TIRANË

Pas humbjes së jetës në mënyrë aksidentale të efektives së Forcave të Armatosura të Shqipërisë sot në Letoni, ka reaguar edhe kryedemokrati, Lulzim Basha.


Ai i shpreh ngushëllimet familjes së efektives, Zarife Hasanaj, ku shton se ajo u bë dëshmorja e dytë e Shqipërisë gjatë misioneve kolektive të Aleancës.


Gjithashtu lideri i selisë blu iu uron shërimi të shpejtë edhe dy efektivëve të plagosur, ndërsa lutet që shpirti i ushtarakes shqiptare të prehet në paqe.


“Me tronditje dhe dhimbje të thellë mësova lajmin tragjik për humbjen e jetës së efektives së Forcave tona të Armatosura Zarife Hasanaj gjatë angazhimit të saj në misionin e mbrojtjes kolektive të NATO-s në Letoni.

Në këto momente të rënda mendimet dhe lutjet e mija janë me familjarët dhe miqtë e Zarifes. Lutem po kështu për dy efektivët e tjerë, Klodian Tanushi dhe Julian Kapaj që mbetën të plagosur të jenë larg rrezikut për jetën dhe të kenë trajtim dhe shërim të shpejtë. Me sakrificën e jetës së saj të re, Zarife Hasanaj është dëshmorja e dytë shqiptare e rënë në mision të mbrojtjes kolektive të Aleancës.

Duke ju uruar shërim të shpejtë dy efektivëve të plagosur, lutem që shpirti i efektives Hasanaj të prehet në paqe!”-shkruan Basha.

(n.m/BalkanWeb)