Skandali i njohur si “Zhvatja” ku është përfolur mundësia e përfshirjes së Prokurores së posaçme në largim Katica Janeva, ka marrë një kthesë tjetër, pasi gazeta italiane La Verita publikoi të enjten një audio dhe video regjistrim ku shikohen dhe dëgjohen personazhe të dyshuara në këtë rast duke biseduar për lirimin nga procesi gjyqësor të një biznesmeni maqedonas dhe duke numëruar shuma të mëdha parashë dhe duke i nxjerrë ato nga shtëpia e këtij të fundit.


Nuk dihet se si ka arritur video-regjistrimi tek shtypi italian. Videoja që mban datën 20 shkurt të këtij viti shfaq të dyshuarin Bojan Jovanovski, i njohur në publik si Boki 13 dhe bashkëpunëtorin e tij Zoran Milevski me biznesmenin Orce Kamçev. Dy të parët tashmë janë në paraburgim, ndërsa biznesmeni akuzohet në një tjetër rast nga Prokuroria e posaçme e Maqedonisë së Veriut.


Në një pamje duken sasi të mëdha Eurosh të renditura në valixhe dhe të tjera duke u numëruar. Dëgjohet zëri që mendohet të jetë i Boki 13 duke i thënë biznesmenit se “do të lihej i lirë dhe se Katica (Janeva) nuk do të ankohej tek gjykata e Apelit në lidhje me vendimin e gjykatës së shkallës së parë”.


Më pas Boki 13 dhe Milevski dalin nga shtëpia të përcjellë deri tek dera prej biznesmenit Kamçev. Ata mbajnë valixhe të mëdha në të cilat mendohet se ishin mijëra eurot që u panë më parë në video.

Gazetari Loris Gaiser, i cili e kishte publikuar atë është shprehur në rrjetet sociale se “ky ishte vetëm fillimi dhe njoftime shokuese do të pasojnë”.

Shtypi në Shkup ndërkaq e lidh gazetarin e La Verita-s, Gaiser me këshilltarë të ish-Kryeministrit Nikolla Gruevski dhe të ish-Presidentit Gjorgje Ivanov.

Rasti “zhvatja”, në vazhdën edhe të rasteve të tjera, po i krijon një imazh të keq gjyqësorit në përgjithësi në Maqedoninë e Veriut. Prokuroria publike duket se po e zvarrit çështjen, ndërsa nuk bëhet e qartë se cili është roli i zonjës Janeva në këtë skandal.

Edhe prokurorja e çështjes, Vilma Ruskoska edhe vetë prokurorja e posaçme Janeva ndodhen në pushime. Ndërkaq, pushteti i dyshuar nga opozita se ka gisht në skandal, nuk komenton lidhur me zhvillimet rreth rastit.

Zonja Janeva ka dhënë dorëheqje nga detyra para pak javësh me arësyetimin se dëshironte t’i linte hapësirë dialogut midis pushtetit dhe opozitës për reforma në gjyqësor, përkatësisht për ligjin e pokurorisë publike. Po të njejtën ditë kur ajo paralajmëroi dorëheqjen, pronari i televizionit 1TV, Bojan Jovanovski u ndalua nën akuzat për zhvatje e larje parashë, ndërsa theksohej bashkëpunimi në këtë rast me një prokuror. Më pas doli emri i Katica Janevës, e cila u mor në pyetje nga Pokuroria pubike në rastin gjyqësor të njohur si “zhvatja” dhe telefoni i saj celular u konfiskua nga organet e hetuesisë.

Jovanovski apo Boki 13 ndodhet në arrest së bashku me të dyshuarin e dytë për zhvatje e larje parashë, Zoran Milevski – Kiçeec. Ata, sipas prokurorisë, i kishin marrë një shumë prej qindra mijë eurosh biznesmenit Orce Kamçev, të akuzuar në një tjetër rast gjyqësor, duke i premtuar se gjykatat do ta linin të lirë. Zoti Kamçev tash është dëshmitar në rastin “zhvatja”.

Sidoqoftë, Kryeprokurori publik Lubomir Jovevski nuk tregoi të enjten nëse e kishte shikuar më parë këtë video. Ai ka thënë para pak ditësh se prokurorja e posaçme Janeva nuk është thirrur në seancë dëgjimore.

Ndërkaq, biznesmenit Orce Kamçev i është dhënë pasaporta edhe duke qenë “nën masa të kujdesit” dhe ai është parë në një ndeshje sportive jashtë vendit. Ai vazhdon të jetë i akuzuar në rastin “Perandoria” së bashku me ish drejtorin e shërbimit sekret, Sasho Mijallkov, e të tjerë.

Prokurorja Lile Stefanova, e cila e procedon këtë rast, është shprehur e shqetësuar pasi kishte parë videon në gazetën italiane. Ajo i ka thënë shtypit në Shkup se “nuk mund të besonte se si personat në video-regjistrim i lejonin vetes të shkëmbejnë miliona euro në emër dhe llogari të Prokurorisë së Posaçme”. Stefanovksa pret hetime serioze për të vërtetuar jo vetëm rolin e zonjës Janeva, por edhe të të gjithë të punësuarve në këtë prokurori, përfshirë edhe vetë atë./VOA