“Muri ndarës nuk është aty, por ai pa ndërprerë shkakton kokëçarje”, thotë për Mostarin e ndarë, gazetarja dhe fotografja Shtefica Galiq. Lufta në Mostar fillimisht shpërtheu midis koalicionit kroato- boshnjak, nga njëra anë, dhe serbëve, kishin mbështetjen e ushtrisë së atëhershme jugosllave.

Së shpejti, ish-ushtria e përbashkët jugosllave tërhiqet, por lufta e dytë, siç e quajn mostarasit, filloi në mes kroatëve dhe boshnjakëve. Në granatimet gjatë vjeshtës së vitit 1993, u godit simboli më i famshëm i qytetit, Ura e Vjetër. Kjo ishte çarja simbolike dhe historike e bashkëjetesës së Mostarit.

Lufta kishte ndarë Mostarin në sektorin kroat dhe atë boshnjakë, të cilët i ndanë lumi Neretva. Palët ndërluftuese nënshkruan Marrëveshjen e Deitonit që solli paqen në Mostar (në Bosnjë dhe Hercegovinë) në vitin 1994, por statusi i posaçëm tranzitor, pra statuti i përkohshëm i vendosur në qytet, forcoi ndarjen etnike të Mostarit.

Sipas statusit kalimtar, Mostari ishte i ndarë në gjashtë komuna etnike, tre boshnjake dhe tre kroate, të cilat Përfaqësiesi i Posaçëm i OKB-së Pedi Eshdaun dëshiroj t’i bashkojë në një entitet shumë-etnik.

Regjistrimi i fundit jugosllav në vitin 1991 tregoi se rreth 43,000 boshnjakë dhe kroatë jetonin në Mostar, pothuajse 24,000 serbë dhe 12,768 të cilët e deklaruan veten jugosllavë.

Në regjistrimin e fundit nga viti 2013, tabloja etnike ka ndryshuar – janë 51,000 kroatë, rreth 46,000 boshnjakë dhe 4,421 serbë.

Përfaqësues i Lart për Bosnjën dhe Hercegovinën, Pedi Eshdaun, nxorri Statutin e qytetit që unifikoi Mostarin me një Kuvend të Qytetit.

Shërbimet e ndara të qytetit, që shërbenin për secilin entitet veç e veç, filluan të unifikohen rreth një administrate të vetme.

“Kjo zgjidhje duhet të sigurojë garancitë se nuk do të kemi më një qytet të ndarë në të ardhmen dhe se nuk do të ketë vend për një rindërtim të institucioneve paralele”, kishte thënë Pedi Eshdaun, njeriu meritor për bashkimin e Mostarit.

Po Mitrovica?

Sot, pas 25 viteve të përfundimit të luftës, 16 vite pavarësi të Republikës së Kosovës, Mitrovica është qytet i ndarë. Ç’është e vërteta me Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse për Statusin Final të Kosovës, (Dokumenti i Ahtosarit) që më vonë u inkorporua në sistemin ligjorë të Republikës së Kosovës (Lgji Për Kufijtë Administrativ të Komunave), qyteti i Mitrovicës përbëhet nga dy komuna, ajo e veriut dhe e jugut.

Siaps raportit të OSBE-së të vitit 2015 dhe 2018, Mitrovica (e veriut) ishte e banuar me 29 460 banorë, prej të cilëve 22 530 janë banorë serb, 4 900 shqiptarë, rreth 1000 boshnjak, 580 goran, 210 turq, 200 rom, 40 ashkali.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) Rajoni i Mitrovicës ka gjithsej 173 mijë e 551 banorë, ndërsa sipas Regjistrimit të Popullsisë dhe Banesave të Kosovës 2020, popullsia e përgjithshme është 69 331 banorë. Mitrovica e veriut sipas Regjistrimit të Popullsisë dhe Banesave të Kosovës 2020, popullsia e përgjithshme është 11.994.

Përpjekjet për të mundësuar lirinë e lëvizjes
kanë qenë të vështira për shkak të mos-bashkëpunimit apo bashkëpunimit të pjesshëm të Beogradit zyrtar.

Edhe pse përpjekjet e zyrtarëve të lartë të Kosovës në deklaratat publike dhe veprimet në terren janë që përmes temës së urës të manipulohet me publikun, duhet thënë se kjo temë është maksimalisht e politizuar.

Tema e urës së bllokuar, herë të shndërruar në zonë të gjelbër, e herë me barrikada, mure e roje të urave, është bartur në dialog teknik në Bruksel.

Më 25 gusht 2015 u nënshkrua nga kryeministrat e të dyja shteteve dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së znj. Frederika Mogherini, heqja e barrikadës dhe hapja e urës për qarkullim të lirë. Pas negociatave njëzet orëshe që u zhvilluan në Bruksel me datë 2 deri më 3 gusht 2016 sollën rezultatet dhe Bashkimi Evropian tashmë ka bërë deklaratën zyrtare e cila shpjegon të gjitha hapat praktike dhe afatet deri në përfundimit e procesit të revitalizimit dhe heqjes së barrikadës.

Pra, ura mbi Ibër ishte dhe mbetet temë e dialogut teknik/politik me Beogradin zyrtarë, meqë serbët e Kosovës janë levë e interesit politik të Beogradit dhe nuk kanë vullnet, qëllim dhe qëndrim të pavarur të komunitetit të tyre në Kosovë.

Retorika e serbëve të Kosovës në tubimet publike është e ngjashme me atë të Beogradit zyrtar, që ngriti nivelin e panikut tek kinse politika e “spastrimit etnik” ndaj serbëve. Një imitim i diskursit politik të shqiptarëve të viteve ‘90 të shekullit të kaluar.

Duke qenë se tema e urës është adresuar tashmë në dialogun e lehtësuar nga BE, si temë e pa zgjidhur, siç është rasti në Mostarë të Bosnjës dhe Hercegovinës, kërkohet që të mbetet temë e agjendës së bisedimeve. Çdo veprim i pa matur, i njëanshëm, me llogari shkurtpamëse, po dërgon drejt ftohjes së Republikës së Kosovës me hemisferën perëndimore të komunitetit ndërkombëtarë. Një trajektore politike e rrezikshme për shtetin.

“Mostari është sot i unifikuar por ende i ndarë”konsideron historiani Markovina. Mitrovica është e ndarë në komuna sipas ligjit, ura që ndanë Mitrovicën është mollë sherri me prapavijë zgjedhore por me efekt degjenerues diplomatik.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb