TIRANË

Lëvizje të tjera nga Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj. Ikën Anila Trimi, emërohet drejtuesi i ri i SHÇBA-së. Zëvendës ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, gjatë një takimi paraditen e sotme me drejtuesit qendrorë të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) bëri të njohur urdhrin e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, për ndryshime në nivel drejtues në këtë strukturë.


Kështu, z. Muhamet Rrumbullaku, me një karrierë të gjatë në strukturat e Policisë së Shtetit, emërohet Drejtor i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), në Ministrinë e Brendshme. Z. Rrumbullaku zëvendëson në këtë detyrë znj. Anila Trimi që e ka mbajtur këtë detyrë që nga 29 marsi i vitit 2018.Trimi para se të merrte këtë detyrë ka qenë
Sekretarit të Përgjithshme në Ministrisë së Brendshme.


Rrumbullaku drejtues me përvojë në policinë e shtetit i larguar 5 vitet e fundit do të marr drejtimin e institucionit që ka si detyrë funksionale kontrolli e ligjshmërisë së punës së organizatës së policisë. Ai mban gradën Drejtues i Parë, ka një eksperiencë të gjatë në Policinë e Shtetit dhe për shumë vite ka qenë Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë për Rendin dhe Sigurinë Publike (2009-2013), ndërsa më parë ka qenë Drejtor i Policisë së Tiranës dhe në disa qarqe të tjera.


Gjatë qeverisë teknike të vitit 2017 , Rrumbullaku u emërua për disa muaj, këshilltar i Ministrit të Brendshëm Dritan Demiraj.

(m.k/BalkanWeb)