Një vrasje ka ndodhur në Mirditë, ku një 68-vjeçar raportohet se është qëlluar me armë zjarri në shtëpinë e tij. Viktima u gjet i pajetë në banesë nga vajza, e cila më pas njoftoi policinë.

Gazetari Igli Çelmeta raporton për Balkanweb se nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes dyshohet se 68-vjeçari është qëlluar me armë zjarri, nga dritarja e dhomës ku flinte, dhe si pasojë ka humbur jetën.

Policia ka nisur hetimet dhe ka marrë në pyetje disa banorë të zonës.

Njoftimi zyrtar nga Policia

Më datë 20.08.2024, shtetasja L. R. ka njoftuar Policinë se ka gjetur të pajetë babanë e saj, shtetasin F. R., 68 vjeç, në banesën e familjes në fshatin Lajthizë, njësia administrative Orosh, ku 68-vjeçari kalonte muajt e verës. Prej 2 ditësh ai kishte humbur kontaktet me familjarët.

Menjëherë drejt vendit të ngjarjes janë nisur shërbimet e Policisë vendore dhe grupi i posaçëm hetimor.

Nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes dyshohet se 68-vjeçari është qëlluar me armë zjarri, nga dritarja e dhomës ku flinte, dhe si pasojë ka humbur jetën.

Deri në këto momente janë shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme, disa shtetas, banorë të këtij fshati.

Në drejtimin e Prokurorisë, po kryhen hetime intensive për të identifikuar dhe kapur autorin/ët e rastit si dhe për të zbardhur rrethanat

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb