Kur Komisioni i ri Europian të fillojë punë në tetor, ai do të përballet me çështje që kërcënojnë vetë frymën e Bashkimit Europian: Brexit, migrimi, sundimi i ligjit.

Është pothuajse e sigurtë të thuash se shqetësimet mbi aspirantët për anëtarësim në BE nga Ballkani nuk do të jenë në krye të axhendës së Komisionit, sipas diplomatëve të BE-së.

Por në një Europë gjithnjë e më të ndarë, zyrtarët nga Katërshja e Vishegradit (V4) në Europën Qendrore – Republika e Çekisë, Hungaria, Polonia dhe Slovakia – thonë se ata do të mbështesin në mënyrë energjike kauzën e zgjerimit të BE-së në komisionin e ri.

Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia janë që të gjitha vende kandidate për anëtarësim në BE ndërsa Komisioni Europian e sheh Bosnjën dhe Hercegocinën dhe Kosovën si vende me potencial për kandidatë.

“Polonia është një advokuese për zgjerim si një nga politikat më të suksesshme të BE-së,” thotë për BIRN Magdalena Czubala, kreu i divizionit për Europën Jugore dhe Zgjerimin e BE-së në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Polonisë.

“Ne do të plotësojmë projektin Europian vetëm pasi Ballkani Perëndimor të jetë anëtarësuar.”

Ndërsa zyrtarët i mbështesin ndjenja të tilla në Bratislavë, Budapest dhe Pragë, analistët thonë se përshëndetjet nuk do të jenë gjithmonë të mjaftueshme për të kapërcyer stokun në pakësim të vullnetit të mirë për zgjerim (shiko kutinë).

“Ne, edhe me Katërshen e Vishegradit, nuk kemi fuqi të mjaftueshme lobuese për ta shtyrë çështjen përpara,” thotë Istvan Szent-Ivanyi, ish Sekretar Shteti në Ministrinë e Jashtme të Hungarisë dhe ish-ambasador i Hungarisë në Sloveni.

“Në Europën Perëndimore nuk ka interes real ekonomik për zgjerim të mëtejshëm dhe paralelisht me të, e ashtuquajtura lodhje nga zgjerimi po zhvillohet në Ballkan.”

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, përcaktoi frymën në qershor ndërsa vendet u përplasën mbi atë se kush do të marrë postet më të larta në BE pas zgjedhjeve për Parlamentin Europian.

“Unë do të refuzoj çdo lloj zgjerimi para një reforme të thellë të funksionimit tonë institucional,” tha ai.

Ndërkohë, mbetet një pyetje e hapur nëse shtetet V4 të akuzuara për hapa pas në demokraci do të jenë apo jo advokues efikasë për interesat e Ballkanit në Komision.

Vitin e kaluar, Parlamenti Europian votoi të ndërmarrë një veprim të paprecedent disiplinor kundër Hungarisë për dyshimet se ka shkelur vlerat themelore të BE-së. Komisioni Europian, ndërkohë, po ndjek procedurë ligjore kundër Polonisë për shkelje të rregullave të demokracisë.

Aleatë versus vasalë

Republika e Çekisë, e cila tashmë mban presidencën e V4 që është me rotacion, e ka bërë promovimin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor një nga prioritetet e kryesisë së vet.

Dhe të gjitha vendet V4 kanë lobuar që Komisioni të përcaktojë datat për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ata duan që datat të shpallen në tetor.

Analistët thonë se shumë nga kjo mbështetje ushqehet nga interesat vetjakë të këtyre vendeve.

Në sytë e V4, anëtarësimi në BE mund të fuqizojë vendet e Ballkanit për të vepruar si barriera më të mira kundër migrantëve nga Afrika dhe Azia, të cilët përpiqen të mbërrijnë në BE.

Ajo mundet gjithashtu të kundërshtojnë rritjen e ndikimit të Rusisë, Kinës dhe Turqisë, ndikime që disa kanë frikë se do të sjellin acarim të tensioneve sociale, politike dhe etnike në Ballkan.

Kjo mund të ndihmojë edhe për të penguar rrjetet e krimit të organizuar që Ballkani ka eksportuar që prej vitesh në pjesën tjetër të Europës.

Hungaria së fundmi ka qenë një nga kombet më të zëshme të V4 sa i përket çështjes së zgjerimit të BE-së. Ky është vendi i vetëm i V4 që ka kufi me Ballkanin dhe ndan një histori të përbashkët me vendet që dikur ishin pjesë e perandorisë Austro-Hungareze.

Shumë zyrtarë të BE-së i thanë BIRN se Hungaria ka një shans të mirë të marrë portofolin për Politikën e Fqinjësisë Europiane dhe Zgjerimit në Komisionin e ardhshëm – megjithëse të tjerë thanë se ka më shumë gjasa që ky portofol do t’i mbetet politikanit austriak Johannes Hahn.

Edhe nëse kandidati i Hungarisë – ish-Ministri i Drejtësisë Laszlo Trocsanyi — merr miratimin, nuk është e sigurtë nëse ai do të arrijë të marrë miratimin në Parlamentin Europian.

Disa burime nga BE thanë se vende të tilla si Gjermania dëshirojnë t’i hedhin një kockë Hungarisë ndërsa në të njëjtën kohë e ndëshkojnë atë duke i dhënë një portofol që shumë pak vende të tjera europiane e dëshirojnë.

Deklarata të kohëve të fundit nga Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, nuk lënë pyetje të hapura mbi atë se çfarë pozicioni ka Budapesti mbi zgjerimin.

“Është një hipokrizi ajo që në nivelin e fjalëve të gjithë janë të angazhuar fort, por kur vjen puna te marrja e një vendimi, ata nuk guxojnë të veprojnë,” tha ai në Bruksel në qershor ndërsa u hap kapitulli i fundit i negociatave të Serbisë për anëtarësim në BE.

“Zgjerimi mund të jetë përgjigjja më e mirë ndaj tensioneve që padyshim ekzistojnë në rajon. Ne në këtë lagje e dimë saktësisht se sa e rëndësishme është paqja dhe qetësia në rajon.”

Ai shtoi se vetëm një strategji e besueshme zgjerimi mund të pengojë migrimin përmes Ballkanit Perëndimor.

Hungaria e ka mbështetur retorikën e vet me një angazhim më të madh në rajon.

Që nga viti 2016, qeveria ka subvencionuar Wizz Air, kompaninë e dytë më të madhe ajrore me kosto të ulët në Europë, duke lidhur shumë kryeqytete të Ballkanit me Budapestin. Në mars, ajo krijoi një fond prej 30 milionë eurosh për të mbështetur investimet e Hungarisë në rajon.

Ndërkohë, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka krijuar lidhje të ngushta me udhëheqësit e Ballkanit, përfshirë presidentin e Serbisë Aleksandar Vucic, të cilin kritikët e akuzojnë se po bëhet gjithnjë e më shumë autokratik, dhe ish-kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski.

Hungaria u përball me kritika ndërkombëtare nëntorin e kaluar kur Gruevski u arratis për në Budapest për të shmangur një dënim dyvjeçar me burg në shtëpi për akuzat për korrupsion.

Mbështetja financiare dhe politike e Hungarisë për minorancat hungareze që jetojnë në vendet fqinje ka shkaktuar gjithashtu debate.

“Problemi është se qeveria e Hungarisë nuk po sheh me të vërtetë për aleatë, por për vasalë,” thotë Szent-Ivanyi, ish-zyrtari dhe diplomati hungarez.

“Ka përpjekje për të ndërhyrë në çështje të politikës së brendshme vendore, gjë që unë e gjej me shumë rrezik dhe me pikëpyetje. Një qëndrim politikisht neutral mund të jetë më mirë në interesat tona afatgjata në biznes.”

H 55157987 640x427 600x400
H 55157987 640×427 600×400

Fjalë dhe vepra

Ekspertët thonë se kombet e tjera të V4 mbështesin anëtarësimin e Ballkanit për arsye që variojnë nga ndjenja e solidaritetit me Sllavët e tjerë që kanë një të shkuar të përbashkët komuniste, te shpresat për më shumë tregti apo frikë nga batakçillëqet ruse në rajon.

Në Republikën Çeke dhe në Poloni, marrëdhëniet me Ballkanin mund të duken paksa abstrakte. Shumica e lidhjeve me rajonin menaxhohen në nivelin e V4 dhe jo përmes marrëdhënieve dypalëshe.

“V4 ofron një model të veçantë për bashkëpunimin në rajon dhe V4 vijon të promovojë këtë eksperiencë në Ballkanin Perëndimor,” thotë Tomas Dopita, një kërkues i lartë në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, një organizatë me bazë në Pragë.

Dopita tha “rezultati më i kapërdishëm” i këtij bashkëpunimi ka qenë Fondi i Grupit të Vishegradit për Ballkanin Perëndimor, i cili mbështet bashkëpunimin rajonal.

Marrëdhëniet e Polonisë me Ballkanin u vunë në qendër të vëmendjes në korrik, kur në qytetin Poznan në Poloni u organizua Samiti më i fundit i Ballkanit Perëndimor. Ky u organizua si pjesë e të ashtuquajturit Proces i Berlinit, nisur më 2014 për të mbështetur anëtarësimin e Ballkanit në BE.

“Pa integrimin e plotë të Ballkanit, me traditat e tyre të mrekullueshme dhe miksin kulturor, Europa nuk do të fillojë të marrë frymë tërësisht lirisht,” deklaroi presidenti i Polonisë Andrzej Duda gjatë samitit.

Czubala, nga ministria e jashtme e Polonisë, i tha BIRN se Polonia është një zë i fortë për rëndësinë strategjike të rajonit në forumet e BE-së.

“Ne duhet të mbështesim zhvillimet e rajonit dhe ta mbajmë atë në familjen tonë, dhe të mos lejojmë fuqi të jashtme të kërcënojnë stabilitetin dhe paqen,” tha ajo, duke shtuar se Varshava “do të luftojë” për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Pavarësisht konsensusit të përgjithshëm mes të gjithë klasës politike polake si dhe opinionit publik se Ballkani Perëndimor i përket BE-së, analistët vërejnë se interesat e Polonisë në rajon janë kryesisht të kufizuara te turizmi. Investimet e këtij vendi në Ballkan janë të vogla.

“Përfshirja e Polonisë në Ballkan ka qenë gjithmonë taktike, jo strategjike: ne ishim aty për të treguar se Perëndimi dhe ne jemi partnerë të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm, të gatshëm për të bërë pjesën që na takon në BE dhe në aleancën e NATO-s,” tha Spasimir Domaradzki, një ekspert i shkencave politike në Universitetin Lazarki në Varshavë.

“Angazhimi i Polonisë në Ballkan është për atë që Polonia ka nevojë, jo për atë që Ballkani ka nevojë.”

Slovakia mban lidhje të ngushta dypalëshe me vendet e Ballkanit dhe ushqen lidhje biznesi veçanërisht me Serbinë për shkak se shumë punëtorë serbë janë të punësuar në fabrikat slovake të automjeteve.

Ekspertët thonë se mbështetja slovake për anëtarësimin e Ballkanit vjen nga njohja e efektit potencialisht stabilizues që ka anëtarësimi në BE në një kohë kur populizmi dhe ekstremizmi në nëpër të gjithë Europën është në rritje.

Si një nga pesë vendet e BE-së që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, Slovakia është gjithashtu e etur të shohë marrëdhënie më të mira mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Ne nuk duam që Kosova të bëhet një ‘vrimë e zezë’ në hartën e Ballkanit Perëndimor,” thotë Miroslav Lajcak, ministër i jashtëm i Slovakisë dhe ish Përfaqësues i Lartë për Bosnjën.

Por jo të gjithë në Slovaki – e më gjerësisht në të gjitha vendet V4 – janë të bindur se kufijtë e BE-së duhet të zgjerohen.

“Kur vendet anëtarësohen, ato kanë nevojë për ndihmë dhe ne të gjithë do të paguajmë për të,” thotë Petra Pavlickova, një 35-vjeçare menaxhere operacionesh në Bratislavë. “Por ishte e njëjta gjë kur ne hymë në BE, kështu që nuk e di nëse unë duhet të votoj pro apo kundër.”

Lukas Dobransky, një administrator IT 31 vjeçar nga Slovakia lindore që jeton në Republikën Çeke, ka më pak dyshime.

“Unë nuk mendoj se ne duhet të pranojmë më shumë vende nga Ballkani,” tha ai.

“Jo deri sa ato të kenë zgjidhur marrëdhëniet e tyre të brendshme, gjë që ndoshta nuk do të ndodhë kurrë.”/BIRN

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb