TIRANË- Ndihmës Administratori i USAID-it për Europën dhe Euroazinë, Thomas O. Melia, mbajti fjalën kryesore sot në ceremoninë e prezantimit të Projektit të USAID-it Drejtësi për të Gjithë. Ai nënvizoi angazhimin e plotë të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara për përmirësimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri dhe kthimin e besimit të qytetarëve tek gjyqësori.

Fjalën në ceremoni e mori edhe Kryetari i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, Xhezair Zaganjori‎. Pjesëmarrës në aktivitet ishin dhe përfaqësues të lartë të sektorit të drejtësisë, duke përfshirë Kryetarët e Gjykatave të Apelit, Gjykatave të Rretheve Gjyqësore dhe Gjykatave Administrative, të cilët do të jenë të gjithë aktorë të rëndësishëm në këtë projekt të ri.

Ky projekt i ri pesëvjeçar (2016-2021) i USAID-it në Drejtësi për të Gjithë financuar me 9 milion dollarë, do t’i vijë në ndihmë drejtuesve të gjyqësorit për të përmirësuar punën e gjykatave në Shqipëri, duke prezantuar standarde gjyqësore gjithëpërfshirëse për efektshmërinë, transparencën, aksesin dhe llogaridhënien. USAID do t’i ofrojë mbështetje edhe organizatave të shoqërisë civile, gazetarisë investigative dhe medias për të forcuar rolet e tyre si aktorë të rëndësishëm në procesin e reformës në drejtësi dhe si mbikëqyrës të zbatimit të reformave.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, Ndihmës Administratori i USAID-it z. Melia i bëri thirrje liderëve shqiptar të bëjnë hapa para me miratimin e reformës në drejtësi, duke i quajtur ndryshimet kushtetuese dhe ligjore të propozuara si “jetike jo vetëm për një sistem të drejtë gjyqësor, por dhe për një demokraci funksionale. Tani është momenti i duhur. Vonesat dëmtojnë integrimin e Shqipërisë në BE dhe zhvillimin e vendit.” Ai e quajti shumë të rëndësishme shoqërinë civile dhe median që çdo proces reformash të fitojë legjitimitet para publikut dhe qëndrueshmëri.

USAID-i ka mbi 15 vjet që ofron mbështetje për sektorin e drejtësisë në Shqipëri përmes programeve të përqendruara tek gjyqësori, fakulteti publik i drejtësisë, dhoma e avokatisë, administrata e gjykatave, media dhe organizatat e shoqërisë civile. Projekti i USAID-it Drejtësi për të Gjithë do të zbatohet nga East-West Management Institute, nënkontraktor i USAID, i përfaqësuar nga Drejtoresha e Projektit znj. Anne Trice.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb