Ish-deputeti i LSI-së, Petrit Vasili përmes një deklarate për shtyp i ka cilësuar skandaloze vendimet e dy gjykatave në Durrës që i dhanë mandatin kryebashkiakes së Durrësit, Valboon Sako

“Dy vendimet e Gjykatës së Durrësit për votimet moniste të Bashkisë së Durrësit ishin prova më e qartë dhe më e mjaftueshme për të kuptuar e për të vulosur që shteti ligjor në Shqipëri ka rënë. Edhe qytetari më i fundit shqiptar, por dhe qytetari më i fundit në glob di shumë mirë që çdo vendim i një gjykate mund të ankohet në një gjykatë më të lartë. Vetëm në Shqipëri, në kohërat e reformës në drejtësi, pra që do të ishin kohërat e zbatimeve më rigoroze të ligjit, u verifikuan pikërisht faktet skandaloze, tronditëse që nuk kanë ndodhur as në ditët më të rënda të drejtësisë shqiptare. Kapja e drejtësisë nga rilindja imponon gjykatat që ato të bëhen si ambiente han pa porta, ky hynë dhe dalin interesat e rilindjes, e cila duke i kapur për fyti mund të marrë 2, 3, 10 vendime në një ditë. Pra përfundimisht gjykatat kanë rënë, drejtësia ka rënë dhe në vend të drejtësisë së re të reformës kemi një anti-drejtësi, faktet e të cilave flasin vetë”,- thotë ai.

Sipas tij, “Kjo situatë e ka shndërruar drejtësinë shqiptare në këtë derexhe ku gjykatat janë shndërruar thjesht dhe vetëm në landfillin e votimeve moniste, ku Edi Rama riciklon pisllëqet elektorale dhe politike të tij dhe kjo është shumë, shumë e rëndë. Praktikisht Shqipëria është në një krizë me të cilën nuk është ndeshur kurrë më përpara, qoftë për thellësinë e saj, qoftë dhe për sa e rëndë është ajo, në planin juridik të shtetit të së drejtës, në planin politik dhe në planin shoqëror”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb