TIRANE- Zbardhen vendimet e mbledhjes së Këshillit të Ministrave, mes të cilave është edhe ai për varrezat historike për prehjen e ushtarëve grekë.

Ky vendim u mor në mbledhjen e 13 dhjetorit nga qeveria shqiptare në kuadër të një marrëveshjeje të bërë në kohën e qeverisë Berishës, ndërsa i është dhënë statusi ‘Varrezë historike’ për ushtarët e rënë në vitet 1940-1941 në fshatin Bulart në Bashkinë e Dropullit.

Por vendimi në fjalë kufizon ndërtimin e varreve greke në Bularat, ndërkohë që Greqia kërkoi ndërtimin e varreve në Përmet dhe në Këlcyrë.

VENDIM
PËR
DHËNIEN E STATUSIT “VARREZË HISTORIKE” VENDPREHJES SË USHTARËVE TË RËNË GJATË LUFTËS ITALO-GREKE TË VITEVE 1940-1941, ME VENDNDODHJE NË FSHATIN BULARAT, BASHKIA DROPULL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë, për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941, dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, ratifikuar me ligjin nr.10256, datë 25.3.2010, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, ligjit nr.115/2014, “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 3/ç, të ligjit nr.9220, datë 15.4.2004, “Për administrimin e shërbimit të varrimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, ministrit të Brendshëm, ministrit të Mbrojtjes dhe ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Dhënien e statusit “Varrezë historike”, vendprehjes (varrezës) së ushtarëve të rënë gjatë luftës italo-greke të viteve 1940-1941, me vendndodhje në fshatin Bularat, bashkia Dropull.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Bashkia Dropull për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb