha rektori i Luarasit, Ethem Ruka.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb