Ushtria e Malit të Zi është pajisur javën që lamë pas me dronët e parë ushtarakë. Fluturaket e telekomanduara janë blerë nga Sllovenia, e cila, në kuadër të bashkëpunimit në mbrojtje ndërmjet dy vendeve, i ka dhuruar Malit të Zi sistemin e mbrojtjes ajrore BANS.

Dronët mund të fluturojnë me shpejtësi prej 18 metrash në sekondë, dhe të arrijnë shpejtësi maksimale prej 24 metrash në sekondë. Ata janë të aftë të fluturojnë për dy orë e gjysmë, deri në 40 kilometra. Dronët mund të ngrihen në lartësi prej 4.000 metrash, dhe janë të pajisur me parashuta sigurie.

Këta dronë përdoren për vëzhgime dhe grumbullim të dhënash, ndërsa performanca e tyre do t’i mundësojë ushtrisë së Malit të Zi të monitorojë zona që ndodhen deri në 40 kilometra larg operatorëve të tyre, që mund t’i nxjerrin të dhënat në kohë reale.

Dronët u blenë nga Sllovenia, Ministria e Mbrojtjes e së cilës në të njëjtën kohë i dhuroi Malit të Zi sistemin e mbrojtjes kundërajrore BANS.

Blerja e dronëve u realizua përmes programit të përbashkët të prokurimit të dy vendeve, ndërsa dorëzimi u bë më 2 korrik nga ministrat e Mbrojtjes të Malit të Zi dhe të Sllovenisë, Dragan Krapoviq dhe Marjan Sharec, në aeroportin ushtarak “Princi Danillo”, në Podgoricë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: