Nga William Giraldi

“Kafkaeske” është klisheja e vendosur për literaturën e despotizmit burokratik ose për çdo natë të errët të shpirtit njerëzor, por për romanin e Ismail Kadaresë “Vajza në mërgim: Rekuiem për Linda B,” nuk është e tillë, shkruhet në një artikull të prestigjiozes amerikane ‘The Washington Post’.

Kjo kryevepër nga romancieri më i njohur shqiptar është e vendosur në mes të tmerrit aktual: Diktatura Staliniste e Shqipërisë, e cila shkatërroi qytetarinë nga viti 1945 deri në vitin 1991. Ëndrra e humnerës së Kadaresë është një portret i çmendurisë: çmendurisë së shtetit Stalinist dhe çmendurisë së burrave dhe grave në kthetrat e makinacioneve të shtetit. Në renditjen e tij të ferrit totalitar dhe një konformiteti të tmerruar, Kadareja nuk është pasardhësi i Kafkës por i Victor Serge dhe Eugène Ionesco, dy dëshmitarë, influencat sfiduese dhe absurde të të cilëve shpërthejnë gjatë gjithë librit.

Subjekti shpaloset mjaftueshëm thjesht. Në fund të shekullit të kaluar, dramaturgu Rudian Stefa thërritet nga Komiteti i Partisë. Një grua e re të cilën ai nuk e njeh, Linda B., ka vrarë veten dhe është gjetur e vdekur, me një kopje të librit më të ri të Rudianit me autografin e tij në dorën e saj. Për shkak se Linda dhe familja e saj ishin pjestarë të ish borgjezisë, vdekja e saj duhet të hetohet. Karakteristika të Byrosë politike janë paranoja e tërbuar dhe dyshimi i fortë për komplot; madje konsideron edhe vetë-shkatërrimin e një vajze një kërcënim për Liderin.

E dashura e Rudianit, Migena, e njihte Lindën shumë mirë dhe kështu Rudiani lodhet për të kuptuar sesi dhe pse ai dhe vepra e tij mund të kenë kontribuar në vdekjen e saj.
Përsëri dhe përsëri, në kontekste të shumëfishta, personazhet e Kadaresë shqiptojnë fjalët “pa asnjë arsye”, sikur të nënvizojnë absurditetet e liga të jetësës nën mbikqyrjen e pandërprerë dhe frikën e pandërprerë të ndëshkimit për krime që ata nuk janë në dijeni se i kanë kryer. Të denoncohesh nga një bashkëqytetar – pa prova të keqbërjes dhe pa ditur akuzat – është të arrish fundin pothuajse menjëherë. “Kurthe, tradhti kudo”, thotë narratori. Një një shtet të tillë, edhe duke pirë kafe në një lokal mund të interpretohet si kryengritje nga komisarët spiunë, dhe Kadareja na jep një skenë drithëruese në kafene mes Rudianit dhe një hetuesi, një skenë në të cilën çdo filxhan kafeje mund të jetë i fundit për Rudianin. Në një pikë hetuesi thotë, “Sinqerisht unë nuk të kuptoj”, dhe Rudiani pëgjigjet, “As unë nuk të kuptoj ty.”

Fjalët nuk kanë më kuptim; Stalinizmit në fillim iu desh të torturonte gjuhën para se të torturonte njerëzit. Kur krerët e shtetit e bëjnë gjuhën të pakuptimtë, ata mund të bëjnë moralin të pakuptimtë, dhe pastaj çdo gjë tjetër. Diktatura Staliniste shtrembëron mungesën postmoderne të kuptimit në një burokraci të stuhishme, duke shpërndarë enigma kudo. Në fakt, emri i Migenës është një anagram për “enigma”. Personazhet e Kadaresë mund të jenë edhe në shtëpi brenda botës purgatorike “Në pritje të Godotit”. Rudiani jeton në një atmosferë mbytëse konfuzioni. Duke u përpjekur të kuptojë fatin e Lindës, ai dhe Migena nuk e kuptojnë njëri tjetrin dhe shtyhen drejt një logjike të pakapshme. Rudiani mendon, “Çdo gjë ishte kaq e paqartë,” dhe si mund të jetë ndryshe? “Ishte gjithçka shumë e ndërlikuar” është konkluzioni i parazgjedhur i personazheve të Kadaresë.

Regjimi funksionon me një papërshkueshmëri të tillë saqë edhe vrasësit e tij nuk i kuptojnë plotësisht kurrë urdhrat e tyre.

Më saktësi të larmishme, Kadareja tregon se si funksionon komunizmi, pavlefshmëria e plotë e individit, mohimi depërtues i shpirtit, vullnetit dhe mendjes, që i shtohet barrës së punës vetëm në shërbim të shtetit. Në një nga dramat e Rudianit, personazhet nuk lejohet të thonë “mirëmënëgjes”, vetëm “lavdi punës”. Në një kohë kur vendet e botës po shijojnë nostalgjinë për komunizmin, romani i Kadaresë ballafaqon pamundësinë acaruese të artit në një sistem anti-individalist autokratik.
Dorëshkrimet e dramave të Rudianit mbeten në duart e filistinëve të Komitetit të Partisë, duke pritur miratimin ose anulimin pasi i janë bërë autopsitë për çdo sugjerim të përmbysjes ose kryengritjes. Kadareja ka qënë gjithmonë një stilist i lirë i forcës së pastër. Faqet e fundit janë në mënyrë të paharrueshme emocionuese, një shprehje e ndjenjës së fuqishme dhe surprizës. Rudiani “ishte i rrethuar nga një zbrazëti, dhe në këtë zbrazëti, para syve të tij, diçka po ndodhte në të cilën ai nuk mund të ndërhynte.” Por kjo diçka, kjo zbrazëti, ndërhyn tek ai, siç bën me çdo shqiptar, nga kryeqyteti në fshat, të dënuar në një tmerr të ashpër”.

* William Giraldi është autor i “The Hero’s Body: A Memoir.”

Burimi: The Washington Post- Përktheu për BalkanWeb: Aleksandra Kola

wp

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: