Ushtria amerikane po planifikon “zbarkimin” më të madh të trupave në Evropë në 25 vitet e fundit, me 20,000 trupa të paracaktuar për të marrë pjesë në një stërvitje masive në një kohë të marrëdhënieve gjithnjë e më të ashpra me Rusinë.

Gjenerali Christopher Cavoli, komandant i forcave tokësore amerikane në Evropë, tha se 20,000 trupa do të vendosen vitin e ardhshëm në Evropë, ku ata do të bashkohen me rreth 9,000 ushtarë të tjerë amerikanë të vendosur tashmë atje.

Rreth 37,000 trupa do të marrin pjesë në stërvitje në 10 vendet evropiane nga maji deri në qershor, u ka thënë ai gazetarëve në Pentagon.

Po sipas shkrimit të AP, forcat me bazë në SHBA do të fillojnë të lëvizin në muajin shkurt, duke lëvizur 13,000 pajisje, duke përfshirë tanke, artileri dhe automjete transporti.

Kjo do të jetë një sfidë logjistike pasi hekurudhat në vendet e mëparshme sovjetike janë me përmasa të ndryshme se vendet e Evropës Perëndimore dhe urat e tyre nuk janë ndërtuar për të mbajtur pesha, si për shembull ajo e një tanku Abrams me 70 ton.

Ushtrimi Defender-Europe 20, siç është quajtur, shënon një pikë kthese strategjike pas viteve të ndërprerjeve ushtarake amerikane në Evropën pas Luftës së Ftohtë.

Ndërsa Cavoli nuk e veçoi Rusinë si fokus, ai tha se aneksimi i saj i Krimesë në vitin 2014 ndryshoi gjithçka.

Qëllimi është të “demonstrojmë aftësinë e ushtrisë amerikane për të vendosur shpejt një forcë të madhe për të mbështetur NATO-n dhe t’i përgjigjet çdo krize”, citohet të ketë thënë tutje ai, shkruan AFP.

“Aftësia jonë si ushtri për të projektuar fuqinë është absolutisht thelbësore për çdo gjë që ne do të bëjmë”.

Ndryshe, rreth një operacioni/stërvitje të tillë ishte raportuar edhe më herët.

Sipas një shkrimi të Armytimes, ushtarët që përgatiten për stërvitjen e madhe evropiane të ushtrisë do të arrijnë në kontinent në mënyra të ndryshme, por shumica do të arrijnë me aeroplanë.

“Pjesa dërrmuese e ushtarëve që marrin pjesë në stërvitje do të udhëtojnë me mjete fluturuese”, kishte bërë të ditur zëdhënësja e ushtrisë, kolonel Robin Ochoa. “Kurse rruga detare do të përdoret për mjete dhe pajisje ushtarake”.

Po sipas Armytimes, stërvitja është planifikuar të mbahet në prill dhe maj, dhe do të zhvillohet në 10 vende të ndryshme.

Forca që shkon drejt Evropës, është bërë e ditur tutje, do të jetë ekuivalentja e një divizioni dhe pajisjet e saj do të ulen në vende të shumta, përfshirë portet detare në Antwerp, Belgjikë; Vlissingen, Holandë; Bremerhaven, Gjermani dhe Paldiski, Estoni.

“Ushtarët do të vijnë kryesisht nëpër qendrat kryesore ajrore në Evropë dhe do të shpërndahen në të gjithë kontinentin me autobus”, ka thënë Gjeneral Sean Bernabe në tetor.

Sapo në Evropë, ushtarët amerikanë do të bashkohen me vendet aleate për të zhvilluar stërvitje të simuluara dhe të drejtuara në të gjithë Gjermaninë, Poloninë dhe shtetet e Baltikut.

Kjo do të përfshijë kërcime me parashutë në Gjeorgji, Lituani dhe Letoni; një kalim i madh lumi në Poloni; dhe trajnime të kombinuara të manovrimit të armëve në Gjermaninë veriore.

Prandaj, Defender 2020 thekson Armytimes, mund të jetë një vështrim i parë interesant se si ushtria e SHBA-së planifikon të luftojë, dhe ku është e mundur të zbatojë, teknologji të reja si inteligjenca artificiale, hipersonika, mësimi i makinerive dhe robotika.

Sipas një shkrimi tjetër nga AP, stërvitja “konfirmon se angazhimi i SHBA-së për NATO-n dhe mbrojtjen e Evropës mbetet e madhe”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb