*Dako: Problemi im nuk është rivalja, por banorët e qytetit të Durrësit, ballafaqohem me ta për punën time


*Dako: Do dyfishojmë fondin për politikat sociale, në fokus familjet në nevojë


*Dako: E ardhmja e Durrësit është toka bujqësore dhe deti


TIRANË- Kreu aktual i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i cili kërkon një mandat të tretë për të drejtuar Durrësin ishte sonte në emisionin “Studio e Hapur”, të gazetares Eni Vasili, ku ka folur për fushatën elektorale tashmë në mes të saj, programin elektoral dhe akuzat e ngritura në drejtim të tij. Përballë Dakos, kanë qenë kryeredaktori i gazetës Panorama, Robert Rakipllari dhe analisti Mentor Nazarko. Që në fillim të bisedës, kanë nisur debatet në lidhje me numrin e shtuar të zgjedhësve në Durrës gjatë muajve të fundit. Dako deklaroi se akuzat e kundërshtarëve të tij janë baltosje dhe ka mohuar se ASHE po ushtron presion ndaj votuesve në Durrës. Kandidadi i ASHE-së renditi disa nga projektet e tij, disa prej të cilave tashmë kanë nisur, duke renditur si një nga më të rëndësishmet ndërtimin e parkut të madh industrial, Zonën e lirë ekonomike në Spitallë. Gjithashtu Dako deklaroi se në 8 vite është bërë shumë për Durrësin, por pa mohuar se ka ende për tu bërë. Ai premtoi se në mandatin e ardhshëm do të bëjë 2 herë më shumë për banorët në nevojë

Zoti Dako si ka shkuar fushata deri tani?

Kemi hyrë në mesin e fushatës. Ka filluar pak shpejt por për ne nuk është problem sepse jemi 8 vjet në fushatë. Kemi takuar qytetarët e Durrësit për të thithur kërkesat e tyre por edhe për tu zotuar për ato çfarë do të bëjmë. Kemi 30% më shumë banorë se ç’kemi pasur deri tani. Mundësitë dhe fushata është e një karakteri të ri.

Është fushatë pozitiviste, duke patur parasysh edhe fushatën e kundërshtarit?

Nuk shikoj ose vlerësoj fushatën e kundërshtarit. Është i njëjti model, i njëjti stil. Kemi dhënë mesazhet për të gjithë simpatizantët që do të bëjmë një fushatë dinjitoze, sa më të qetë për të mos ngacmuar sa të kthehet në bezdi. Por një fushatë model, duke ruajtur ekuilibrat e qetësisë.

Ju akuzojnë për presion ndaj votuesve dhe manipulim të listave të zgjedhësve?
Vazhdojnë dhe balta nuk ka të sosur. Edhe në këtë rast vazhdojnë me baltosjen. Nuk kemi bërë asnjëherë dhe nuk bëjmë presion. Këto janë metoda që i ka kaluar koha. I kanë përdorur kundërshtarët tanë kur ka qenë në maxhorancë. Jo vetëm që nuk ka presion por ka bashkëpunim e komunikim.

Rakipllari: Nuk ka dëgjuar të hidhet baltë mbi zotin Dako. Ato nuk janë baltë, janë fakte. Në bashkinë e Durrësit janë regjistruar 3 mijë persona.
Dako: Edhe ti baltë po hedh se nuk ke asnjë fakt. Nuk ke parë gjë. U regjistrua Grida. Nuk ka asnjë rast të tillë.
Rakipllari: Janë fakte. KQZ ka çuar kallëzim në prokurori. Janë listat.
Dako: Nuk merrem me këtë temë, u regjistrua Grida si qytetare e fundit e Durrësit.
Rakipllari: Këto janë fakte.
Dako: Trendi i të regjistruarve në Bashkinë e Durrësit, është i njëjtë edhe me regjistrimet në bashkitë e tjera të qarkut. Është me 1 % numri i votuesve, është i njëjti trend. Me këtë duan të hedhin baltë.

Rakipllari: Raporti i ODIHR tregon se ka probleme me regjistrimin e votuesve fiktivë.
Dako: Ja u regjistrua Grida. Këta njerëz nuk i ka sjellë Vangjushi. Rritja e popullsisë ka ardhur në të njëjtin trend si në bashkinë e Durrësit, ashtu edhe në komunat e tjera që drejtohen nga PD. Të drejtën për t’u regjistruar diku s’ta heq dot askush.

A është një trend që ndodh vit pas viti?
Dako: Ky është një trend i lirë i lëvizjes së banorëve të Shqipërisë.
Ju vetë ju shqetëson kjo gjë?
Dako: Nuk me shqeton ky fakt, pasi vota është e lirë dhe e fshehtë.
Nazarko: I bie që ju të keni frikë nga kandidatja nëse keni sjellë kandidatë të rinj? Ju krijon frikë kjo kandidate?
Dako: Unë nuk kam frikë. Po përballem me 320 mijë banorë që ka qyteti i Durrësit. Problemi im nuk është rivalja, por banorët e qytetit të Durrësit, pasi me ta ballafaqohem për punën time. Kushdo të ishte rivali.
Keni një bilanc tuajin për këto dy mandate, dhe si e justifikoni faktin që kërkoni një mandat të tretë?
Dako: Kur përfundon një mandat bën një bilanc. Në mandatin e parë menaxhuam në mënyrë të shkëlqyer fondet tona, dhe përmirësuar jetesën për qytetarët. Kemi bërë investime që nuk janë bërë në 20 vite. Edhe në mandatin e dytë kemi bërë investime që kanë ndryshuar qytetin e Durrësit. Kemi përmirësuar imazhin. Të gjitha këto investime janë të të gjithë Shqipërisë, pasi Durrësi është një qytet turistik.
Sa prej punimeve tuaja janë të realizuara? A ka premtime të parealizuara?
Dako: Nuk e di nga kanë dale këto të dhëna, por ne kemi realizuar dhjetëra pika që nuk janë shkruan në këtë kontratë. Dhe të parealizuara janë 1ose 2 pika. Ne kemi bërë premtime modeste në fillim, nisur edhe nga të ardhurat. Në vitet e fundit të ardhurat në Durrës kanë rënë, për shkak të zërit të taksave që vinin nga ndërtimi. Pasi së fundmi ne nuk kemi dhënë leje ndërtimi. Kemi përsëri mundësi për investime, por na është zvogëluar buxheti. Por kemi mirëmenaxhim, dhe rritje të të ardhurave nga taksa e pasurisë.

Rakipllari: Ka zoti Dako një zgjidhje për ndërtimet në bregdet, si mund ta zgjidhni?
Dako: Në vitin 2004 KRRTRSH ka vendosur dhe miratuar një plan të përgjithshëm rregullues në zonën e plazhit dhe ka vendosur një vijë kufizuese me detin, rërën. Asnjë kryetar bashkie dhe unë nuk e ka shkelur për asnjë moment të vetëm këtë rregullore të KRRTRSH. Është përcaktuar një shëtitore në plazh dhe kjo nuk preket. Ndaj po të them, që ju nuk e njihni tamam problemet dhe Durrësin.
Rakipllari: Bregdeti është skandal. Është betonizuar. E shohin të gjithë…
Dako: Është zbatuar rregullorja. Kur kam ardhur unë kryetar bashkie, i gjithë bregdeti ishte i zënë. Mund të kemi lënë 2-3 ndërtime. Duhet të prisheshin pallate 10 katëshe.

Nazarko: Akuza për betonizimin është nga opozita dhe ne nuk mund ta injorojmë..
Dako: Betonizimi është problem në të gjithë Shqipërinë

Nazarko: Keni ju një tregues që numri i lejeve të ndërtimit është rritur apo është ulur. Keni të dhëna.
Dako: Në vitin 2007 kur kam ardhur kryetar bashkie, fatmirësisht kam gjetur dy studime. Në të dyja studimet kemi respektuar këto mendime të KRRTRSH. Kemi dhënë leje ndërtimi për pronarët në pronën e tyre konform ligjeve të shtetit. Nuk mund të pengojmë zhvillimin. Kemi dhënë 3% të të gjitha lejeve që janë dhënë në qytetin e Durrësit.

Rakipllari: Sot ka gropa të hapura në rërë.
Dako: Nxirri. Këtu më ke, shko e nxirri.

Eni Vasili: Një qytetar shkruan në Facebook për lejen e ndërtimit për pistën brenda në det.
Dako: Çfarë piste. Ne kemi ndërtuar një vepër arti, arkitektonike, më të bukurën në Shqipëri.

Rakipllari: Po marr një pikë nga kontrata që keni firmosur për plazhin e Currilave…26 mijë metra katror plazh publik.
Dako: Je sipërfaqësor. Nuk di ta lexosh premtimin. Do bëhet një rikualifikim. Do marrim nga deti…Është një investim rreth 8 mln dollarë për gjysmën e projektit. E kemi çuar projektin në qeveri dhe po presim edhe financime.

Cili është raporti i plazheve publike me ato private?
Dako:
Kemi ardhur këtu të flasim për Durrësin e viteve të ardhshme, jo ato që kemi lënë pas. Ka një kërkesë të strukturave turistike për më shumë hapësirë, pasi kanë më shumë klientelë. Nga ana tjetër kemi kërkesa nga qytetarët për plazh publik. Jemi në kontradiktë për këtë çështje. E kemi bërë punën tonë, por jo siç duhet, pasi nuk është punë e lehtë. Është puna më e vështirë që kam si kryetar bashkie, kur vjen sezoni turistik, për të ndarë plazhet publike. Kjo është një punë dinamike dhe e përditshme e jona. Plazhet publike janë edhe shumë të vështira për t’u mirëmbajtur, duan edhe buxhet.

Rakipllari: Sa përqind e plazheve janë publike?
Dako:
Janë 40 % me 60 %.

Rakipllari: Sa i takon grumbullimit të mjeteve?
Dako:
Nuk e realizuar dot, pasi nuk e gjetëm përgjigjen e qytetarëve në këtë drejtim. Vumë kosha por prapë plehrat ishin në rrugë. Problemi është tek menaxhimi. Duhen miliona lek për menaxhimin e landfilldit. Ti mund të duash që bashkinë ta bëjmë me flori, por do bëjmë aq sa mundemi. Në zonën e Manzës është përcaktuar vendi për ndërtimin e landifilldit. Por do të kërkohet financim nga firma që do bëjë realizimin. Nëse qeveria nuk na mbështet në këtë drejtim, ne nuk mund ta bëjmë vetëm me fondet e bashkisë.

Rakipllari: Do ndërtohet kompleksi sportiv i pishinave..
Dako: Ka filluar. Në fund të mandatit do të bëhet. Është duke u bërë. E kam tejkaluar kontratën. Ato janë 13 pika ne kemi bërë 33.

Durrësi, qytet i artit…
Dako: Kemi bërë 3 festivale ndërkombëtare. Ndërtuam galeri për artin. Hapësirë më artistin, çfarë duhet më shumë…?

Nazarko: Që duhet më shumë duhet…
Dako: Durrësin e ri e kemi bërë tamam të ri. Shkolla “Isuf Puka” është marrë financimi, shkollën e mesme në Durrës e kemi bërë. Kopshte kemi bërë.

Nazarko: Për të vlerësuar punën tuaj, ne duhet të mbështesim disa gjykues të paanshëm, siç është Mjafti. Mjafti thotë se gjysmën e premtimeve për Durrësin për zhvillimin ekonomik nuk e keni bërë. Ngritja e portit turistik..
Dako: Nuk u realizua sepse qeveria e zuri vendin me portin e peshkimit. Duhet ndryshuar projekti.

Rakipllari: Për një menaxher publik si ju, sa kohë mendoni se është e mjaftueshme për të bërë projektet tuaja?
Dako: Projektet nuk mbarojnë. Pas meje do jetë dikush tjetër.

Rakipllari: Tani pas 8 vitesh çfarë mund të bëni ju më, kur s’keni bërë në 8 vjet? 8 vjet janë shumë, është qytet i madh…
Dako: Çfarë kemi bërë janë dëshmitarë qytetarët e Durrësit, që i shikojnë përditë transformimet e mëdha që kanë ndodhur në atë qytet. E shohin dhe e prekin përditë. Të kthehet çdo njëri 8 vite më parë dhe të bëjë dallimin për cilësinë e jetës. Rrugë të asfaltuara, trotuare, pemë, gjelbërim. Projekti ynë nuk përfundon këtu. Jam i lidhur shumë me atë qytet, kam familjen, punën, bizneset, është në gjakun tim. E dua dhe kam akoma projekte për ta transformuar.

Doja t’iu ngacmoja me shqetësimet e disa qytetarëve për mbeturinat e Porto Romanos…
Ne folëm pak më parë. Kemi një projekt për mbylljen e kësaj fushe. Për kthimin e saj në një kodër të gjelbër.
Pallati gjigand tek lulishtja “1 Maji”
Dako: Të gjitha lejet në zonat arkeologjike i jep Instituti i Monumenteve të Kulturës, pasi miraton sheshin e ndërtimit Bashkia.
Nuk ju shqetëson fakti?
Nuk më shqetëson fakti kur profesorë, specialistë japin leje. Qyteti do ndërtohet me shtresa. 50 metra përballë Koloseut në Romë ke pallat.
Nuk ka pallat
Dako: Mirë Durrësin që nuk e njihke po as Romën… Qyteti është zhvilluar mbi shtresa. Aty është ndërtuar ku ka qenë Durrësi 2400 vite më parë. Është një dinamikë, një kontradiktë e përhershme.
Rakipllari: Vizioni juaj këto 8 vite është me ndërtime të larta. (foto Durrësi)
Dako: Asnjë nga këto lejet aty, nuk është e Vangjush Dakos. Tek amfiteatri është një pallat i ndërtuar në vitin 2003.
Rakipllari: Vizioni juaj është me ndërtesa të larta?
Dako: Durrësi ka një program për ndërtimet. Intensiteti është me 3, më i ulët se në Tiranë. Është miratuar një studim që nuk lejon ndërtime mbi 6 kate.

Dako: Në raport me vitin 2007 kur kemi filluar kemi mbledhur taksa çdo vit në rritje. I kemi dhënë prioritet financimit të projekteve. Dhe i kemi çuar ato përpara, sepse e dinim që do të vinte një qeveri realiste. Projektet tona për vite me radhë kishin ngelur në sirtar. Në u përqendruar në hartimin e projekteve.

Pas komenteve të banorëve të Durrësit për situatën atje, si e komentoni?
Dako:
Kemi fond që e ndajmë për familjet në nevojë. Kemi hapur zyrë për barazinë gjinore, po kështu qendër për fëmijët e rrugës. Kemi edhe qendra rezidenciale për fëmijët jetimë. Po kështu edhe me qendra ditore për të moshuarit. Këto janë projekte sociale. Kemi dhënë banesa me interes 0 për familjet në nevojë. Zotohemi se në këtë mandat do bëjmë 2 herë më shumë për banorët në nevojë. Do ketë dyfish fonde për këto politika.

Rakipllari: Durrësi nuk është një destinacion turistik…

Dako: Po bën konstatime, i zgjat shumë.

Rakipllari: Do bëj konstatime, përfaqësoj publikun.

Dako: Durrësi ka qenë dhe do të jetë destinacioni turistik, për dy arsye: për detin dhe për arkeologjinë. Pushuesit janë ata që e vlerësojnë. Hotelet sot janë plot.

Eni Vasili: Fakti që derdhen ujëra të zeza nuk e fshehim dot..

Dako: Kemi 41 mijë km vijë bregdetare. Ka mundësi ideale për të zhvilluar turizmin. Me turizmin familjar nuk ka zhvillim ekonomik. Ne e shikojmë tokën, detin si mundësitë më të mëdha për zhvillimin ekonomik. Për këtë qëllim u bë edhe reforma territoriale, për zhvillimin ekonomik.

Rakipllari: Në territoret që keni pasur deri më sot, s’keni pasur këtë vizion..

Dako: Vizioni vjen në raport me mundësitë. Sot kryetari i Bashkisë i është dhënë mundësia ku do të çojë qytetin në 15 vitet e ardhshme. Nuk bëhet fjalë për një rrugë. Në Spitallë, qendër e lirë ekonomike. Do të vijnë nga e gjithë Shqipëria për të punuar.

Nazarko: Cili është vizioni juaj për integrimin e zonave rurale të Durrësit?

Dako: Me fonde bashkiakë do të realizohet kjo. Për 4 vite realizohet. Kemi gjetur një zonë pa shumë zhvillim, por me potenciale të mëdha. Tokat e rajonit të Durrësit janë shumë pjellorë. Do të fillojmë me pastrimin e kanaleve kulluese dhe vaditës, dhe do të vëmë në funksion rezervuarët. Kërkesa e banorëve të këtyre zonave kanë kërkesë imediate furnizimin me ujë për vaditje. Kanalet janë zënë me ura nga më të ndryshmet, që janë bërë pengesë për zhvillimin e bujqësisë. Do të mbështetim biznesin drejt prodhimit bio. Problemi i tretë është ai i kooperativave. Na tingëllon keq nga e kaluara, por disa fermerë duhet të bashkojnë tokat. Por nuk kanë dokumente në mjaft raste. Do të përfundojmë regjistrimin e tokave bujqësore. Do të përmirësojmë gjithashtu infrastrukturën në këto zona, ashtu siç kemi bërë në Durrës për 8 vite, që hoqëm baltën. E ardhmja e Durrësit është toka bujqësore dhe deti. Ka ardhur dita që rinia jonë të punojë në Shqipëri, dhe jo jashtë. Nuk kam asnjë administrator. Kemi administratën e bashkisë. Administrator do jetë kreu i Bashkisë se bashku me gjithë administratën. Po informatizojmë shërbimet për të mbrojtur qytetarët ndaj abuzimeve dhe korrupsionit.

Rakipllari: Ju thoni që i keni zgjidhur problemet me Durrësin dhe do shkoni të merreni me fshatin. Ka një kontradiktë. Ju thatë që nuk keni patur mbështetjen e qeverisë, nga ana tjetër thoni që i keni zgjidhur çështjet në Durrës dhe do shkoni në fshat..

Dako: Modelin e Durrësit do ta çojmë në fshat. Rikthehuni 8 vite më parë dhe thoni a ka punuar apo jo Vangjush Dako.

Çfarë keni bërë për ish-Kënetën?

Kemi bërë 10 rrugë të reja në zonën e Durrësit të ri se nuk dua ti them kënetë. Kemi ndërtuar shkollën. Kemi ende shumë punë për të bërë. Zonë që ka trashëguar shumë probleme. Kemi një projekt të avancuar, një smart city, do të mbjellim pemë që për 3 vjet shkojnë 15 metra lart. Kur të shikosh, do të shikosh një zonë të gjelbëruar.

Rakipllari: Potenciale që thatë ju, toka deti dhe zona e lirë ekonomikë… Me dëmin që i është bërë bregdetit të Durrësit, përfshirë edhe ju në keqadministrim, a ka shpresë apo jo?

Dako: Ka shpresë. Do të rikualifikohen të gjitha hapësirat. Rruga që është autostradë do kthehet në rrugë urbane. Kemi edhe eksperienca të huaja, sidomos Spanja që ka pasur shumë intensitet dhe pas ndërhyrjes është një nga destinacionet më të preferuara. Mundësia dhe hapësira në plazh është. E kemi vizituar me ekspertë dhe e kanë quajtur si një gjë normale, jo problematike.

A keni pika konkrete të realizimit të projekteve?
Dako: Ne kemi realizuar investimet në qytet, dhe e dimë se ku janë pikat e forta e ku ato të dobëtat. E dimë po kështu se ku do të fokusohemi për projektet e reja. Durrësi është ai që është, kryetarët ikin e vijnë. Kemi përcaktuar investime dhe i quajmë “Durrësi 2030”, edhe pse duket e largët, është ideja e krijimit të një vizioni për qytetin kur të gjitha këto projekte të jenë të realizuara. Po të ishte për fushatë mund të thonim edhe 2020. Do të ndërtojmë një shesh që do e quajmë “Sheshi i drejtësisë”. Do të zgjidhet problemi i trafikut në këtë zonë. Do të ndërtojmë një vepër të rëndësishme afër bregdetit, e kemi quajtur “Veliera”. Ne duam të konkurrojmë nga ana turistike edhe vendet e rajonit, në mënyrë që të tërheqim sa më shumë turistë.

Pse ia kërkoni votën qytetarëve të Durrësit?
Dako: E dua këtë qytet dhe kam dëshirë ta transformoj. Do jap gjithë energjitë e mia për transformimin e Durrësit. Ndaj kërkoj votën dhe besimin e qytetarëve të Durrësit, duke premtuar se do bëj më të mirën për atë qytet.

 

 

(m.k/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: