URE VAJGURORE – Sesi një bashki apo komunë, që harxhon fonde nga buxheti dhe nuk mbledh dot asnjë taksë, mund të shndrrohet në fitimprurëse për komunitetin është projektuar tashmë dhe ka nisur të marrë jetë. Ajo është bashkia e Urës Vajgurore.

Progresi dhe sfidat e zbatimit të reformës territoriale, ishin në qendër të vizitës që Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, zhvilloi në të sëbashku me partnerët ndërkombëtarë (STAR) që ndoqën nga afër punën në këtë bashki, e cila prej tre muajsh është pjesë e projektit pilot që synon krijimin e një modeli për konsolidimin administrativ dhe financiar të bashkive të reja.

Ministri Çuçi u shoqërua nga Ambasadori i Zvicrës, Christoph Graf, Përfaqësuesja e Përhershme e OKB-së Zineb Touimi-Benjelloun dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë si USAID, Italia dhe Suedia, donatorë të projektit STAR.

Të pranishmit u informuan për ecurinë dhe eksperiencën e fazës së pilotimit në këtë bashki. Ekspertë të projektit dhe kompanisë KPMG, në bashkëpunim me stafin lokal, po punojnë intensivisht për të kryer inventarizimin e aseteve fikse, pronave nën administrim, etj. si dhe konsolidimin e financave të njësive, Poshnje, Kutali dhe Cukalat që bashkohen në bashkinë e re të Urës Vajgurore.

Ky grup ekspertësh po bën vlerësimin e të dhënave financiare, bazës ligjore, strukturës administrative dhe sistemeve të IT-së në njësitë vendore që janë pjesë e bashkive pilot, Urë Vajgurore dhe Pogradec.

Ministri Çuçi dhe ambasadorët pjesëmarrës vizituan gjithashtu komunën Cukalat e cila sot është jo-funksionale sa i përket gjendjes fizike të godinës por edhe në raport me shërbimet që i ofron komunitetit. Kjo komunë e cila sot grumbullon vetem 5 milionë lekë të ardhura në vit, shpenzon mbi 80% të buxhetit për shpenzime operative dhe në vitin 2013 nuk ka bërë asnjë investim me të ardhurat e veta, pritet që me ndarjen e re territoriale të kthehet në një qendër administrative e cila do të ofrojë shërbime më moderne dhe efikase.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb