ELBASAN – Prokuroria e Elbasanit dje ka vënë nën hetim tre mjekë pediatër të Qendrës Spitalore në Elbasan, pasi akuzohen për mjekim të pakujdesshëm dhe me pasojë vdekjen e një vajze 1-vjeçare. Sipas burimeve nga organi hetimor, mjekët që janë vënë nën akuzë janë: E.L, 57 vjeç; F.B, 51 vjeç dhe D.B, 56 vjeçe, banues në këtë qytet.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së hënës. Sipas bluve, foshnja me inicialet A.T. ishte shtruar në spital me vështirësi në frymëmarrje, ku u dyshua nga mjekët se ajo mund të ishte me diagnozën bronkiolit. Por, vetëm 12 orë pas vdekjes së vajzës, ekspertiza mjeko-ligjore doli në përfundimin se vdekja e saj nuk është shkaktuar nga pakujdesia, por nga gëlltitja e një trupi të huaj nga ana e së miturës, i cili i ka shkaktuar edhe bllokim të frymëmarrjes.

Bëhet fjalë për një gjysmë thelbi arre, që i ka bllokuar valvulat e frymëmarrjes së miturës dhe që fatkeqësisht nuk u zbulua dot nga mjekët, edhe pse këta të fundit i kishin pyetur prindërit. E ndërsa, prindërit e foshnjës kanë thënë se ajo nuk ka gëlltitur ndonjë trup të huaj, mjekët kanë nisur kurën intensive me medikamente si edhe me oksigjen.

Babai i vajzës, e cila ndërroi jetë në reanimacionin e spitalit pediatrik, i shokuar nga ngjarja ka denoncuar bluzat e bardha. Engjëll Toçi ka akuzuar mjekët se ata nuk kanë kryer mjekimin e duhur ndaj vajzës së tij të vetme, madje kanë neglizhuar gjendjen e saj të rëndë shëndetësore. Toçi dje pohoi për “GSH” se e bija pati probleme shëndetësore që më 20 mars. “Të dielën festuam ditëlindjen e vajzës, pasi mbushi 1 vjeç. Pas festës, në mbrëmje ajo nisi të merrte frymë me vështirësi dhe ne menjëherë e dërguam në spital. Mjekja e turnit e vizitoi vajzën dhe pasi bëri recetën me medikamente, i bëmë edhe dy injeksione në spital dhe më pas u larguam për në shtëpi.

Mjekja më tha që pasi të mbaronte kurën, të shkonim sërish në spital. Të hënën në orën 5 të mëngjesit, vajza u bë më keq. Ajo nisi të nxihej dhe merrte frymë me vështirësi. U thashë mjekëve që të më jepnin një rekomandim për ta dërguar në Tiranë, por ata më thanë se nuk është nevoja, pasi vajza nuk ishte në rrezik. Pasi ime bijë ndërroi jetë, mjekët rrinin kokë ulur dhe nuk na dhanë asnjë shpjegim për këtë fatkeqësi të madhe që na ka ndodhur. Ata e lanë t’i dilte shpirti vajzës pak e nga pak, ndaj edhe kam bërë denoncim në polici dhe kërkoj që të zbardhet e vërteta e kësaj fatkeqësie”, tha Engjëll Toçi.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: