Uragani Beryl është forcuar në një uragan të kategorisë së dytë përpara se të shkojë në Teksas, duke detyruar banorët në disa komunitete bregdetare të evakuohen menjëherë.

Parashikuesit thonë se stuhia do të sjellë erëra shkatërruese dhe reshje të shumta shiu, kryesisht në Corpus Christi dhe Galveston. Zyra e guvernatorit të shtetit u ka kërkuar vazhdimisht banorëve që të mos e nënvlerësojnë stuhinë, ndërsa portet e naftës janë mbyllur dhe shumë fluturime janë anuluar.

Beryl shkaktoi të paktën 10 vdekje në Karaibe, përpara se të zvogëlohej në një stuhi tropikale teksa goditi Gadishullin Jukatan të Meksikës. Mirëpo në Teksas ka gjetur sërish forcë. Autoritetet thonë se edhe pse uragani mund të mos jetë aq i fortë sa ishte në Karaibe, por do të shkaktojë ndërprerje të energjisë për ditë të tëra dhe dëme të shumta. Deri më tani, është raportuar se më shumë se 480 000 banorë kanë mbetur pa energji elektrike.

Drejtori i Qendrës Kombëtare të Uraganeve në SHBA, Michael Brennan, ka paralajmëruar ata që jetojnë në rrugët ku mund të kalojë Beryl të gjejnë një vend të sigurt për të qëndruar, pasi kushtet e rrezikshme do të vazhdojnë edhe pasi uragani të kalojë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb