Dinamo është një nga klubet më të titulluar në futbollin shqiptar, me 18 tituj kampionë dhe 13 kupa Shqipërie, por blutë i kanë humbur kontaktet me trofetë prej një kohe të gjatë. Tranzicioni shumëvjeçar që ky klub ka kaluar ka bërë që “Nëndetësja” të mbetet në këto shifra.
Ky sezon mund të jetë një shans i mirë që Dinamo ndryshojë të paktën një nga numrat e përmendur me lart, sepse ka një skuadër me kualitet dhe të kompletuar, që mund të konkurrojë denjësisht në të dy kompeticionet. Dëshira e madhe kuptohet që është titulli kampion në Superiore, por vlerësimi në kampin dinamovit është i njëjtë edhe për kupën e Shqipërisë.
Kompeticioni i dytë për nga rëndësia nis nesër për blutë, me ndeshjen me Erzenin, ku kualifikimi vendoset me një ndeshje teke. Te Dinamo duan t’i shkojnë deri në fund kupës për të sjellë në klub një trofe që mungon prej shumë vitesh dhe që njëkohësisht siguron pjesëmarrjen në kupat e Europës. Dihet që kupa është rruga më e shkurtër për të kapur Europën, ndërsa në kampionat gara duket vërtet shumë e fortë dhe jo pak e komplikuar, ku gjithçka mund të ndodhë deri në fund.
PAK RROTACION – Për ndeshjen e nesërme me Erzenin, që do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”, në orën 13:30, trajneri Ilir Daja pritet të bëjë një rotacion të pjesshëm. Kundërshtari është modest në fakt, mban ven din e fundit në Kategorinë e Parë, ndaj dhe kualifikimi nuk parashikohet të jetë i vështirë, por kjo nuk do të thotë se kryeqytetasit i kanë nënvlerësuar shijakasit. Lojtarë si Rufati, Miço, Doçi dhe të tjerë, të cilët janë në pritje të shansit të tyre, mund të luajnë titullarë këtë herë.
Është një mundësi e mirë që ata të tregojnë vlerat e tyre për të pasur më pas më shumë aktivizim edhe në kampionat. Trajneri Daja do të aktivizojë një pjesë të titullarëve nga minuta e parë dhe disa të tjerë në të dytën, pasi synon që ata të kenë ritmin e duhur në kampionat para një sfide me shumë rëndësi si ajo me Elbasanin.
Ndonjëri prej tyre mund të kursehet në kupë, sidomos ata që vijnë pas dëmtimeve, por gjithçka do të shihet gjatë ndeshjes. Me Erzenin pritet të bëjë debutimin mesfushori Fjoart Jonuzi, blerja e rëndësishme e Dinamos në mëkaton e dimrit. Po ashtu, nga minuta e parë pritet të luajë edhe Lorenco Vila, i cili ka nevojë të gjejë golin për t’u zhbllokuar.