GREQI-Kredi 30-vjeçare me interes të ulët nga Mekanizmi Evropian i Mbështetjes, ku do të transferohet borxhi që posedon sot Banka Qendrore Evropiane, dhe paralelisht ristrukturim të pjesëve të tjera të borxhit, po planifikon qeveria, me synim hyrjen e vendit në tregjet financiare, deklaroi ministri grek i Financave, Janis Varufaqis.

Në një intervistë për gazetën greke “Avgji”, Varufaqis thotë se qeveria ka vënë si prioritet të vetin kombinimin e ristrukturimit të borxhit, injeksione investimesh dhe reformash që i shmangen praktikës çnjerëzore të reduktimit të pensioneve, kompensimeve dhe pagave.

”Ky kombinim do ta shtyjë shoqërinë për të kapërcyer errësirën e krizës së vetushqyer borxh-recesion”, thekson ai.

Sipas ministrit, ENFIA është një taksë monstruoze që duhet hequr.

“Për sa kohë nuk hiqet, ndihemi të gjithë përgjegjës ndaj popullit grek, mirëpo heqja e kësaj takse qoftë dhe gradualisht, do të bëhet kur të përfundojnë negociatat dhe të mundim të gjejmë taksa ekuivalente nga pasuria e madhe e patundshme, dhe nga taksimi progresiv i të ardhurave që sot shmangen”, thekson Varufalkis.

“Në një ekonomi që ndodhet nën darën e deflacionit dhe të borxheve, me tatime që rëndojnë të varfërit, si do të mund të shtonim të ardhurat publike me një për qind të PBB-së pa shkaktuar një defekt edhe më të madh në motorin e ekonomisë, në prodhimin dhe në tregjet?”, pyet Varufaqis.

(a.n/ata/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: