TIRANE- Rasti i abuzimit me 23-vjeçaren Desara Çoniku, të cilin e denoncuan disa ditë më parë familjarët e saj, nuk ka qenë tragjedia e parë në këtë familje. Nëna e saj Nevruze Çoniku ka rrëfyer për emisionin “Me zemër të hapur” të shkuarën e dhimbshme të djalit dhe të vajzës së saj. Ajo ka treguar se një tjetër abuzim ka ndodhur 6 vite më parë me djalin e tyre, rast të cilin ajo e ka denoncuar, duke treguar se autori ka vuajtur dënimin për 5 vite burg.

“Shisja kokoshka në lagje, dhe vajza erdhi me mua, ndërsa djali qëndroi në shtëpi. Në atë kohë e kisha normal djalin, ndërsa në moshën 14 vjeç u paralizua. Vajzës i ra një barrë e madhe e ka pikë të dobët vëllain. Dhe detyrohej të punonte për të na ndihmuar ne. Por kur djali na tregoi ngjarjen, unë e kontrollova dhe e pashë me shenja dhune e njolla gjaku. Shkuam në polici, denoncuam, u bë gjyqi, ka bërë 5 vite burg personi. Por unë atë person e kam aty, dhe shoh përditë, dhe nuk di ta shpjegoj si ndihem, pasi m’i uli kokën edhe vajzës”, tha Nevruze Çoniku.

Por për denoncimin e bërë disa ditë më parë, Nevruzja thotë se nuk di çfarë ka ndodhur me vajzën e saj, e cila ka përfunduar në Psikiatri. Ndërsa kërkon të zbardhjet ngjarja dhe të vendoset drejtësi, rrëfen sesi kanë rrjedhur zhvillimet

“Vajza qëndronte 24 orë në familjen për djalin me aftësi të kufizuara të së cilës kujdesej. Prindërit e fëmijës ishin të divorcuar, nëna jetonte në Itali, ndërsa i ati shkonte e vinte në Shqipëri. Duke qenë se vajza ime dinte italisht ata e punësuan, dhe ata u bënë si shokë. Vajza thonte se ishte e qetë aty. Më 20 gusht, Desara mori një paralajmërim për t’u larguar nga puna. U kthye nëna e fëmijës së paralizuar, dhe do kujdesej ajo për fëmijën. Duke qenë se për tre muajt e fundit nuk ishte paguar për lekët e veta, nuk ndihej e qetë. Nëna e djalit nuk ishte në dijeni se për fëmijën me aftësi të kufizuar kujdesej një vajzë. Që atë ditë vajza u pushua në puna. Në 7 të mëngjesit e mori babai i fëmijës në telefon, vajza doli, dhe nuk di më çfarë ndodhi. I ka thënë shpirt, zemër, tre herë mos mos. Dhe mori taksi u nis direkt zbathur. Ajo ishte shumë e shqetësuar për këtë fëmijë”, tha nëna.

“Në një semafor ku ka ndaluar makina, ajo ka hapur derën e makinës dhe ka ikur. Shoferi nuk ka ditur më se ku shkoi vajza. Pas kësaj unë në orën 1 të drekës pas shkuar tek shtëpia e personit. Vajza aty me doli me peshqir e në gjendje të rënduar. E mora me vetë, dhe ajo qante. Kur erdhi në shtëpi i tha të vëllait, shërohu të më dalësh për zot mua. E mori djalin në krahë dhe e lëshoi në tokë. Aty bëra denoncimin në polici”, vijoi ajo rrëfimin.

Sipas ekspertëve mjeko-ligjorë, vajza nuk është dhunuar dhe as përdhunuar. Kartela mjekësore e saj është në spitalin e Elbasanit.

Gazetarja Klodiana Haxhiaj tha se në lidhje me ngjarjen, policia ka marrë në pyetje edhe dy shoqet e 23-vjeçares, të cilat mund të hedhin më shumë dritë mbi ngjarjen.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: