Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar gjeneralmajor Bashkim Jasharin, për emërimin si komandanti i ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Ushtrisë që i shërben popullit, i duhet ushtari me zemrën plot dashuri për atdheun, ushtari që të përbashkëtën e vetëmohimin i lartëson në detyrën që i besohet, ushtari që të ardhmen e sheh përmes idealit të dëshmorit”, kështu shkruan Kurti.
Më tej shprehet se Forca e Sigurisë së Kosovës është shtylla e fortë mbi gurthemelin e Republikës.
Statusi:
Ushtrisë që i shërben popullit, i duhet ushtari me zemrën plot dashuri për atdheun, ushtari që të përbashkëtën e vetëmohimin i lartëson në detyrën që i besohet, ushtari që të ardhmen e sheh përmes idealit të dëshmorit. Të gjitha këto vlera i zotëron gjeneralmajori Bashkim Jashari, nipi i Komandantit Legjendar, i Kryekomandantit Adem Jashari. E, nga sot ai është Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ushtria jonë është e re, por me pjekuri të thellë e histori të lavdishme. Vazhdimësia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përmes Forcës së Sigurisë së Kosovës, është shtylla jonë e fortë mbi gurthemelin e Republikës. Komandantit Jashari i dëshiroj punë të mbarë në detyrën e tij të re. Gjenerallejtnant Rrahman Ramën e falënderoi për kontributin e tij dhe po ashtu i dëshiroj suksese në angazhimin e mëtutjeshëm si përfaqësues yni në RACVIAC.
(BalkanWeb)