Nga: VELI HAKLAJ

Ndër 61 shtetet e përfshira në luftimet e përgjakshme të Luftës së Dytë Botërore ishte edhe Shqipëria dhe shqiptarët në viset etnike shqiptare që iu aneksuan Jugosllavisë së Versajës. Pasi Jugosllavia kapitulloi në luftën e prillit 1941, u bë edhe copëtimi i saj. Për të arritur marrëveshjen për ndarjen përfundimtare të Jugosllavisë, më 21 dhe 22 prill 1941, u zhvillua Konferenca e Vjenës me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të autoriteteve shtetërore gjermane dhe italiane, përkatësisht Joachim von Ribentrop dhe Kontit Çiano.
Sipas vendimit të Konferencës së Vjenës, tërë territori i Kosovës së sotme u nda në tri pjesë: Serbisë si zonë okupuese gjermane, Italisë dhe Bullgarisë. Për copëtimin e Kosovës përfaqësuesit e shteteve të interesuara përmenden arsyet etnike, por përparësi në marrjen e vendimeve kishte interesi ekonomik. Vija e demarkacionit u vendos më 23 prill, por gjatë kohës që vendosej kufiri në Kosovë pati dhe lëshime. Pjesa më e madhe e Kosovës mbeti nën pushtimin e italianëve. Ajo i aneksohej Shqipërisë me dekretligjin mbretëror dhe me dekret të Mëkëmbësit të Mbretit nr. 264, datë 12 gusht 1941. Po me këtë dekret Shqipërisë iu aneksua edhe Maqedonia Perëndimore me qendrat kryesore: Dibra, Struga, Kërçova, Gostivari dhe me një pjesë të Prespës, kështu që vija e demarkacionit në mes Italisë dhe Bullgarisë, në të vërtetë në mes Shqipërisë Etnike dhe Bullgarisë, mbeti e pandryshuar deri në kapitullimin e Italisë. Në këto territore secili pushtues vendosi administratën e vet. Duhet evidentuar fakti se ndërmjet italianëve dhe bullgarëve pati dhe përplasje diplomatike dhe ndonjëherë u bënë edhe grindje të ashpra, sidomos për shkak të vijës së demarkacionit në anën e Lubotenit. Pas kapitullimit të Italisë fashiste, shtator 1943, Bullgaria përfitoi dhe një pjesë nga territori i Maqedonisë Perëndimore që kishte qenë në zonën e pushtimit italian.
Siç rezulton nga dokumentet e shumta arkivore, ndaj popullsisë shqiptare që banonte në trojet e veta në zonën e okupimit bullgar u ushtruan keqtrajtime dhe mizori të periodike nga strukturat shtetërore të Bullgarisë, por dhe nga formacionet paramilitare bullgare, me objektiv shfarosjen dhe largimin e shqiptarëve nga trojet e tyre. Sigurisht që në këto kushte kemi dhe reagimin mbrojtës të shqiptarëve që pati dhe mbështetje nga strukturat shtetërore të Qeverisë së Tiranës.
Këto zhvillime do të jenë objekt i këtij dossieri që do të publikohet në vijim për lexuesin e “Gazeta shqiptare”. Për këtë janë shfrytëzuar dokumente arkivore në dosjet që ruhen në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, të vitit 1943 – 1944, ku janë administruar raporte të emigrantëve nga Manastiri, nota verbale dhe korrespondenca të Ministrisë së Jashtme me Ministrinë e Brendshme, Konsullatën Bullgare etj., mbi keqtrajtimin e popullsisë shqiptare nga autoritetet bullgare, si dhe nota të Ministrisë së Jashtme drejtuar Kryekonsullatës Gjermane mbi marrjen e masave për mbrojtjen e shqiptarëve.

II. Raportet e emigrantit shqiptar Sulejman Hysejni
Një ndër personat më aktiv në atë periudhë për evidentimin e aktivitetit antishqiptar të elementëve bullgarë, si dhe dokumentimin e masakrave bullgare ndaj shqiptarëve ishte emigranti shqiptar Sulejman Hysejni. Në vijim të dossierit po japim disa nga raportet që ai u drejtonte autoriteteve të Qeverisë Shqiptare në Tiranë.

Gjendja e Strugës në nëntor 1943
Në raportin shumë rezervat që më 22 nëntor 1943 Hafiz Sulejman Husejni i dërgon Ministrisë së Punëve të Jashtme, në Tiranë, jepet një pasqyrë e detajuar për gjendjen në qytetin e Strugës. Raporti është i përpiluar në Tiranë dhe rezulton të jetë protokolluar në Ministrinë e Punëve të Jashtme me nr. 61/II, datë 9 maj 1944.

Përmbajtja e Raportit
Si një shqiptar atdhetar, qëllimi kryesor i jetës së të cilit është e mira e vendit, kam nderin t’ju sjell në dijeni faktet e poshtëshënuara:
1) Gjendja e Strugës në pikëpamjen e politikës së jashtme.
Siç është edhe në dijeni të asaj ministrie, në Strugë ushtrojnë aktivitetin e tyre dy komitete të huaj bullgarë dhe serbë, pikësynimi i të cilëve është shkëputja e këtij qyteti nga Atdheu shqiptar dhe ribashkimi i tij, bashkë me rrethet dhe qytetet e tjera të Prefekturës së Dibrës së Madhe, të dy vendeve armiq të kombësisë shqiptare.
Komiteti serb kryesohet nga Pop Sinesije. Me këtë komitet bashkëpunojnë ngushtë edhe tre muslimanë strugarë, z. Hoxha Tahsim Imami, Hasan Salihu dhe avokat Esat Doko, dikur krahu i djathtë i Kral Aleksandrit në krahinën e Strugës.
Komiteti Bullgar kryesohet nga z.Kristo Grunjev. Me Komitetin Bullgar bashkëpunon edhe një farë nëntoger Peter Pirinz, kryetar çete, i cili, ndonëse sipërfaqësisht dhe përpara gjermanëve quhet si i dënuar me 101 vjet burgim nga Qeveria Bullgare, jam i informuar se kohë më parë është thirrur fshehurazi në Sofje nga ana e Qeverisë Bullgare, e cila edhe i ka dhënë instruksionet e rastit mbi veprimtarinë e tij dhe të çetës së tij gjoja maqedonase.
Komiteti Bullgar i Strugës mbledhjet e veta i bën në ‘Hotel Turist’, pronë e një farë Stefan Tomaloff, dhe aty, çdo muaj, u shpërndahen anëtarëve të vet 800 napolona shqiptare, që përdoren krejtësisht në dëm të interesave kombëtare. Këto të holla i dërgohen komitetit në fjalë nga ana e manastirit me anë oficerësh bullgarë të ndryshëm që vijnë e kalojnë në sajë të karvanëve ushtarake gjermane, si edhe me vijë të fshehta të ndryshme, një nga të cilat ajo e Konsullatës Bullgare, në Tiranë.
Qëllimi i Komitetit Bullgar është të shkaktojë turbullime në Strugë dhe rrethet e t’i japë shkas Qeverisë Bullgare të ndërhyjë e t’i pushtojë këto vende, gjoja për të mbrojtur minoritetin bullgar nga tmerret e të ashtuquajturës popullsi barbare shqiptare.
Sa mâ lartë vërtetohet edhe nga fakti i pamohueshëm se, 14 – 15 ditë më parë, ushtria bullgare pushtoi Shën Naumin, ku kishte gjetur strehë një tok nga Pogradeci, mbas ngjarjeve të ditura të atij qyteti. Edhe gratë e këtyre familjeve u keqpërdorën mizorisht dhe u zhveshën lakuriq nga ushtarët bullgarë, sepse donin të dinin se mos kishin fshehur florinj dhe të tjera gjëra të çmuara në vendet më të fshehta dhe më të shenjta të trupit të tyre! Gjithashtu këta ushtarë bullgarë u vodhën të gjitha sendet e çmuara si vathë, unaza etj, që ua gjetën shqiptarëve që ishin strehuar në atë manastir. Lajmet e mësipërme i kam nga 8 emigrantë shqiptarë që mundën të shpëtojnë nga thonjtë e bullgarëve të “qytetëruar” dhe kthyen në tokën arbnore.
Synimet e bullgarëve mbi Strugë, në gjithë krahinën e Dibrës vërtetohen edhe nga fakti se ata duke përfituar nga armëpushimi i Italisë hynë dhe pushtuan katundet në kufirin shqiptar Carizvor, Subonja, Bratuçin etj., në rrethet e Prespës.
Që të mund ta arrijnë këtë qëllim të tyre, bullgarët kanë organizuar çeta me ngjyrë gjoja komuniste-maqedonase. Çetat në fjalë, të armatosura nga ushtria bullgare, kanë pushtuar krejt krahinën e Debërcës, ku vrasin, presin, bëjnë një mijë të zeza terroristike mbi popullsitë shqiptare dhe bullgare, me qëllimin e vetëm t’i japin shkas Qeverisë së Sofjes, duke përfituar nga dobësia shqiptare ushtarake, të ndërhyjë në Shqipërinë e Re me qëllimin e shenjtë(!) për të mbrojtur popullsitë e shumëvuajtura e të pambrojtura bullgare (siç).
Z. Ilia Kocareff, kryetar i Bashkisë së Ohrit, pak kohë më parë mbajti një fjalim përpara përfaqësonjësve (popullsisë) të katundeve rebele të Debërcës, duke u premtuar dhe duke i siguruar se në sajë të përpjekjeve të tyre, sido që të ngjajnë punët, bullgarët robër nën barbarët shqiptarë do të shpëtohen e do të bashkohen më në fund me nënën e dashur Bullgarinë. Këtë fjalim të tij ai e mbajti mbasi e kaloi kufirin tonë, duke përfituar nga fakti se qarku i Debërcës ndodhet nën thundrën e çetave rebele bullgare.
Zotëria e tij është kreu që u dërgon edhe armë, municione dhe ushqime çetave të ashtuquajtura komuniste të Debërcës për t’i qitur këto ngatërresa Qeverisë Shqiptare për qëllimet, gjithnjë, të sipërshënuara.
Mbi fjalimin e z. Kocareff, fjalim ky që m’u dha shkurtimisht nga ana e Komitetit Serb të Strugës, dëshiroj të zgjatem edhe pak, mbasi më duket i një rëndësie shumë të madhe:
“Derisa të dëbohen shqiptarët nga vendet që kanë pushtue – dhe ky dëbim mund të bëhet duke luftuar me ta – ju nuk do të mund të gëzoni një jetë të qetë. Ne e dimë që juve që keni luftuar katërqind e ca vjet me radhë kundër turqve, tridhjetë e ca vjet kundër serbëve vetëm e vetëm që të mundeshit të bashkoheshit me Bullgarinë Nënë, prej dy-tre vjetësh po vuani nën thundrën mundimsjellëse të shqiptarit barbar. Meqenëse juve jeni vëllezër tanë gjaku dhe i përkitni kombit bullgar, që të mundeni ta shihni vendin tuaj të bashkuar në gjirin e Atdheut, duhet që të gjithë së bashku të përpiqemi ta dëbojmë nga vendi i ynë shqiptarin barbar. Duhet që këtë komb barbar ta hedhim mbrapa maleve t’egra të vendit të tij”.
Këto fjalë u ka thënë popullsive bullgare të Debërcës zoti Kocareff, fjalë këto që m’u raportuan, po e përsëris, nga ana e Komitetit Serb të Strugës, i cili ushqen një besim kundrejt meje sepse më kujton filoserb, mbasi, siç dihet, kam qenë Imam në ushtrinë jugosllave me gradën kapiten. Fjalët e zotit Kocareff u pritën me brohoritje frenetike nga dëgjonjësit, njëri prej të cilëve i bëri zotërisë së tij këtë pyetje:
– Vallë a do të fitojë luftën Boshti, zoti Ilia, që të mund të shpresojmë se ne do të mund t’ia mbërrijmë në krye të aspiratave tona të zjarrta kombëtare?
Kësaj pyetje z. Kocareff i dha këtë përgjigje:
– Edhe sikur ta fitojë ose mos ta fitojë gjermani këtë luftë, sido që të vijë puna, juve përpiquni të gjithë së bashku për ta fituar lirinë tuaj dhe për t’i shpëtuar vëllezërit tuaj, duke dëbuar qysh tashti nga ato vende shqiptarët kriminela.
Zoti Kocareff e mbaroi fjalimin e vet patriotik duke bërtitur: “I fiktë Zoti armiqtë tanë!”
Kryeplaku i katundit Meshevishta dhe ai i katundit Livovishta i bënë zotit Kocareff këtë pyetje të fundit:
– Meqenëse Bullgaria u ka shpallur luftë aleatëve Angli dhe Shteteve të Bashkuara, sikur ta fitojnë luftën këta të fundit, a do ta linin Bullgarinë që t’i fitojë frytet e mundimeve të veta?
Zoti Kocaref kësaj pyetjeje iu përgjigj duke thënë shkurtimisht se këtë punë duhet t’ua lëmë në duar politikanëve bullgarë të Sofjes, të cilët atje kanë hyrë në marrëveshje me Legatën Ruse e do t’ia mbërrijnë qëllimit në interesin e përbashkët të të dyja palëve miq.
Veprimet antishqiptare të Komitetit Bullgar të Strugës, që zbatohen nga çetat e ndryshme të fshehura nën çdo ngjyrë qoftë, por si pikësynim të përhershëm kanë bashkimin e vendeve shqiptare të Dibrës së Madhe e të Strugës me Bullgarinë, kanë arritur gjerë në atë pikë sa 12-14 ditë përpara ka ardhur në Strugë një komision gjerman prej Belgradit për ta hetuar gjendjen e atjeshme. Ky komision mori në studim dhe pati shpjegime nga Azmi Bej Ohri-Çoku ashtu siç duhej dhe siç është e vërteta.
Sikurse është në dijeni edhe të asaj ministrie, me rastin e prishjes së ushtrisë italiane, bullgarët përfituan nga rasti edhe deshën t’i pushtojnë gazermat ushtarake në katundin Livovishta. Ushtarët shqiptarë të Rojës së Kufirit u kundërshtuan me armë dhe në përpjekje e sipër me bullgarët u vranë dy roje shqiptare dhe u plagosën tre të tjerë.
Duke përfituar nga ky rast, Komiteti Bullgar i Strugës, që nuk le t’i kalojë nga dora asnjë rast për të na qitun ngatërresa mbi kokë, ndërhyri ku duhet pranë autoriteteve bullgare të përtej kufirit. Dhe atëherë komandanti bullgar i Ohrit i bëri një telefonatë komandantit ushtarak gjerman të Strugës, duke i thënë këtij të fundit se ushtarët shqiptarë kanë ardhur në katundet bullgare për t’i djegur, për t’i plaçkitur dhe për t’i masakruar popullsitë e pambrojtura. E luti, pastaj, komandantin gjerman që të kish mirësinë e të ndërhynte pranë Qeverisë Shqiptare që t’i mbrojë nga mizoritë minoritetin bullgar, duke i kërcënuar në fund se në rast të kundërt ky minoritet do të mbrohet nga vetë bajonetat e ushtrisë bullgare.
Mbas kësaj telefonate, komandanti gjerman e lajmëroi toger Haki Pepën, i cili dërgoi në vend një çetë ushtarake shqiptare për hetime, të cilat rezultuan negative për tezën bullgare.
Atëherë toger Haki Pepa e lajmëroi komandantin gjerman dhe i shtoi se këto punë bëhen nga bullgarët me qëllim që të gjejnë shkak për të pushtuar vendet që synojnë. Oficeri gjerman i është përgjigjur zotit Pepa se këto veprime bullgare i dinë më së miri edhe ata vetë.
Duhet shtuar, veç, se Komiteti Bullgar i Strugës nuk punon i vetëm dhe nuk zhvillon vetëm ai një veprimtari antishqiptare. Edhe vetë Qeveria Bullgare po punon gati sheshazi për ta rrëmihur varrin e Shqipërisë së Re.
Në një letër që kam marrë prej Komitetit Shqiptar të Manastirit kam mësuar hollësirat e poshtëshënuara mbi veprimtarinë ushtarake të Qeverisë së Sofjes në kufirin shqiptaro-bullgar:
Për t’i qitur ngatërresa Qeverisë Shqiptare e që të mundet të përfitojë nga ato, ose në kohë të volitshme t’i sulmojë tokat shqiptare të bashkuara më në fund me Mëmën Shqipëri, Qeveria Bullgare ka dërguar në Peshtan katër topa të mëdhenj, të kalibrit 21 të fabrikës Krupp. Gjithashtu, një kompani e posaçme ushtarake prej 200 vetash ka ardhur nga Manastiri për në Prespë dhe një tjetër kompani e njëllojtë po prej 200 vetash në Ohër. Këto kompani, që janë kompani mitraljerësh, janë të pajisura secila prej syresh me nga 10 mitralozë të rëndë sistem Skoda, të fabrikuar në Kragujevac të Jugosllavisë. Jam i informuar, gjithashtu, se në Ohër janë gati për çdo mundësi 4 285 ushtarë të rregullt bullgarë, të armatosur gjer në dhëmbë me një armatim modern. Gjithashtu, jam i informuar me saktësi se ushtarët bullgarë që kishin ardhur me leje nëpër shtëpitë e tyre kanë marrë urdhra-ftesë nga komandat përkatëse që të kthehen menjëherë në krye të regjimenteve ku shërbejnë.
Bullgarët, duke patur si pikësynim pushtimin e Shqipërisë së Re, kanë emëruar edhe Komisarë të Posaçëm për qytetet e Dibrës së Madhe, Strugës, Kërçovës, Gostivarit dhe Tetovës.
Këto informata që m’i transmetoi Komiteti Shqiptar i Manastirit i ka marrë nga zotërinjtë Dr. Popov, i biri i priftit të Lubonjës, kryetar i një Komiteti Maqedonas të fshehtë të Manastirit (Ilindensky) për krahinën e Lubonjës, dhe nga Dr. Vlladimir Tixharevsky, nënkryetar i po të njëjtit Komitet.

2. Gjendja e Strugës nga pikëpamja e politikës së brendshme.
Duke patur parasysh sa më lartë, duhej që njerëzit që përfaqësojnë Qeverinë Shqiptare dhe interesat e kombit shqiptar në qytetin e Strugës, dua të them nëpunësit shtetërorë, të ishin krejtësisht në lartësinë e detyrës edhe të misionit të tyre. Për fat të keq, e vërteta është se, përveç kryetarit të Bashkisë së qytetit të Strugës z. Faik Dardha, asnjëri nga nëpunësit e tjerë të shtetit nuk është as atdhetar që i dhimbset vendi, as edhe nëpunës i aftë dhe besnik.
Nënprefekti i Strugës, z. Jak Ndou, nuk është tjetër veçse një kumarxhi që deri në mes të natës luan xhol ose poker; përveç kësaj është sabotator dhe bashkëpunëtor i drejtpërdrejtë ose i tërthortë si me Komitetin Serb, ashtu edhe, dhe ca më tepër akoma, me Komitetin Bullgar të Strugës.
Edhe bashkëpunëtorët imediatë të nënprefektit ndjekin po të njëjtën politikë të tij. Zoti Pande Caqi, sekretar i Prefekturës, është në marrëdhënie me Komitetin Bullgar dhe me rrethet komuniste shqiptaro-sllave. Zoti Pande Caqi ka edhe të bijën në shërbim të Nënprefekturës së Strugës si daktilografiste, kështu që, më përpara se t’i mësojë Zyra Politike e Ministrisë së Punëve të Brendshme ndodhitë që raportohen nga Nënprefektura, i marrin vesh Komiteti Bullgar dhe Partia Komuniste. Veprimtaria e këtyre tre personave, d.m.th. e nënprefektit, sekretarit dhe daktilografistes, shkakton që asnjë shqiptar të mos ketë guxim të hyjë në marrëveshje me Nënprefekturën ose t’ia raportojë situatën e vendit, mbasi është i sigurtë se një hap i tij i këtillë u shkon menjëherë në vesh Komitetit Bullgar dhe Partisë Komuniste.
Edhe një fakt tjetër dëshiroj të sjell në dijeni të asaj ministrie, që vë në pah qartësisht neglizhencën ose vetëdashjen e nënprefektit Jak Ndout në mbrojtje të interesave tona kombëtare dhe në të kryerit e detyrës së tij:
Para ca kohe, një vajzë bullgare, e quajtur Ilinka Anastasi, është vrarë prej një bullgari të quajtur Dimko Nikolla. Ky i fundit ishte burgosur për krimin e tij dhe çështja i ishte raportuar hollësisht nënprefektit nga ana e kryetarit të Komunës së Drasllavicës, z. Vedat Ohri, në rajonin e të cilit pat ngjarë krimi në fjalë.
Kur erdhi në Strugë komisioni gjerman nga Belgradi, për të cilin fola këtu më lart, bullgarët iu ankuan se vajza ishte vrarë barbarisht prej shqiptarëve. Zoti nënprefekt e pranoi këtë si një fakt të vërtetë e më vonë, kur Paria e vendit ia njoftoi çështjen se si qëndronte, se vrasësi ishte bullgari Dimko Nikolla që ndodhej në burg dhe se mbi çështjen ai kishte bërë një raport të hollësishëm, z. nënprefekt u përgjigj se nuk e kishte kënduar atë raport dhe se s’kishte dijeni të saktë mbi këtë çështje.
Sa më lartë mund të flitet me sigurinë më të madhe edhe për Komisarin e Policisë së Bashkisë së Strugës, z. Nikolla Panajoti, i cili jo vetëm që është ngushtësisht në kontakt me Komitetin Bullgar dhe me Partinë Komuniste, por bën thuajse propagandë të hapur antikombëtare në mes të popullsisë shqiptare të vendit.
Por edhe një fakt tjetër e tregon neglizhencën dhe mosçarjen kokë të nënprefektit të Strugës që t’i mbrojë interesat e Atdheut tonë, dhe është ky: Mbas prishjes së ushtrisë italiane, ndonjë muaj e gjysmë më parë, pat ardhur në Ohër për vizitë ministri i Brendshëm i Bullgarisë. Mbasi ndenji sa ndenji në atë qytet, zotëria e tij e kaloi kufirin shqiptar në mes të një kolone ushtarake gjermane, hyri në Strugë bashkë me suitën dhe automobilin e vet, bisedoi për gati një orë brenda në hotel me krerët e Komitetit Bullgar, u dha instruksione dhe, pa çarë kokën për prezencën e tij askush prej autoriteteve politike shqiptare të vendit, si ndonjë vjedhës u largua i paprekur nga toka shqiptare. Unë nuk besoj as që zoti nënprefekt t’ua ketë raportuar këtë çështje superiorëve të tij, jo vetëm, por as që u duk atë ditë, sidokudo, pranë vendit ku ministri i Brendshëm bullgar po kurdiste komplote kundër Atdheut tonë.
Në titull kronike po ju shënoj edhe emrat e kryetarit dhe të anëtarëve të Komitetit Drejtues Bullgar të Strugës: Kristo Grujev, kryetar, dhe Stefan Tomanof, Arsen Nestor, Kërste Moiseff, Viktor Nestor, Boris Dandillof, anëtarë.
Duke qenë punët kështu, është më tepër se e nevojshme, është e domosdoshme që nëpunësit e lartshënuar të ndërrohen e të transferohen menjëherë nga Struga, jo vetëm, por edhe të zëvendësohen me nëpunës patriotë, të ndershëm, të zellshëm dhe të gatshëm për sakrifica për mbrojtjen e interesave tona kombëtare në atë qytet, ashtu si janë z. Azmi dhe Remzi Çoku-Ohri dhe kryetari i Bashkisë z. Faik Dardha.
Tiranë, më 22 nëntor 1943
Me nderime të shquara, Hafëz Sulejman Hysejni

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: