Ushtria amerikane i ka dhënë fund misionit për të operuar me portin e përkohshëm për ndihmat në Rripin e Gazës, pasi funksionimi i tij po pengohet nga moti dhe problemet teknike e të sigurisë.

Dërgesat nga Qipro tani do të transportohen nga anijet amerikane për në portin izraelit të Ashdod-it dhe pastaj do të bëhet transporti me kamionë për në Gazën veriore, përmes një pikëkalimi të kontrolluar nga Izraeli, ka bërë të ditur zëvendësshefi i Komandës Qendrore, raporton BBC.

Admirali Brad Cooper ka insistuar se “porti” kishte mundësuar një “rritje” në dërgesat e ndihmave, duke vënë në dukje se më shumë se 9,000 tonë ishin dorëzuar gjatë dy muajve.

Megjithatë, ai ishte funksional vetëm për rreth 20 ditë dhe ishte jashtë funksionit që nga 28 qershori, për shkak të motit të keq.

OKB-ja dhe organizata të tjera humanitare kanë thënë se totali i dorëzuar përmes portit përfaqëson një pjesë të vogël të ndihmës që kërkohet nga 2.2 milionë palestinezët në Gaza. Ata thonë se 500 kamionë me ndihma dhe furnizime tregtare, ekuivalente me 10,000 tonë, nevojiten çdo ditë.

Ata gjithashtu kanë deklaruar vazhdimisht se mënyra më efektive për të marrë ndihma në Gaza është përmes rrugëve tokësore.

Admirali Cooper u ka thënë gazetarëve se misioni i portit kishte qenë një “operacion historikisht i paprecedentë për të dërguar ndihma në një zonë luftarake aktive pa asnjë ushtar amerikan në terren”.

Cooper ka thënë se Izraeli ishte plotësisht mbështetës i vendimit të SHBA-së për t’i dhënë fund misionit të portit dhe “tranzicionin” në portin e Ashdod, i cili është vetëm 30 km nga Gaza veriore.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb