Zgjerohet skandali me emërimet nepotike në doganat shqiptare. News24 ka siguruar fakte të tjera që vërtetojnë se Genti Gazheli i drejton Doganat në shkelje të ligjit. Në bazë të ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit, të vitit 2005 të ndryshuar në 2014 nga qeveria Rama, ndalohet të ushtrojnë detyrën brenda të njëjtit institucion publik, punonjës të lidhur mes tyre me lidhje familjare, gjinie apo krushqie.

Kozeta Pinari specialiste e antikorrupsionit, punon bashkë më të bijën Tea Pinari në dogana. Kjo e fundit punon si doganiere tek origjina. Juljan Mehaj, kryetar dogane Tiranë ka lidhje familjare me inspektorin tek Antikontrabanda Tokësore Ervin Koçija, i cili është burri i vajzës së xhaxhait. Por ka dhe raste me lidhje të dyfishta.

Kështu Xhoi Moçka që punon tek hetimi doganor, ka të atin Dhimitër Janku që punon në dogana si shef sektori tek klasifikimet në laborator, ndërsa është edhe mbesë e doganieres Anila Çobani. Xhoi Moçka mund të hetojë raste evazioni apo kontrabande në dogana, këtë gjë mund ta shpjegojë drejtori i përgjithshëm Genti Gazheli. Emrat figurojnë edhe në listë me pagat e prillit që u nxor nga zyrat e tatimeve.

Për disa emërime të pastra nepotike të publikuara më parë, Drejtoria e Përgjithshme e doganave u mbrojt duke thënë se punonjësit janë në administratën doganore që para ardhjes së zotit Gazheli në detyrë si Drejtor i Përgjithshëm, dhe më pas thonë punonjësit ishin të emëruar në detyrat përkatëse në përputhje me ligjin dhe me vendimet e Gjykatës Kushtetuese në 2006 mbi “shmangien e nepotizmit në administratën publike”.

Por në fakt ligji për parandalimin e konfliktit të interesit është ndryshuar nga qeveria Rama në 2014, ku thuhet e zeza në të bardhë se rrethi i personave të lidhur me zyrtarin, në zbatim të ndalimeve të përcaktuara në nenet 21 dhe 22 të këtij ligji, përbëhet nga bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja, fëmijët në moshë madhore dhe prindërit e zyrtarit e të bashkëshortit/es dhe bashkëjetuesit/es.”. Po ashtu edhe pretendime se emërimet kanë qenë të mëparshme, nuk do të thotë që zyrtarët të vazhdojnë punë kur eprori i tyre bie në dijeni të lidhjeve nepotike.

Por për doganat këto duke se kanë pak rëndësi, pasi ashtu si për emërimet me të shkuar kriminale edhe për ato nepotike dhe në konflikt të pastër interesi, drejtori i përgjithshëm Genti Gazheli i ka dalë në mbrojtje këtyre shkeljeve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb