Kreu i Shtetit, Ilir Meta ka uruar sot Gjeneralin e njohur të Luftës Antifashiste, Rrahman Parllaku, për 100-vjetorin e tij të lindjes.


Në takimin e zhvilluar me veteranë të luftës, Presidenti u shpreh se Parllaku, nuk është i veçantë vetëm për moshën 100-vjeçare, por sepse i ka jetuar të gjitha: mjerimin, varfërinë, luftën, paqen, fuqinë e pushtetit dhe persekutimin e pamëshirshëm të regjimit totalitar. Ai tha Meta është monument e pasuri kombëtare e pa eksploruar plotësisht.


Mesazhi iplotë i Presidentit Meta


Për mua si President i Republikës, është një rast fatlum dhe unik, krejt i veçantë dhe emocionues padyshim, që në selinë e Presidentit të Republikës të organizoj sot kremtimin e një jubileu të artë, të 100-vjetorit të lindjes së Heroit të gjallë Rrahman Parllaku.

Festojmë 100-vjetorin e partizanit fitimtar, të komandantit dhe gjeneralit, por edhe të mbijetuarit të një brezi sakrificash e privacionesh të jashtëzakonshme, që na vjen sot si dëshmitar me një shekull jetë, si monument i thënies lapidar: “Rrno për me tregue!”

Sot, ju Gjeneral Parllaku mbushni plot një shekull, një jetë e lavdishme në tri epoka; partizan dhe komandant legjendar antifashist; qëndrestar i burgjeve komuniste, si dhe një veteran me ‘arsye dhe zë të kthjellët’ në mbështetje të demokratizimit të vendit pas viteve 1990.

I ngjizur në urtinë e odave lumjane dhe i burrëruar në Labëri, përgjatë 100 viteve mbeteni “dëshmitar i gjallë” për të gjitha ngjarjet e një shekulli.

Rrallë gjen shembuj të personalitetit ku të jenë jetësuar në mënyrë kaq mjeshtërore vetitë e karakterit të një patrioti, të një ushtaraku të mençur, fisnik, të ndershëm dhe patriot.

Të nderuar veteranë!

Miku ynë, Rrahman Parllaku, është i veçantë jo vetëm për moshën 100-vjeçare, por sepse si shumë rrallë tjetër në udhëtimin e tij shekullor i ka jetuar të gjitha: mjerimin, varfërinë, luftën, paqen, fuqinë e pushtetit dhe persekutimin e pamëshirshëm të regjimit totalitar.

Rrugëtimin 100-vjeçar, Gjenerali Parllaku e ka përshkruar përmes fjalës e veprës së tij, duke mbetur një monument e pasuri kombëtare e pa eksploruar plotësisht.

Ne nderohemi me ty Gjeneral! Pasi, në jetën dhe veprën tuaj janë ulur këmbëkryq urtësia e burrit të malësisë, trimëria, shpirti i lirisë dhe atdhedashuria e luftëtarit antifashist dhe e komandantit partizan, si dhe angazhimi qytetar plot përkushtim.

Si uji i kristaltë i lumit të bjeshkës ka rrjedhur jeta e këtij njeriu që sfidoi kohët dhe regjimet, me përkushtimin ndaj kombit, i pathyeshëm në betejat që iu imponuan apo i zgjodhi që të bënte përgjatë 100 viteve.

Të dashur veteranë!

Dua ta përsëris, se duke festuar 100 vjetorin e Parllakut, ne nderojmë me respekt të gjithë brezin tuaj të lavdishëm, që bëri luftën antifashiste dhe shkroi një histori po aq të lavdishme për kombin.

Pas pak javësh, Europa do të festojë 9 majin, ditën e fitores mbi fashizmin dhe ne jemi krenarë për kontributin e dhënë për këtë ngjarje të madhe.

Po këtë vit ne do festojmë 75-vjetorin e çlirimit të atdheut. Prandaj të gjithë ne, e kemi detyrim të nderojmë luftën e drejtë, sakrificat sublime dhe kontributet më shumë se modeste të popullit tonë gjatë Luftës së II Botërore.

I dashur Rrahman!

Sot ju mbushni plot 100 vjeç. Jeta dhe vepra juaj flet më fort se mijëra fjalë.

Gëzuar e jetofsh shekullin e dytë të jetës, me shëndet të plotë e me sa më shumë gëzime!

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(m.a/BalkanWeb)