Kryeministri Edi Rama zgjodhi të përcjellë urimin e Vitit të Ri 2025 nga Parku Eden, një instalacion prej druri i ndërtuar brenda kryeministrisë, i cili tani ka përfunduar.

Kjo është hera e parë që publikohen pamjet e këtij instalacioni që ndodhet brenda oborrit të godinës.

Projekti është ideuar nga studio austriake “Precht” dhe ka si bazë përdorimin e drurit, ku në vend të një kopshtin tradicional në tokë, është krijuar një kopsht 3D që mundëson zhvillimin e aktiviteteve dhe eventeve publike të ndryshme.

Në video, kryeministri përshkon të gjithë Parkun Eden. Kopshti i Edenit ka tribunën e tij, një rampë ulëse që mundëson zhvillimin e konferencave zyrtare gjatë ditës dhe në mbrëmje mund të shfrytëzohet për leksione, koncerte apo fjalime. Bimët e parkut do të mbështjellin audiencën me një kuvertë natyrale, duke ofruar një sfond të bukur për ngjarjet. Nuk mungojnë kopshtet me lule dhe pemë, akuariumet me peshq dhe shkallët dhe korridoret e shumta të ndërtuara në strukturën prej druri.

Shkallët drejtkëndore dhe spirale çojnë në tarracën nga e cila mund të shikohet e gjithë Tirana në pëllëmbë të dorës.

“Ky është një park natyror dhe një mjedis pune njëkohësisht, në ambientet e kryeministrisë. Kjo hapësirë shtesë do t’u shërbejë jo vetëm punonjësve këtu, por edhe publikut të gjerë. Këtu mund të realizohen evente, konferenca, por edhe teatër,” u shpreh Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb