NGA ORNELA MANJANI

Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame ka firmosur një udhëzim të ri për përcaktimin e procedurave të hartimit të propozimit, për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore dhe miratimin e masës dhe vlerës së kompensimit financiar.

Sipas udhëzimit mësohet se dokumentacioni për propozimin e kalimit të së drejtës së pronësisë dhe miratimit të masës dhe vlerës së kompensimit financiar, nga drejtoritë e varësisë të ALUIZNI-t, hartohet duke organizuar, si rregull, në mënyrë të ndarë:
a) parcelat ndërtimore që gjendjen juridike të pronësisë e kanë “shtet” (nuk kanë nevojë për kompensim);
b) parcelat ndërtimore që rezultojnë (tërësisht ose pjesërisht) në pasuri të të tretëve, ku lista emërore e kalimit të pronësisë shoqërohet gjithmonë me të dhënat për kompensimin e pronarëve.

Sipas udhëzimit, drejtoritë e varësisë së ALUIZNI-t përgatisin propozimin për kalimin e së drejtës së pronësisë dhe miratimin e masës dhe vlerës së kompensimit financiar, pasi të jetë miratuar leja e legalizimit.

Në rastet e parcelave ndërtimore, që shtrihen në prona të të tretëve, lista e subjekteve përfituese të kalimit të pronësisë shoqërohet gjithmonë me të dhënat për kompensimin e pronarëve joposedues. Si rregull, paraqitja dhe llogaritja e sipërfaqeve të parcelave për të cilat do të kryhet kalimi i pronësisë dhe/ose kompensimi i pronarëve joposedues, bëhet duke përputhur hartën dixhitale të ZVRPP-së dhe hartën vektoriale nëpërmjet kopjimit me koordinata.

Për rastet kur ZVRPP-ja nuk e disponon hartën kadastrale në formën e sipërpërmendur dhe është në pamundësi për ta realizuar atë, atëherë kryhet përputhja nga punonjësit e ALUIZNI-t, duke paraqitur në hartën vektoriale në mënyrë qartë dhe të dukshme pikat e referimit të përputhjes për objektin/objektet, që janë marrë si referues të dukshme pikat e referimit të përputhjes për objektin/objektet, që janë marrë si referues.

“Pjesa takuese në m² e përfituesit të lejes, e llogaritur në parcelën ndërtimore, plotësohet vetëm për rastet e përcaktuara në pikën 7 të VKM-së nr. 465, datë 22.6.2015, ‘Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale’.

Në relacionin shpjegues, që dërgohet nga drejtoritë e varësisë, sqarohen në mënyrë sintetike të dhënat e parcelave ndërtimore për të cilat propozohet miratimi i kalimit të së drejtës së pronësisë dhe kompensimit, për gjendjen juridike të pronësisë, argumentimi teknik për sipërfaqen e parcelave të propozuara, argumentimi ligjor (bazuar në dokumentacionin shoqërues) në raport me përcaktimet e ligjit “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar, dhe të VKM-së nr. 465, datë 22.6.2016, ‘Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale’”, – thuhet në udhëzim.

Ndërsa në rastin e propozimeve për ndryshime në VKM-në e miratuar përpara hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi, paraqitja e tabelave që shoqërojnë propozimin është e njëjtë me ato të përdorura në VKM-në fillestare. Edhe për parcelat ndërtimore që u është miratuar kalimi i pronësisë përpara hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi, tabelat me të dhënat e kompensimit të pronarëve janë të njëjta me ato të mëparshmet, duke shtuar seksionin për të dhënat e pasurive të legalizuara dhe seksionin e veçantë (nëse është rasti).

Shqyrtimi
Propozimet e drejtorive të varësisë shqyrtohen jo më vonë se 30 ditë nga paraqitja e tyre, prej strukturave kompetente në Drejtorinë e Përgjithshme të ALUIZNI-t, dhe përcillen pranë MZHU-së në trajtën e projektvendimit. Për propozimet e drejtorive të varësisë, që nuk janë hartuar në formën dhe përmbajtjen e përcaktuar në këtë udhëzim, kërkohet plotësimi dhe ridërgimi i materialit brenda 5 ditëve nga data e njoftimit.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: