Një vit nga nisja e punimeve projekti për zgjatimin e bulevardit të Lanës drejt Shkozës është braktisur totalisht nga kompania ndërtuese “Gjikuria”.

Në një gjatësi afër 2 kilometra nuk ka asnjë mjet apo punëtor duke punuar në trasenë e re që nis nga materniteti deri në Shkozë.

Por nëse nga njëra anë punimet janë ndërprerë pa dhënë arsye nga ana tjetër mjetet e tonazhit të kompanisë ndërtuese kanë shkatërruar shtresat asfaltike mbi urën e Shkozës e cila është kthyer në makth për mijëra drejtues automjetesh.

Situata pritet të rëndohet me afrimin e stinës së shirave pasi sa herë që ka reshje ura e vjetër përmbytet nga uji.

https://youtu.be/phmJuUsjrr4

Nga ana e saj kompania ndërtuese “Gjikuria” nuk është kujdesur në mirëmbajtjen e këtij aksi të rëndësishëm që lidh kryeqytetin me Shkozën si dhe dhjetëra fshatra.

Në mes ka mbetur edhe rreth rrotullimi mbi urën e Shkozës, projekt i cili kundërshtohet nga banorët e zonës pasi sipas tyre muri rrethues që ka nisur të ndërtohet do të izolojë një lagje të tërë me 50 shtëpi.

Vetë pronari i rrugës, autoriteti rrugor shqiptar nuk është prononcuar në asnjë rast për ndërprerjen e punimeve në këtë vepër madhore për kryeqytetin, ndërsa banorët pohojnë jashtë kamerës se shteti nuk ka lekë për të dëmshpërblyer familjet e prekura nga projekti. Ky fakt dallohet lehtësisht përmes pamjeve nga lart ku shihen punimet e segmentarizuara.

Edhe tre muaj më parë News 24 parashtroi situatën e vështirë dhe trafikun kaotik që krijohet në këtë segment por nuk pati asnjë reagim zyrtar as nga ARRS dhe as nga ministria e transporteve që është autoriteti kryesor përgjegjës për investimet në infrastrukturë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb