TIRANE-Komisioni i Ligjeve miratoi dje projektligjin për disiplinën në Forcat e Armatosura të Shqipërisë, në të cilin ashpërsohen masat për ushtarakët, të cilëve u ndalohen me ligj ngacmimet seksuale. Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, deklaroi se nisma për ashpërsimin e masave disiplinore synon të sjellë rregullimet e vërejtura vitet e fundit, duke përmendur ngacmimet seksuale në Ushtri. “Të gjitha janë këto fenomene të vërejtura gjatë këtyre viteve, si dhe shkelje të tjera disiplinore, siç mund të jenë ngacmimet seksuale apo shkelje të tjera të shkaktuara dhe të sanksionuara në ligjin e disiplinës edhe në shumë vende anëtare të NATO-s”, tha Kodheli.

Ministrja theksoi dje se me ndryshimet në ligj synohet të mbrohet dinjiteti i ushtarakëve dhe figura e tyre, duke i ndaluar pijet alkoolike gjatë orarit të punës apo mbajtjen e armës pa autorizim. “Shkelje të disiplinës që synojnë të ruajnë figurën dhe dinjitetin e ushtarakut si përdorimi i pijeve alkoolike, gjatë orarit të punës, apo përdorimi dhe shfrytëzimi i korrespondencës zyrtare për qëllime private. Shkelje disiplinore që lidhen me mbajtjen dhe përdorimin e armëve të paautorizuara, apo mosraportimi i armës”, u shpreh ministrja. Më tej, ajo saktësoi dhe autoritetet, të cilave u jepet e drejta për të dhënë masa disiplinore, duke filluar nga Presidenti, Kryeministri, shefi i shtabit etj. Po ashtu, sipas ministres, për ushtarakët përcaktohen rregulla të qarta për administrimin e informacioneve të klasifikuara apo ndalimi i dhënies së informacioneve medias.

“Shkelje disiplinore që lidhen me administrimin e informacionit dhe dokumentacionit me karakter ushtarak, të drejtpërdrejtë apo të tërthortë që kanë lidhje me aktivitetet dhe veprimtarinë e forcave të armatosura siç është publikimi dhe dhënia në media e informacioneve që kanë të bëjnë me veprimtarinë e Forcave të Armatosura me dokumentacion të klasifikuar, fshehja apo asgjësimi i informacionit zyrtar në formë shkresore apo elektronike”, u shpreh ministrja Kodheli. Nga ana tjetër, deputeti i PS-së Bashkim Fino theksoi se risitë në ligj janë për t’u vlerësuar, por nenet e tij janë shumë të gjata dhe se specifikimet duhen bërë me vendim qeverie ose me urdhër të ministrit.

“Jemi dakord me risitë e dhënies së masave disiplinore nga Presidenti, Kryeministri apo ministri i Mbrojtjes. Këto të evitohen si nene dhe të bëhet një ligj më i thjeshtë jo me 27 nene, por me pjesën e detajuar të ketë VKM dhe me urdhra të ministrit. Kam vënë shumë pikëpyetje te neni 10, më duket jashtëzakonisht i gjatë. Të merren deputetët me 51 shkelje disiplinore më duket e tepërt. S’na takon neve si deputetë të detajojmë nenet apo rastet, i takon shefit të shtabit apo ty si ministre”, tha Fino. Kjo vërejtje u mor parasysh nga ministrja e Mbrojtjes.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb