TIRANE

Banorët e rrugës “Sadik Petrela” në Tiranë ankohen për rrugën e tyre të sapoasfaltuar e cila ka mbetur njësoj si 10 vite më parë pa trotuare. Të intervistuar nga News 24 disa prej banorëve të lagjes thonë kanë qenë të parët që kanë pranuar kërkesën e bashkisë për të prishur avllitë që rruga të zgjerohej, por më pas kanë parë bashkinë të tërhiqet sipas tyre për shkak të fondeve. Ndërkohë, mungesa e fondeve duket se po mban peng edhe projektin madhor të zgjatimit të Bulevardit të Lanës ku shumë banesa presin dëmshpërblimin.

E rikonstruktuar 6 herë në 10 vitet e fundit rruga ‘Sadik Petrela’ në lagjen numër 1 Tiranë nuk ka ende trotuare për këmbësorët. Bashkia sapo ka përfunduar asfaltimin dhe vizimin e rrugës duke e mbyllur punën me vendosjen e bordurave të trotuareve edhe pse mungonë hapsirat.
Të pyetur nga News 24 banorët e zonës shprehen tejet të habitur sesi bashkia u tërhoq nga projekti për ndërtimin e trotuareve pasi ata vetë e kanë pritur me shumë interes investimin të gjendur çdo ditë para kërcënimit të automjeteve.

Mes banorëve ka patur edhe prej tyre që i kanë shembur vetë avllitë apo muret e banesave për t’i paraprirë zgjerimit të rrugës dhe trotuareve por pas kësaj kanë mësuar se nuk ka fonde. Mungesa e fondeve duket se mban peng edhe investimin strategjik të qeverisë, zgjatimin e Bulevardit të Lanës nga Materniteti i Ri deri tek ura e Shkozës.


Gazetari Skendaj raporton se kanë qenë vetë banorët ata që janë shprehur se ndihen të rrezikuar nga kjo rrugë pa trotuare.

Kompania ndërtuese ‘Gjikuria’ ka realizuar punime të pjeshme në lotin e parë por pa mundur ta përmbyllë atë për shkak të mos dëmshpërblimit në kohë të objekteve që preken nga ky projekt.
Për rrjedhojë në afër 300 metra gjatësi lineare nuk ka as mjete dhe as punëtorë në punë e njëjta situatë përvijon edhe tek projekti i mbikalimit rrethorrotullim në urën e Shkozës ku punimet janë braktisur prej një viti.
Kompania nuk po punon as në pjesën e segmentit përtej urës së shkozës në gjatësi afër 200 metra pasi edhe aty ka ende banesa të pashpronësuara që presin dëmshpërblimin.
Në 28 gusht 2018, kryeministri Rama publikoi në profilin e tij në “Facebook” projektin 3D të zgjatimit të bulevardit të Lanës dhe lidhjen e saj me Unazën e Madhe segmenti lindor që përfundon në Farkë.
Ndërkohë investimi kishte një vit që kishte nisur pas largimit me forcë ta familjeve që prekeshin nga ky projekt por pas disa muajsh kompania i tërhoqi mjetet dhe punëtorët duke i zhvendosur në lotet e tjera të Unazës së Madhe.
 (BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: