Ushtria libaneze ka njoftuar të mërkurën se një person i armatosur është munduar ta sulmojë Ambasadën e Shteteve të Bashkuara (SHBA) në Bejrut. Ushtria e Libanit tha në një deklaratë se e qëlloi sulmuesin, të cilin ajo e përshkroi vetëm si shtetas sirian. Sulmuesi u dërgua në spital i plagosur, njoftoi Associated Press (AP). Mediat lokale raportuan se të shtënat rreth misionit diplomatik amerikan në veri të Bejrutit zgjatën për gati gjysmë ore.

Ambasada amerikane tha se sulmi i mëngjesit në hyrje të objektit nuk shkaktoi viktima në stafin e saj. Motivet e sulmit nuk u bënë të ditura. Megjithatë, mediat libaneze kanë publikuar fotografi që duket se tregojnë një sulmues të gjakosur, të veshur me një jelek të zi, me fjalët “Shteti Islamik” të shkruara në arabisht dhe inicialet në anglisht “I” dhe “S”. Një zyrtar libanez i sigurisë, në kushte anonimiteti, tha për Associated Press se gjithsej janë katër sulmues – një që i çoi të armatosurit në vend dhe tre që sulmuan me armë zjarri.

Një sulmues u vra, një u arratis dhe i treti u plagos dhe u arrestua nga ushtria libaneze. Ushtria tha se kishte dislokuar trupa rreth Ambasadës amerikane dhe zonave përreth. Në vitin 1983, një sulm vdekjeprurës me bombë në Ambasadën e SHBA-së në Bejrut vrau 63 persona. Për sulmin, zyrtarët amerikanë fajësojnë grupin militant libanez Hezbollah. Pas atij sulmi, ambasada u zhvendos nga qendra e Bejrutit në veri të kryeqytetit. Një tjetër sulm me bombë goditi vendndodhjen e re më 20 shtator 1984.

Në shtatorin e vitit 2023, forcat libaneze të sigurisë arrestuan një libanez që hapi zjarr në Ambasadën e SHBA-së. Në atë sulm nuk pati viktima. Në tetor të vitit 2023, qindra protestues u përleshën me forcat libaneze të sigurisë në demonstrata pranë Ambasadës së SHBA-së, në mbështetje të popullit në Gazë dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – në luftën e tij me Izraelin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: