TIRANË

Ish-kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili ka dalë sot para mediave për t’iu përgjigjur akuzave të kreut të grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla.
Duke iu referuar deklaratës së Ballës se LSI ka damkën më të turpshme të blerjes së votës në Shqipëri dhe se duhen ashpërsuar dënimet për shitblerjen e votës, Vasili tha se maxhoranca është produkti më i shëmtuar i shitblerjes së votës në vend. Ai citoi raportet e OSBE-ODIHR dhe DASH.

“Para pak minutash me pacipësinë që e karakterizon tashmë parlamentin e kuislingëve, në këtë sallë që vjen erë, në parlamentin e Shqipërisë guxuan të diskutojnë për votat. Guxuan të thonë që do të jenë ata që do zhdukin shitblerjen dhe manipulimin e votës. Guxuan të thonë që janë ata zgjidhja që mund ta bëjnë këtë gjë.
Ky është një parlament dhe Rilindja e cila e ka zaptuar atë parlament në kundërshtim me Kushtetutën e çdo gjë tjetër është produkti më i shëmtuar, më i neveritshëm i shitblerjes së votës në vend. Këtë nuk e thotë vetëm opozita por edhe OSBE-ODIHR, i cili thotë se vetëm LSI dhe PD denoncuan qartë shitblerjen e votës nga PS dhe nuk ka asnjë rresht që të provojë të kundërtën. Të njëjtën gjë pohon edhe raporti i DASH”, tha Vasili.


Ai theksoi se maxhoranca është vetë nën akuzë, duke përmendur dosjen 339, audio-përgjimet e tenderat.
“Jam këtu për t’u thënë këtyre nënprodukteve të krimit të organizuar, i cili ka arritur të parin dhe të vetmin sukses në Shqipëri duke ndërtuar një parlament që telekomandohet nga ai dhe i cili vë në gojën e të pacipëve që drejtojnë grupin parlamentar dhe qeverinë e kryeministrit Rama pikërisht këtë akuzë kur janë vetë nën akuzë. Pse janë nën akuzë?
Dosja 339 qartëson shumë pastër dhe pa asnjë ekuivok që janë pikërisht këta drejtues socialist të implikuar nga i pari tek i fundit me shitblerjen e votës me krimin e organizuar, me emër, me mbiemër dhe me zë. Çfarë kanë bërë të panikosur deri në qelizë? Kanë bllokuar dosjen 339 për të mos dalë të vërtetat. Janë këta që kanë ndërtuar atë polici që vodhi zgjedhjet, shitbleu zgjedhjet, ajo që i përulet krimit i thotë o xhan o shpirt siç e keni në denoncimet e bëra nga ish-deputeti Salianji. Për turpin e këtyre të trembur deri në palcë akuzohet Salianji”, tha ai.


Vasili deklaroi se shqiptarët presin dhe do donin që ata që vodhën miliona euro në Unazën e Re të ishin në burg duke kërcënuar maxhorancën se burgu i pret ata.
“Shqiptarët presin të dinë kush ishin ata që vodhën tenderat në OST dhe kush i rrëmbeu koncesionet. Këta përpiqen të tregojnë se cili është burgu dhe ç’i presin shqiptarët nga burgu.
Burgu pret vetëm ata. Qoftë dosja 339, qoftë audiopërgjimet, qoftë Unaza e Re, qoftë Bregu i lumit, qoftë koncesionet janë një mal i madh dëshmish të pakundërshtueshme, të cilat i kanë rezervuar vetëm një fat kësaj qeverisje, të tërëve këtyre majmunëve të paguar dhe patateve të kalbura në parlament dhe fundi i tyre është vetëm një, prapa hekurave. Këto fakte nuk i mbulon dot njeri. këto fakte i disponon dhe opozita. Populli thotë, drejtësia vonon por nuk harron. Kjo ishte një qeverisje e turpshme që po ndërton një fund fatal për veten. As ata e askush tjetër por vetëm populli i mbledhur grusht në këmbë do të vërë drejtësinë për paratë e vjedhura, votat e vjedhura, plaçkitjen shtetërore dhe për çdo të zezë tjetër që iu kanë bërë shqiptarëve. Ndaj sot do jemi të gjithë bashkë me të rinjtë tek Kuvendi, anembanë Shqipërisë. Koha për ta shpëtuar Shqipërinë është sot, koha nuk pret”, u shpreh Vasili.


(BalkanWeb)