Katër ushtarë amerikanë dhe një mjet transporti me gjurmë u zhdukën dje gjatë stërvitjeve ushtarake pranë kufirit me Bjellorusinë në Lituani. Ata sot janë gjetur të vdekur pranë kufirit me Bjellorusinë, raporton Delfi. Rrethanat dhe shkaku i vdekjes së tyre aktualisht janë nën hetim.

Çfarë ndodhi në tokën lituaneze?
Ambasada amerikane në Vilnius në një postim në mediat sociale njoftoi se trupat u zhdukën nga një zonë stërvitore pranë Pabrade, afër kufirit lindor të Lituanisë me Bjellorusinë. Ushtarët u raportuan të zhdukur rreth orës 16:45 të së martës.

“Ushtarët, të gjithë nga Brigada e Parë, Divizioni i 3-të i Këmbësorisë, po kryenin stërvitje të planifikuar taktike në momentin e incidentit”, thuhet në deklaratën e ambasadës.

Ushtarët thuhet se po kryenin një rutinë stërvitore taktike në terrenin stërvitor të General Silvestras Žukauskas në Pabradė, i cili është më pak se gjashtë milje nga kufiri me Bjellorusinë.

Gazeta lituaneze e lajmeve “Delfi” tha se ushtarët u zhdukën së bashku me një automjet të gjurmuar, term ushtarak, i cili zakonisht i referohet një tanku ose transportuesi të blinduar të personelit ushtarak.

Pak orë pas postimit të ambasadës amerikane në Vilnius, mediat ndërkombëtare raportojnë se katër ushtarët amerikanë, ende të paidentifikuar nga autoritetet, janë gjetur të vdekur shumë pranë kufirit me Bjellorusinë.

Forcat e Armatosura të Lituanisë thanë të mërkurën se kishin identifikuar një ‘lokacion të mundshëm’ të ushtarëve të zhdukur dhe automjetit të tyre.

Ushtria tha në një deklaratë se “një operacion kërkimi dhe shpëtimi është duke u zhvilluar, i udhëhequr nga Forcat e Armatosura të Lituanisë, me aftësi shtesë nga Departamenti i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi dhe institucione të tjera”.

Në raportimet e mediave vendase thuhet se ushtarët mund të kenë qenë duke udhëtuar me një mjet rikuperimi M88, një nga mjetet e blinduara më të mëdha të përdorura nga ushtria amerikane, i cili mund të ketë rënë në ujë.

Zyrtarët ende nuk kanë zbuluar asnjë detaj në lidhje me mënyrën se si u zhdukën ushtarët ose automjeti i tyre dhe as mënyrën e vdekjes së tyre të raportuar.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb