TIRANË

Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili thotë se kriza politike në vend ka hyrë në momentin më destruktiv të saj.

Ai deklaron se rilindja po zhbën me shpejtësi grimcat e fundit të shtetit të mbetur ndërsa drejtësia e kapur nga rilindja po godet, shantazhon e dënon qytetarët e thjeshtë.

Sipas Vasilit, opozita ka sot vetëm një alternativë, zgjedhjet e menjëhershme.

POSTIMI I VASILIT
Kriza duhet zgjidhur sot, për të mos u bërë peng i saj nesër! Kriza politike ka hyrë tani në momentin më destruktiv të saj.
Çdo ditë po prodhon ngjarje nga më të rëndat, të cilat po hedhin në tokë edhe bulonat më të fundit të shtetit.
Rilindja e kapur për gryke nga interesa të rënda kriminale dhe financiare, ka kapur shtetin dhe po zhbën me shpejtësi grimcat e fundit të shtetit të mbetur, thjesht e vetëm për të ruajtur pandëshkueshmërinë ndaj saj.
Drejtësia e kapur nga rilindja po e zhbën edhe ajo shtetin në mënyrën më të keqe duke mbrojtur si kamikazë e vërtetë pandëshkueshmërinë e kryeministrit e qeverisë, dhe në të njëjtën kohë po godet, shantazhon e dënon qytetarët e thjeshtë.
Në një vend normal, në një shtet normal dhe në një politikë normale mekanizmat e daljes nga kriza mund të jenë shumë.
Ndërsa në një Shqipëri të pushtuar nga një kryeministër e qeveri, pjella dhe shërbyes të antiligjit nga njëra anë dhe opozitës së vendosur në mënyrë të detyruar në ekstremin tjetër, zgjidhja është vetëm e vetëm një: zgjedhje të lira e të ndershme sa më parë dhe ku gur themeli për to mbetet 13 tetori.
Këtë agoni politike ku lëngon Shqipëria shumë pak gjë e ndan nga vdekja përfundimtare e shtetit dhe e vetvetes.
Ndaj edhe aksioni edhe kërkesa, edhe veprimi kane vetëm një emër: zgjedhje me standarde, gjithëpërfshirëse dhe menjëherë.
Shqiptarët i njohin shumë mirë grabitqarët dhe dhunuesit e ligjit që kanë marrë peng qeverisjen e vendit.
Opozita ka sot një vetëm një alternativë zgjedhjet e menjëhershme.
Çdo mik serioz dhe i përgjegjshëm i Shqipërisë që do të investohej në funksion të kësaj zgjidhjeje vetëm duhet mbështetur fort dhe pa asnjë paragjykim.
Agonia duhet të marrë fund. Shqiptarët kërkojnë ringritjen e shpejtë dhe optimiste dhe jo zvarritjen nëpër gërmadhat pa shërim që një krizë shkatërruese lë nga pas, të izoluar nga Europa dhe bota, të zhytur në borxhe dhe rrënim financiar. Kjo është një kosto e tmerrshme, që duhet ndalur sot, për të mos u bërë peng i saj nesër. Ta fillojmë nga 13 tetori si guri kilometrik i rrugës së re të ringritjes.

Vasili Fb
Vasili Fb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb