Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán, tha se do të ftojë homologun e tij izraelit, Benjamin Netanyahu, për të vizituar Budapestin, duke shpërfilluar kështu një urdhër arresti të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, ndërsa liderët botërorë ndahen për vendimin e rëndësishëm të GJPN-së.

Gjykata më e lartë penale në botë lëshoi ​​urdhra të enjten për Netanyahun, ish-ministrin e tij të mbrojtjes Yoav Gallant dhe komandantin e Hamasit Ibrahim al-Masri, i njohur si Mohammed Deif, i cili besohet të jetë i vdekur, për krime të dyshuara lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Orbán, vendi i të cilit mban presidencën e rradhës të BE-së dhe i cili ka thënë më parë se nuk do të arrestonte presidentin rus, Vladimir Putin, i cili gjithashtu kërkohet nga GJNP, e quajti vendimin “jashtëzakonisht të pacipë” dhe “cinik”.

“Nuk ka zgjidhje këtu, ne duhet ta kundërshtojmë këtë vendim… Unë do të garantoj zotin Netanyahu, nëse ai vjen, se vendimi nuk do të ketë efekt në Hungari dhe se ne nuk do të ndjekim kushtet e tij”, tha ai të premten.

Kombet janë të ndara lidhur me mënyrën se si t’i përgjigjen urdhër-arrestit, i pari i lëshuar ndonjëherë nga GJPN kundër udhëheqësve të një vendi demokratik.

Analistët në Eurointelligence thanë se “për ne evropianët, ky urdhër nxjerr në pah një dilemë të vërtetë midis ligjit ndërkombëtar, që është ligji ynë, dhe politikës sonë të jashtme, veçanërisht për ato shtete anëtare që po mbështesin pa kushte Izraelin.”

Në parim, Netanyahu dhe Gallant do të rrezikonin arrestimin nëse shkojnë në ndonjë nga 124 shtetet që janë anëtarë të GJPN-së, duke përfshirë vendet e BE-së, Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë, Australinë, Brazilin, Japoninë dhe dhjetëra vende afrikane, latino-amerikane, aziatike.

Megjithatë, realiteti është i ndryshëm – dhe Netanyahu dhe Gallant gjithashtu mbeten të lirë të udhëtojnë në ndonjë nga vendet që, si Izraeli, nuk janë nënshkrues të statutit të Romës që themeloi gjykatën në 1998, duke përfshirë SHBA-në, Kinën, Indinë dhe Rusinë.

Netanyahu i ka denoncuar urdhrat si antisemitikë dhe akuzat e GJPN-së si “absurde dhe të rreme”, ndërsa aleati më i vendosur i Izraelit, SHBA, tha se “e refuzon në thelb” vendimin dhe ishte “thellësisht i shqetësuar” nga “gabimet e procesit”.

Pekini nuk i kritikoi drejtpërdrejt urdhër-arrestet, por zëdhënësi i ministrisë së tij të jashtme, Lin Jian, tha të premten se “shpreson që gjykata të mbajë një pozicion objektiv dhe të drejtë dhe të ushtrojë kompetencat e saj në përputhje me ligjin”.

Hungaria nënshkroi dhe ratifikoi statutin e Romës gjatë mandatit të parë të Orbanit në detyrë, por ajo nuk e ka shpallur konventën e lidhur për arsye kushtetutshmërie dhe për këtë arsye pohon se nuk është e detyruar të respektojë vendimet e ICC.

Netanyahu falënderoi Orbanin për “qartësinë e tij morale”, duke shtuar se “përballë dobësisë së turpshme të atyre që qëndruan pranë vendimit të egër kundër të drejtës së shtetit të Izraelit për të mbrojtur veten, Hungaria po qëndron në anën e drejtësisë dhe të së vërtetës”.

Shefi në largim i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka thënë se vendimet e gjykatës duhet të jenë detyruese. “Nuk është një vendim politik”, tha ai të enjten, duke shtuar “është një vendim i një gjykate, i një gjykate ndërkombëtare të drejtësisë. Dhe vendimi i gjykatës duhet respektuar dhe zbatuar”.

Disa vende anëtare të BE-së thanë se do të pajtoheshin. Spanja, prej kohësh një nga kritikët më këmbëngulës dhe të hapur të bllokut të luftës së Izraelit në Gaza, konfirmoi të premten se Netanyahu do të arrestohej nëse do të udhëtonte atje.

Krahas Irlandës dhe Norvegjisë, Spanja ka njohur zyrtarisht një shtet palestinez. Ministrja spanjolle Yolanda Díaz, tha të enjten se Madridi ishte “gjithmonë në anën e drejtësisë dhe ligjit ndërkombëtar. Gjenocidi i popullit palestinez nuk mund të mbetet i pandëshkuar”.

Ministri i Jashtëm i Holandës, Caspar Veldkamp, ​​i konfirmoi parlamentit holandez të enjten se vendi do të vepronte “në parim” në lidhje me urdhërat nëse lind situata. Ai anuloi një vizitë të planifikuar në Izrael të premten.

Ministri i mbrojtjes i Italisë, Guido Crosetto, tha të premten se ndërsa Roma e konsideronte vendimin e GJPN-së si “të gabuar” në vendosjen “në të njëjtin nivel” të krerëve të “një organizate kriminale terroriste” dhe atyre të vendit që “përpiqen ta zhdukin”. Italia do të detyrohej të arrestonte politikanët izraelitë nëse ata do të vizitonin.

“Duke u bashkuar me gjykatën, ne duhet të zbatojmë vendimet e saj, është pjesë e traktatit”, tha Crosetto.

Zvicra tha se detyrimet e saj sipas statutit kërkonin që ajo t’a përmbushte vendimin. Megjithatë, Norvegjia dhe disa vende anëtare të BE-së, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, nuk ishin të përkushtuar, duke thënë se respektonin ligjin ndërkombëtar, por duke mos konfirmuar se do të vepronin.

Një zëdhënës i ministrisë së jashtme franceze, Christophe Lemoine, tha të enjten se Parisi do të reagojë “në përputhje me statutet e GJPN”. Por Lemoine nuk pranoi të thoshte nëse Franca do t’i arrestonte liderët izraelitë nëse ata vinin në vend, duke thënë se ishte “një pikë që është ligjërisht komplekse”.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha të premten se Berlini po shqyrtonte urdhrat. Baerbock tha se Berlini ishte “i lidhur” nga gjykata si një vend që njeh organin dhe respekton ligjin ndërkombëtar, por çështja nëse Netanyahu dhe Gallant do të arrestoheshin apo jo, ishte “teorike” për momentin.

Një zëdhënës i kryeministrit britanik, Keir Starmer, tha se Mbretëria e Bashkuar “respekton pavarësinë e GJPN” por “nuk kishte ekuivalencë morale midis Izraelit, një demokracie, dhe Hamasit dhe Hezbollahut libanez, të cilat janë organizata terroriste”. Zëdhënësi nuk tha nëse Britania do të ekzekutonte urdhër-arrestet.

Jashtë Evropës, kryeministri kanadez, Justin Trudeau, tha se Kanadaja, një anëtar themelues i GJPN-së “ka thënë gjithmonë se është vërtet e rëndësishme që të gjithë t’i përmbahen ligjit ndërkombëtar. Ne mbrojmë ligjin ndërkombëtar dhe do t’i përmbahemi të gjitha rregulloreve dhe vendimeve të gjykatave ndërkombëtare”.

Turqia tha se vendimi i GJPN-së ishte “një vendim i vonuar, por pozitiv për të ndalur gjakderdhjen dhe për t’i dhënë fund gjenocidit në Palestinë”. Afrika e Jugut, e cila ka akuzuar Izraelin për gjenocid në Gaza në GJPN, tha se ishte “një hap i rëndësishëm”.

Kryeministri i Argjentinës, Javier Milei, një aleat i hapur i Netanyahut, i përshkroi urdhër-arrestet si “një akt që shtrembëron frymën e drejtësisë ndërkombëtare”, duke shtuar se “ky vendim injoron të drejtën legjitime të Izraelit për t’u mbrojtur kundër sulmeve të vazhdueshme nga organizatat terroriste si Hamasi dhe Hezbollahu.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb