Menjëherë pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama, ka nisur puna në qytetin e Durrësit për të mbushur me shtretër dhe çadra stadiumin “Niko Dovana”, ku të mund të qëndrojnë të gjithë qytetarët e prekur nga tërmeti 5.8 ballë, që goditi Shqipërinë pasditen e djeshme.

Gazetari Osman Stafa raportoi për “BalkanWeb” nga Durrësi, duke thënë se në tre pikat e ngritura në ndihmë të qytetarëve janë vendosur punonjës të bashkisë për të bërë regjistrimin. Sipas gazetarit, janë me dhjetëra qytetarë që kanë ardhur në këtë vend dhe kanë denoncuar problemet që kanë nëpër shtëpi.

Një nga problematikat më të mëdha në Durrës janë ndërtesat e vjetra, përbri të cilave janë ndërtuar kate të reja, ku për shkak të tërmetit ka pas edhe ndarje të pallateve. Siç shihet dhe nga videoja që sjell “BalkanWeb”, punonjësit e bashkisë janë të gjithë në punë dhe po bëjnë transportimi i dyshekëve dhe çadrave në stadium.

Duke folur për gazetarin Stafa, një qytetare tregoi tmerrin e përjetuar nga lëkundja e fuqishme, që tronditi vendin.

“Jam e tronditur nga tërmeti. Kam frikë të futem brenda, se gjithë ajo tronditje. Shumë tronditje. Mos e pyet si e kemi përjetuar, isha dhe me fëmijë të vogël, e kapa për dore. Thamë se u shemb pallati. Ky ka qenë një tërmet më i fortë se ai i para 30 viteve. Ishte shumë i rëndë, ka pas jashtë mase tronditje”, tha ajo.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: