Ministri i Financave, Arben Ahmetaj ka urdhëruar administratën tatimore të mos gjobisë bizneset e vogla, që hyjnë për herë të parë në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Përmes një shkresë zyrtare, Ahmetaj u ka kërkuar Tatimeve që të ndihmojnë biznesin për deklarimin e TVSH-së dhe të shmangin masat ndëshkuese deri në fund të këtij viti.

“Strukturat përgjegjëse në varësi të DPT duhet të asistojnë bizneset për të korrigjuar gabimet në deklarim, duke shmangur gjobat dhe penalitetet deri në fund të vitit 2018”, thuhet në letër. Sipas kreut të Financave, do të jetë në përgjegjësi të administratës tatimore të konstatojë çdo deklarim të vonuar apo mosdeklarim të bizneseve që hyjnë në TVSH. “Deri në 15 korrik, që përbën momentin e parë të deklarimit për biznesin e vogël, administrata tatimore duhet të kontaktojë detyrimisht me çdo subjekt që preket nga ndryshimet ligjore, duke asistuar tatimpaguesit të deklarojnë në kohë dhe të shmangin parregullsitë”, vijon letra.

Nga 1 prilli bizneset me xhiro mbi 2 milionë lekë në janë të detyruara të deklarojnë dhe paguajnë Tatim mbi Vlerën e Shtuar. Sipas qeverisë, qëllimi i kësaj mase është të mbyllë shtigjet e evazionit për biznesin e madh. Por, përfshirja në TVSH ka shkaktuar frikë dhe pasiguri në radhët e biznesit të vogël. Shumë tregtarë të vegjël ankohen se janë të paqartë dhe nuk kanë njohuritë e duhura për të deklaruar TVSH-në sipas ligjit. Ata u druhen masave ndëshkuese nga Tatimet. Por, sipas Ministrisë së Financave, administrata nuk do të lejohet t’i penalizojë këto biznese deri në fund të vitit.

Trajnimet
Rreth 1959 subjekte kanë marrë pjesë në sesionin e trajnimeve të biznesit të vogël, që po zhvillohen në rang vendi që nga data 1 prill 2018. Referuar të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, që nga fillimi i marsit e deri më tani, specialistët e Shërbimit ndaj Tatimpaguesve kanë vizituar 2764 biznese të vogla.

Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe këndet e asistencës kanë ofruar informacione si dhe kanë orientuar 2367 subjekte. Sipas DPT-së, në total janë trajnuar 7090 subjekte, një shifër e cila përkon me 70% të totalit të tyre që janë njoftuar nga Administrata Tatimore për përfshirjen në skemën e TVSH-së, e cila ka nisur të zbatohet që nga 1 prilli. Sesionet e trajnimeve, që janë 100 në total do të zgjasin deri në fund të muajit qershor.

Shkrimin e plotë e gjeni sot në Gsh.al në linkun http://www.gsh.al/2018/04/08/urdhri-gabimet-ne-deklarim-bizneset-qe-hyjne-rishtas-ne-skemen-e-tvsh-sdo-gjobiten/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: