Nga: Prof. VALTER SHTYLLA*

Burimet e shkruara – arkivat dhe dokumentet e ndryshme – si dhe botimet historike janë pjesë e rendësishme e përshkrimeve historike. Nga ana tjetër, edhe objektet monumentale të trashëgimisë kulturore pasqyrojnë në mënyrë konkrete aspekte materiale për ngjarje dhe figura të ndryshme të historisë. Duke u mbështetur në llojet e burimeve të përmendura më lart, në këtë shkrim jepen disa të dhëna historike rreth figurës dhe familjes së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot – Skënderbeut. Dihet se për Skënderbeun dhe bëmat e tij janë shkruar dhe botuar shumë libra dhe artikuj. Dhe këtu është rasti të theksojmë se një nga librat më të hershëm ku përmendet Skënderbeu dhe familja e tij është pa dyshim ai i autorit spanjoll Agustin Sales me titull “Historia del Real Monasterio de la SS-ma Trinidad” i botuar në Valencia në vitin 1761, dhe i ruajtur në Bibliotekën e Conventos SS-ma Trinidad të Real Manastirit. Gjatë një vizite që bëra në këtë manastir në vitin 2001, pasi mësuan që një shqiptar nga vendi i Skënderbeut ishte mik në Convento-n e tyre, murgeshat më dhuruan me respekt një fotokopje të origjinalit të këtij libri. Manastiri Mbretëror i Valencias dhe lidhjet me të, përfaqësojnë një faqe historike të familjes së Kastriotëve. Tashmë dihen mirë lidhjet dhe aleancat e Skënderbeut me familjen mbretërore të Aragonëve të Napolit. Kurora e tyre përfshinte dhe Mbretërinë e Valencias. Mbreti dragon Alfonsi V-të, që nga gjysma e parë e shek. XV-të, e deri në vitin 1458, me kurorën e monarkut, pati miqësi me familjen arbërore të Kastriotëve. Pas vdekjes së Skënderbeut në vitin 1468, familja e tij me gruan, Donikën, në krye emigroi në Napoli. Nga burimet rezulton se djali i Donikës, Gjoni, së bashku me të birin, Alfonsin, në vitin 1500 kanë qenë në Spanjë, ku përkrah spanjollëve kanë luftuar kundër arabëve. Gjithashtu, burimet dëshmojnë se gjatë periudhës 1499-1506 Donika ka qenë në Valencia. Në vitin 1445, Mbretëresha e Spanjës, Maria de Castilio, gruaja e Alfonsit të V-të aragon, pat filluar ndërtimin e Real Manastirit të Valencias, ku ajo dhe u varros në vitin 1458 në një varr monumental në portikun e manastirit. Miqësia e Kastriotëve me Aragonët dëshmohet dhe nga fakti që pjesëtarë të familjes së Kastriotëve kanë varret e tyre në këtë manastir mbretëror, përkrah mbretëreshës aragonase Maria de Castilio. Studiuesi spanjoll Daniel Benito Goerlich në veprën e tij “El Real Monasterio de la Santissima Trinidad” të vitit 1998, në faqen 154, shkruan “në këtë kapelë (kamare anësore) është varrosur në fillim të shek XVI-të gruaja e Gjon Kastriotit, birit të Mbretit të Albanisë Gjergj Kastrioto, i quajtur nga myslimanët Skënder – Beg, që do të thotë Aleandro (Aleksandro)”. Djali i Gjonit, Alfonsi, sipas Salesit (vepra e lartpërmendur, fq.119), ka vdekur në vitin 1503 i goditur nga një gur teksa kalonte mbi urën San Trinidad pranë Manastirit. “Alfonsi – vijon Sales – është varrosur brenda në kishë nën një kolonë mermeri poshtë vendit të korit të kishës, në murin perëndimor, duke u nderuar si biri (gabim – në fakt është nipi: shën. V. Shtylla) i Gjergjit, mbretit të Albanisë”. Kisha e Manastirit është dëmtuar disa herë dhe për pasojë varret sot nuk ruhen sipër dyshemesë. Në kapelën në verilindje të naosit ku qe varrosur Xhovana, gruaja e Gjonit dhe nëna e Alfonsit, sipër varej një ikonë e madhe e Shën Mërisë, dhuratë e Beatrices së Hungarisë për Xhovanën. Kjo ikonë në vitin 1612 u vendos në kapelën përballë. Për shkak të dëmtimit të varreve, në vitin 1900 pllaka prej mermeri të zi e varrit të Alfonsit u vendos në një qoshe të kishës pranë hyrjes. Pllaka lexon “Këtu prehet Alfonsi, biri i të famshmit Georgo Castroto, mbret i Albanisë, i braktisur nga turqit, fortesë e pamposhtur e krishtërimit, i cili u quajt nga turqit Escardabech, dhe i cili, për prejardhjen e tij, vlerën dhe madhështinë e shpirtit, krahasohej me mbretin Aleksandër të Maqedonisë. Vdiq në moshën 15 vjeç në këtë qytet të Valencias, viti 1503.” Kuptohet se këtu bëhet fjalë për të nipin dhe jo për të birin e Skënderbeut, i cili pat vdekur në vitin 1468. Nga ky epitaf del qartazi vlerësimi i dinastisë aragonase për, siç thekson pllaka, “Mbretin e Albanisë”. Në faqen 115 të librit të tij, Salesi shkruan “Jorgo Castrioto, Mbreti i Albanisë dhe i Epirit, dhe një nga kapitenët më të mëdhenj dhe më trima të botës, i cili nga turqit (prej të cilëve që arratisur) u quajt në arabisht Scander Beg, që do të thotë Alejandro …”. Në vitin 1506 Donika nga Valencia nuk u kthye në Napoli. Mendohet se edhe Donika, bashkë me gardën e saj të përbërë nga rreth 20 kalorës, të jetë varrosur në Real Manastirin San Trinidad të Valencias. Zef Mirdita, në veprën e tij “Krishtenizmi ndër Shqiptarë”, faqe 170, shkruan se “nuk janë të pakët ata që mendojnë se Skënderbeu ka qenë ortodoks dhe lidhur me të (fenë e tij) është trajtuar edhe përkatësia e tij etnike”. Mirëpo dihet se dinastia e Kastriotëve, që sundonte në trevën e Matit, gjeneratë pas gjenerate, ka qenë e lidhur me ipeshkvinë latine shqiptare – vijon Mirdita. “Dihet se i ati i Gjergj Kastriotit, Gjoni, në principatën e vet ka pasur klerikë dhe abaci katolike. Nga ana tjetër, në Manastirin serb të Hilandarit në malin Athos, ai mori Kullën e Shën Gjergjit në këmbim të dy fshatrave në Rekën e Dibrës. Ky veprim shpjegohet me frymën e tolerancës fetare. Veç kësaj, ka qenë praktikë e familjeve feudale mesjetare shqiptare që, me anën e martesave të lidhnin miqësi me feudalët fqinjë, pavarësisht se çfarë besimi dhe riti ishin ata” përfundon Mirdita. Kështu motra e Skënderbeut, Mara qe martuar me princin e Malit të Zi, Stefan Crnojeviçin, kurse kunata, Angjelina, e bija e Gjergj Arianitit dhe motra e Donikës, qe martuar me despotin serb Stefan Brankoviç. Pas vdekjes së Skënderbeut, në vitin 1468, shumica e princave shqiptarë emigruan në Itali. Veç Kastriotëve, ndër familjet që emigruan, qenë Muzakajt, varret e të cilëve ndodhen në Bazilikën e Frankavilës; familja e Vrana Kontit, vajza e të cilit Anxhela, u martua me Dukën e Gravinës, Ferdinand Orsinin, biri i Françesk Orsinit, i ekzekutuar nga Cezar Borxhia i Spanjës. Anxhela vdiq në moshë të re në vitin 1518 dhe i shoqi e varrosin në një varr monumental në Kishën e Shën Sofisë në Gravina. Kostandin Arianiti i feudaleve arianitas, kunati i Skënderbeut, është varrosur në vitin 1530 në Fano, dhe sipas disave, në Shën Agostinin e Romës (burimi: Paolo Petta, Despotë të Epirit dhe Princër të Maqedonisë, Tiranë 2000, faqe 188). Kështu pas Skënderbeut, mërgata e fisnikëve shqiptarë u orientua përgjithësisht drejt botës perëndimore katolike. Studiuesi Pëllumb Xhufi, në librin e tij “Dilemat e Arbërit”, faqe 483, lidhur me përkatësinë fetare të Kastriotëve shprehet se “Karl Topia dhe Gjon Kastrioti duket se ishin princërit e fundit shqiptarë të Arbërit, që mbajtën një profil të papërcaktuar fetar.” SHUFLAJ Një studiues i njohur sllav që ka botuar jo pak për historinë e Shqipërisë është kroati Milan Shuflaj. Ai, në librin “Serbët dhe Shqiptarët” 2001, në faqen 200 përmend faktin se ikumeni i manastirit serb të Hilandarit në vitin 1426 i shiti Gjon Kastriotit Pirgun e Shën Gjergjit në këtë manastir për 60 fiorinta. Ky pirg sot njihet me emrin “Pirgu i Shqiptarëve”. Shuflaj shënon më poshtë se në këtë manastir mbeti si murg vëllai i Skëdërbeut, Reposhi, i cili këtu edhe u varros. Mbishkrimi i varrit e quan atë “Duka i Ilirëve”. Varri është brenda kishës, në murin verior. Kështu Shuflaj nënvizon përkatësinë iliro – shqiptare të Kastriotëve. SRETEN PETKOVIÇ Autori serb Sreten Petkoviç në vitin 1999 ka botuar në Beograd një libër për Hilandarin. Në faqen 41 të librit Petkoviç thekson “Në 1430-1431, Reposhi, vëllai i të famshmit Scanderbeg nga familja Shqiptare e Castriotëve është varrosur në varrin në narteksin e brendshëm të murit verior.” Pra një tjetër autor sllav flet mbi përkatësinë shqiptare të të Kastriotëve. TATJANA PEJOVIÇ Në ishullin e Komit në liqenin e Shkodrës, në territorin malaze ndodhet Manastiri i Komit, me konakët e dëmtuar dhe me Kishën Fjetja e Shën Mërisë që është funksionale edhe sot. Ky kompleks është ndërtuar në vitet 1415-1427 nga familja e Crnojeviçëve, që e kishte selinë në fortesën e Zhabljakut aty pranë. Stefan Crnojeviçi ishte martuar me Marën, motrën e Skënderbeut. Djemtë e tij, Gjergji dhe Aleksi, ndërtuan Manastirin e Komit si një vepër shpirtërore. Brenda në kishë janë varret e çiftit Stefan – Mara dhe të të dy djemve. Mbi pllakën horizontale të varrit të Marës dallohet një monogram, të cilin me sa kemi mundur ta kompozojmë e lexojmë kështu “Është pllaka e zonjës Mara, princesha e Crna Gorës, motra e Giorgio Scanderbeg.” Për ekzistencën e këtyre varreve flitet edhe në faqet 56 dhe 434 të Albumit “Spomenici Kulture Crne Gore” të vitit 1997. Mjaft i qartë është një konstatim i specialists Tatjana Pejoviç, e cila në vitin 1995 ka botuar monografinë “Manastiret në territorin e Malit të Zi”. Në faqen 134, kur flet për Manastirin e Komit, ajo përmend pllakat e varreve në interierin e kishës. “Pranë pllakës së Stefanit – shprehet ajo – ndodhet pllaka e Mara Kastriotit, princesha shqiptare, motra e Skënder- Begut. Pllakat, shton Pejoviç, janë të pasura me gdhendje dekorative.” Pra ky është një rast tjetër i përcaktimit të Kastriotëve si shqiptarë, nga ana e studiuesve të kualifikuar sllavë. ZHARKO SHÇEPANOVIÇ Në vitin 2002 në Podgoricë është botuar libri i Zharko Shçepanoviç me titull “Kratka Istorija Crne Gore”. Në faqet 90-105 trajtohet kapitulli “Mali i Zi nën pushtetin e Crnojeviçëve”. Në kreun e faqes 97 është shkruar emri i saktë shqiptar i Heroit tonë, ashtu siç e shkruajmë ne, bashkëkombasit e tij – Gjergj Kastriot Skënderbeg, dhe jo siç e transformojnë me qëllim tjetërkund. Këtu bëhet fjalë për historinë e një vendi fqinj sllav, me të cilin Skënderbeu ka pasur shumë lidhje e bashkëpunim. Burime të shumta historike dëshmojnë lidhjet e Skënderbeut me familjen mbretërore të Aragonëve të Napolit, e cila përfshinte dhe Mbretërinë e Valencias në Spanjë. Pasuesi i Alfonsit V, Mbreti Ferrante i pat njohur familjes së Kastriotëve disa feude të rëndësishme në Itali, si Kontenë Monte Santanxhelo dhe Sinjorinë e San Xhovani Rotondos. Pas vdekjes së Skënderbeut në vitin 1468 Mbreti Ferrante mori nën mbrojtje familjen e Skënderbeut. Me rastin e vdekjes ai i dërgoi Donikës një mesazh ngushëllimi ku shprehej se vdekja e burrit të saj i kishte hidhëruar jo më pak se vdekja e Alfonsit dhe se Gjergj Kastrioti ishte për ta si një baba i dytë. Pas 1468-ës familja e Skënderbeut emigroi në Napoli. Gjoni, djali i Donikës dhe Gjergj Kastriotit pati katër djem dhe një vajzë. Njëri nga djemtë, Konstantini, në moshën 20-vjeçare, në vitin 1497 u shpall peshkop i Izernias, qytet në very të Napolit, ndërmjet Frozinones dhe Campobasos. Konstantini ka vdekur në vitin 1503 dhe është varrosur në portikun e Kishës Santa Maria la Nova të Napolit, në qendër të qytetit pranë Piazza Monteoliveto. Kjo kishë quhet “e reja” pasi është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe më të hershme – Kuvendi i fretërve minorë. Kur Karli I ndërtoi Castelnuovon në vitin 1279, ai iu dha fretërve minorë tokë për ndërtimin e kësaj kishe, e cila më vonë, në fundin e shek. XVI-të pësoi ndryshime. Në anën veriore të kishës ndodhet një oborr – portik kuadrat me korridoret e mbyllura anësore.Në faqet e mureve të korridoreve janë varrosur figura të shumta historike, që dallojnë nga epitafet e tyre. Në qendër të korridorit verior ndodhet monumenti mortor Konstantin Kastriotit, një vepër arti e gdhendur në mermer me gjerësi 2.2m dhe lartësi 4.5 m dhe e punuar nga mjeshtri Jacopo de la Pila. Në pjesën e poshtme të veprës ndodhet epitafi me shkrimin latinisht, kushtuar nipit nga gjyshja Donikë. Në këtë pllakë shkruhet “Konstantin Kastrioti i varrosur këtu, i cili është prej gjaku e farefisi të kulluar mbreti e perandori dhe fisnik për dlirësi dokesh, për dinjitet, kryeprift i Izernias, që vdiq para kohe. Donika Komina, stërgjyshja nga babai i bëri këtë varr të mrekullueshëm në vitin e “njëmijë e pesëqind”.” Varri i Konstantinit është trajtuar në librin e vitit 1879 të Carlo Padiljones, i cili ka bërë dhe transkriptimin nga latinishtja të këtij epitafi. Ky varr monumental ka vlera historike edhe në fushën e heraldikës. Në pllakën e varrit është gdhendur dhe vërehet mjaft qartë stema – simbol e familjes së Kastriotëve. Në fushën ovale të një mburoje paraqitet shqiponja me dy krerë. Mbi dy kokat, janë dy kurorat mbretërore dhe sipër qafave është gdhendur ylli me tetë cepa. Sipër fare, jashtë mburojës është gdhendur kurora e kryepeshkopit, titulli që kishte Kostandini. Ylli me cepa duket se simbolizon diellin. Ai është një simbol i njohur që prej antikitetit, siç është rasti për Mbretërinë Maqedonase. Në varrin e babait të Aleksandrit të Maqedonisë, Filipit II zbuluar në Verxhinia pranë Selanikut. Në këtë varr të fundit të shekullit IV p.e.sonë, Pasuri e Kulturës Botërore nën mbrojtjen e UNESCO-s, janë gjetur dy kuti prej ari mbi kapakët e të cilave është gdhendur dielli me cepa rrezatues, simbol i Mbretërisë Maqedonase. Varri përfaqëson një kapelë me dy ambiente. Në ambientin e parahyrjes është gjetur kutia me diellin me 12 cepa, ndërsa në ambientin e varrit të Filipit II kutia e gjetur ka një yll me 16 cepa. Duket se në të dy rastet qëllimi ka qenë dhënia e simbolit të diellit, pa i kushtuar rëndësi numrit të cepave. Për t’u rikthyer tek ylli me tetë cepa që gjendet në varrin e Napolit, duket se mund të ketë një lidhje midis tij dhe shandanit prej bronzi që Skënderbeu i pat dhuruar manastirit të Deçanit në Kosovë. Manastiri i Deçanit ndodhet në qytetin e Deçanit, në këmbët e Bjeshkëve të Namuna, ngjitur me lumin Bistrica e Deçanit. Ky manastir është ndërtuar ndërmjet viteve 1327-1335. Si në çdo kompleks manastiri, objekti më i hershëm është kisha që ndodhet në qendër të tij. Kisha e Deçanit përfaqëson një objekt tipik të arkitekturës romaniko-gotike të shekullit XIV-të. Pas kishës, objekti më i rëndësishëm i këtij kompleksi religjioz është trapezaria (menca). Në origjinë, ajo ishte një sallë me përmasa 10.5m × 32.5m ku ndodheshin 17 tavolina mermeri, në të cilat mund të uleshin njëkohësisht 150 murgjër. Pas djegies në shekullin e kaluar, salla u nda në tre pjesë, dhe ana e madhe lindore u përshtat si ambient muzeal për ekspozimin e ikonave dhe objekteve të tjera. Pikërisht në këtë sallë, në tavanin e apsidës gjysëmrrethore varet një shandan prej bronzi, i cili sipas gojëdhënës, i është dhuruar manastirit nga ana e Skënderbeut. Shandani i varur mbi një zinxhir përbëhet nga tetë krahë koncentrikë, në fundet e të cilëve janë suportet për fiksimin e qirinjve vertikalë. Përdorimi i yllit me tetë cepa në simbolin e Kastriotëve mund të mos jetë një rastësi. Mund të mendohet se Skënderbeu përdori si simbol të tijin pikërisht atë të Lekës së Madh, me të cilin e ka paralelizuar shpesh historia dhe prej të cilit mori edhe emrin Skënder – Aleksandër.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: