VARSHAVË- Polonia, e shtyrë që të modernizojë ushtrinë e saj, nënshkruajti sot një kontratë për blerjen e 40 predhave amerikane me rreze të gjerë veprimi, ultra moderne, për avionët e saj F-16, një transaksion që arrin shumën e 250 milionë dollarëve.

“Ne asnjëherë nuk kemi pasur në historinë tonë armatime kaq shumë të përparuara sa këto që po marrim me këtë kontratë”, deklaroi për median ministri polak i Mbrojtjes, Tomasz Siemoniak, gjatë ceremonisë së nënshkrimit në bazën ajrore të Krzesiny-t pranë Poznanit (perëndim).

Departamenti amerikan i Shtetit kishte dhënë në shtator miratimin e tij për shitjen drejt Polonisë të këtyre predhave të tipit “AMG-158 JASSM”, me një rreze veprimi prej 370 kilometrash. Predhat e instaluara aktualisht në F-16-t polake kanë një rreze veprimi prej 70 kilometrash.

Prej disa vitesh, Polonia është angazhuar në një program të gjerë të modernizimit të forcave të saj të armatosura, që u përshpejtua pas aneksimit të Krimesë në mars nga Rusia dhe manovrave mbështetëse të Moskës për rebelët separatistë në lindje të Ukrainës.
(ma.ar/afp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb