“Dita e Punës” nuk do të jetë ditë kremteje për Floridën, nëse uragani Dorian ndjek rrugën e parashikuar të tij.

Qendra Kombëtare e Uraganeve tha të enjten vonë se Doriani pritet të shndërrohet në uragan të madh në premten dhe do të mbetet “i rrezikshëm” përgjatë fundjavës derisa është duke thithur ujërat e ngrohta të Atlantikut.

Ai u shndërrua në uragan të kategorisë së dytë me erëra të forta që arrijnë në 165 kilometra në orë.

Meteorologët parashohin që Doriani mund të godas Floridën Juglindore të hënën si uragan i kategorisë së katërt me erëra deri në 209 kilometra në orë.

Stuhitë e kategorisë së katërtë kanë fuqi të shkaktojnë dëme që ekspertët i quajnë katastrofike, si shkatërrimin e shtëpive dhe dyqaneve, copëtimin e rrugëve dhe rrëzimin e drunjve dhe linjave të energjisë.

Guvernatori Ron DeSantis e ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në tërë shtetin.

Presidenti amerikan, Donald Trump, anuloi udhëtimin e planifikuar në Poloni për “t’u siguruar se të gjitha burimet federale janë të përqendruara në stuhinë e pritshme… Është shumë e rëndësishme për mua që të jem këtu”, tha presidenti Trump.

Banorëve përgjatë bregut të Atlantikut ne Florida u është thënë që të jenë të gatshëm evakuimin e mundshëm. Ata po mbushin rezervuarët e makinave dhe po grumbullojnë rezerva ushqimore, ujë dhe pajisje emergjente.

Meteorologët presin që uragani të lëvizë drejt Bahamas veriperëndimore të shtunën.

Dorian shkaktoi disa përmbytje dhe ndërprerje të energjisë në dy ishuj të Porto Riko por nuk shkaktoi dëme të mëdha./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb