TIRANË

Ish-kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili ka qenë në studion e News24 për të komentuar në “Opinion” protestën e opozitës, deklaratat e kryeministrit Edi Rama dhe aksionin opozitar.
Ai tha se protesta e sotme ishte e drejtuar nga studentët si simbolikë e asaj që po ndodh në Shqipëri ku 70% e të rinjve duan të ikin nga vendi. Vasili deklaroi se Rama e ka mbyllur marrëdhënien me shqiptarët por se dorën pas karriges ia ka lidhur krimi. Ai shpjegoi dhe arsyen përse protesta e 13 prillit do të zhvillohet pasdite.

“Të dy forumet rinore ishin ata që morën në dorë administrimin e protestës të mbështetur nga mijëra protestues të tjerë. Kryefjala ishte e tyre. Kjo lidhet me tragjedinë që Shqipëria po kalon ku 70% e të rinjve duan të lënë vendin. Kemi dhe një tragjedi tjetër, kemi emigracionin më të madh në Europë të minorenëve. Nëse nuk është qeveri që ua bën të mundur shqiptarëve të rrinë këtu kë do qeveris?”, tha Vasili.

I pyetur nëse ka mjekë në protesta, Vasili tha se protesta më e madhe është largimi i tyre nga spitalet shqiptare.
“I keni parë protestat brenda QSUT. Është kuptimplote. Ne kemi dalë ditë të mërkure të protestojmë. I kemi pasur ditë të caktuara, janë në masë. Kam komunikim me ta. Protesta më e madhe që mund të bëjnë është të shikoj se si shkretohen spitalet. Ju e njihni shëndetësinë, ju e dini peshën që ka në sistem. Qeverisja që gënjen më fortë qytetarët e vet është qeverisja që duam? Prandaj jemi në shesh. Shqiptarët nuk duan më të gënjehen”, tha ai.

Lidhur me deklaratat e kryeministrit Edi Rama se maxhoranca do i çojë për skrap siglat e PD dhe LSI, Vasili e cilësoi kryeministrin vulgar dhe nuk preferon të humbë kohë duke iu përgjigjur.
“Unë ju them si politikan. Të gjitha përgjigjet, të tëra shqetësimet të tëra gjërat për të cilat po gërryhet Shqipëria i marr nga komunikimet me mijëra njerëz. Nuk përfaqëson shqiptarët.
Lufton një grua të nderuar dhe e fut dhe foshnjën pjesë të diskursit politik. Kur vulgariteti arrin në këtë pikë, s’kam ndërmend të humbas kohë. Ky njeri i ka mbyllur juridikisht marrëdhëniet me shqiptarët. Dorën ia ka lidhur pas karriges krimi i organizuar. Para shqiptarëve është një pyetje e fortë: Keni dëgjuar publikisht përgjime të prokurorisë shqiptare jo të opozitës të cilat përmendin si është përdhosur shteti shqiptar. Asnjë nga ata nuk ndëshkohet. Cila është drejtësia e re? Ajo që nuk ndëshkon. Një protestë e banorëve të Unazës së Re, 7 vetë në burg.
Tërë këta shefa policie që thonë ‘të keqen’, ‘mor ta marrsha’, ‘po ti sjell lekët’ atij dëshmitarit fals, kryetari i bashkisë së Durrësit që iu thotë kriminelëve ‘o xhan’, ‘o shpirt’, asnjë nuk shkon në burg.
Kjo drejtësi do të thotë që tërë këta që janë në pushtet me Edi Ramën, bëni çfarë të doni nuk iu çon njeri në burg. Kurse kanë arrestuar protestues edhe me autizëm edhe invalidë”, tha Vasili.

Ai theksoi se çdo ditë që vonohet është një ditë e keqe për shqiptarët. “Ditë akoma shumë e rëndë për Edi Ramën si individ. Çdo ditë që kalon një ditë e keqe për shqiptarët, por shumë herë më e keqe për Edi Ramën”, tha ai.

Ndërkohë sa i përket faktit se protesta e radhës e opozitës, ajo e 13 prillit do të jetë pasdite, Vasili sqaroi se kjo është për të t’iu krijuar mundësi të gjithë atyre që duan por për shkak të orareve nuk mund të jenë paradite në protestë.

“Për të dhënë mundësi pasi qytetarët kanë pasur dëshirë hsumë të marrin pjesë. Kanë qenë njerëz për shkak të organizimit të jetës së tyre nuk iu konvenonte dhe donim t’ju jepnim mundësi të ishin të pranishëm”, tha ai.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: